1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Afganistani duhet të jetë një mësim

11 Shtator 2020

Pas sulmeve të 11 shtatorit, Perëndimi ndërhyri në Afganistan. Tani trupat tërhiqen pa i arritur qëllimet e tyre. Duhet të nxjerrim konkluzione nga kjo, thotë Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/3iL5i
Afghanistan Kabul Bundeswehr Soldat Frau in Burk a
Fotografi: picture-alliance/dpa/A.Niedringhaus

Presidenti Donald Trump u ka premtuar bashkatdhetarëve të tij t'u japë fund "luftërave të përjetshme" të Amerikës. Misioni më i shtrenjtë dhe më i gjatë nga misionet në vazhdim është ai në Afganistan. Ai do të hyjë në vitin e njëzetë në dhjetor dhe u ka kushtuar jetën e më shumë se 2.000 ushtarëve amerikanë dhe qindra miliarda dollarë taksapaguesve. Trumpi dëshiron - me përjashtim ndoshta të qëndrimit me një prani mjaft simbolike - të dalë nga Afganistani. Pa u konsultuar me aleatët e tij të NATO-s, ai po tërheq gjithnjë e më shumë ushtarë amerikanë dhe mbështet në këmbim negociata paqeje brenda Afganistanit me ish armikun e tij, Talibanët. A do të kenë sukses këto negociata dhe çfarë roli do të luajnë Talibanët dhe ideologjia e tyre islamike në të ardhmen duket se së paku për Trumpin është dytësore.

Qëllimi fillestar i operacionit ishte të thahej burimi i dyshuar i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Talibanëve që sundonin atëherë në Afganistan. Gjermania u bind menjëherë si një aleate. Dhe Ministri i Mbrojtjes, Peter Struck dukej se shpalli në dhjetor 2002 një lloj doktrine të re ushtarake gjermane : "Siguria e Republikës Federale të Gjermanisë mbrohet edhe në Hindukush". Synim më të lartë misioni ushtarak mori vetëm sepse Perëndimi pretendoi ta kthejë Afganistanin në një demokraci. Kjo i shitej mirë një publiku kritik ndaj ushtrisë, veçanërisht në Gjermani.

Rekord deziluzionues

Që në përvjetorin e dhjetë të operacionit, në vitin 2011, megjithatë, ish-inspektori i përgjithshëm i Bundeswehrit, Harald Kujat, deklaroi në një intervistë me "Mitteldeutsche Zeitung" se Gjermania kishte dashur të tregonte solidaritet me Shtetet e Bashkuara me përfshirjen e Bundeswehrit. "Por po të marrësh si pikë referimi qëllimin e stabilizimit të një vendi dhe një rajoni, atëherë ky mision ka dështuar." Ky vlerësim nuk ka ndryshuar deri sot.

Përsa i përket zhvillimeve politike në vend, eksperti i mbrojtjes i SPD Fritz Felgentreu deklaroi shkurtimisht në fund të gushtit të këtij viti se Afganistani "nuk është bërë një shtet kushtetues demokratik". Felgentreu tha se nuk ishte "një zbulim i ri se shkeljet e të drejtave të njeriut dhe korrupsioni janë përhapur në Afganistan, duke përfshirë edhe anën e qeverisë". Askush me pozitë të lartë nuk e ka kundërshtuar këtë.

Kërcënimi global terrorist që buroi nga Afganistani në 2001 është shmangur, të paktën për momentin. Por qëllimet e stabilizimit dhe demokratizimit nuk u arritën. Me tërheqjen e ngadaltë të trupave perëndimore, ato praktikisht braktisen.

Christoph Hasselbach
Christoph Hasselbach

Rezistojini tundimit

Bundeswehri gjithashtu pagoi një çmim të lartë: gati 60 ushtarë të vrarë dhe kosto zyrtarisht prej 12 ose 16 miliardë eurosh - në varësi të faktit nëse llogarit vetëm shpenzimet e pastra ushtarake.

Mësimi më i rëndësishëm nga Afganistani është një mësim shumë themelor: pretendimi për të ndërtuar një demokraci në vend sipas standardeve perëndimore ishte plotësisht i tepruar. Ky mësim shkon përtej Afganistanit. Në vitin 2003, dy vjet pas fillimit të ndërhyrjes në Afganistan, Presidenti George W. Bush e pa veten në Irak jo vetëm në një mision ushtarak, por edhe në një mision demokratik - me pasojat e njohura. Për fat të mirë, Gjermania nuk mori pjesë. Kur kërkohet një strategji kundër Sirisë, shtrohet në mënyrë të përsëritur çështja e ndërhyrjes që duhet t'i japë fund luftës civile dhe më pas të sjellë demokracinë. Dhe nganjëherë ka zëra të tillë edhe në lidhje me Libinë.

Në çdo rast të veçantë ekziston një tundim i madh për ta vendosur pretendimin moral të eksportit të vlerave mbi realizmin. Por nëse ka një gjë për të cilën të mëson Afganistani, ajo është ndjenja e realitetit.

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare