1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në RMV po votohet për zgjedhjet lokale

17 Tetor 2021

Zgjedhjet lokale në Maqedoni e Veriut kanë nisur. Deri në orën 11:00 kanë votuar gjithsej 10.22 për qind. Procesi zgjedhor ecën ngadalë për shkak të aparatit të leximit të shenjave të gishtave.

https://p.dw.com/p/41mgP
Kommunalwahlen in Nordmazedonien
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet e kryetarëve të 80 komunave dhe të këshillave komunale, si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë 1,824.864 qytetarë. Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10.600 kandidatë. Qytetarët votojnë me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.

Numër i vogël i daljes në vendvotime

Kommunalwahlen in Nordmazedonien
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në konferencën e parë ka informuar për jehonën e votimit deri në ora 11. Nga të dhënat e 2.544 vendvotimeve, respektivisht nga 73.1 për qind e vendvotimeve, deri në orën 11:00 kanë votuar gjithsej 135.906 qytetarë, gjegjësisht 10,22 për qind. Më së paku votues deri në orën 11 janë regjistruar në komunën e Vrapçishtit.

"Më tepër dalje ka në komunën Novaci me 25.84 për qind, Kriva Pallanka me 20,44 për qind, Vevçani me 18.61 për qind. Ndërsa komuna me më së paku votues deri në ora 11 është Vrapçishta me 4.92 për qind”, ka deklaruar Lubka Guguçevska nga KSHZ.

Kommunalwahlen in Nordmazedonien
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Përdorimi i fingerprint ngadalëson procesin e votimit

Në votimin e sotëm për herë të parë votohet me sistemin e ri biometrik - identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si "fingerprint”. Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ka nisur me probleme teknike, që kanë të bëjnë me aparatet biometrike për votim. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se në shumë vendvotime aparatet ose nuk kanë mund të vihen në përdorim ose votuesit nuk kanë mundur të identifikohen.

"Me kalimin e kohës, gjendja me aparatet po përmirësohet dhe tani janë një numër i vogël i vendvotimeve ku kemi ende probleme”, ka deklaruar Dashtevski.

Edhe komisionerët në qendrat e votimit thonë se përballen më shumë probleme teknike, pasi një pjese të konsiderueshme të qytetarëve aparati për identifikimin e shenjave të gishtit nuk ua lexon të dhënat personale.

Kommunalwahlen in Nordmazedonien
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

"Procesi zgjedhor këtë vit rrjedh më ngadalë për shkak të aparatit të leximit të shenjave të gishtave. Kjo shkakton revoltë te qytetarët në rastet kur nuk mund të lexojnë shenjat e gishtave, pasi aparati nuk e tregon identitetin, ndërkohë që ai qytetar është i evidentuar si votues në listën zgjedhore” thotë Enver Shabani, komisioner në një qendër votimi në komunën e Çairit.

Mimoza Radevska nga komisioni zgjedhor në komunën Qendër të Shkupit thotë se probleme gradualisht po tejkalohen.

"Aparati tregon se është i dobët kualiteti i shenjave të gishtërinjëve. Në atë rast vazhdon votimi me identifikimin përmes kartës së identitetit ose pasaportës dhe përdoret llampa me rreze ultravjollcë”, thotë Radevska.

Vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë mbikqyrin procesin

Procesi i votimit po mbikëqyret nga 1.100 vëzhgues vendorë dhe 217 vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE-ODIHR. Në vendvotime ka edhe pjesëtarë të forcave policore për sigurimin e procesit të rregullt zgjedhor. Të shtunën, policia ka arrestuar katër persona të dyshuar për shpërndarje të parave për blerje të votave.

Vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00 ndërsa rezultatet pritet të publikohen në faqen elektronike të KSHZ-së, ashtu siç arrijnë nga qendrat e votimit.

Zgjedhjet e së dielës për pushtetin lokal janë të shtatat me radhë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, në vitin 1991.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut