1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë mbërriti grupi i parë i refugjatëve afganë

Bekim Shehu
30 Gusht 2021

Kosova do të  strehojë rreth 2000 qytetarë afganë. Sipas ligjeve të Kosovës dhe marrëveshjes me SHBA-së, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm deri në një vit në Kosovë.

https://p.dw.com/p/3zfQ1
Afghanische Staatsbürger kommen zur Unterbringung im Kosovo an
Fotografi: Embassy of Kosovo USA

Në Kosovë të dielën rreth mesnatës mbërriti grupi i parë i qytetarëve afganë, që do të strehohen në vend. Grupi prej 111 personash, që ikën nga shteti i tyre pasi talibanët morën kontrollin, u transferuan në Kosovë nga Gjermania me një avion të forcave amerikane. Edhe gjatë ditës së hënë në Kosovë pritet të arrijnë edhe qytetarë të tjerë afganë, të cilët do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa t'iu rregullohet dokumentacioni për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, qytetarët afganë do të strehohen në ish-kampin e kompanisë Bechtel Enka, që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane "Bondsteel" në qytetin e Ferizajt.

"Afganët që arritën në Kosovë janë mysafirë"

Për t'i pritur afganët që do të strehohen në Kosovë në aeroportin e Prishtinës dolën udhëheqësit më të lartë të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti dhe ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT. Presidentja Osmani tha se qytetarët e Kosovës e dinë se çfarë do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia, prandaj sipas saj, "për afganët, Kosova ka hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat”. "Ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të të gjithë këtyre partnerëve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te shteti i fundit i NATO-s në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurt", tha presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh, se "afganët që arritën në Kosovë janë mysafirë dhe se tashmë ata janë të sigurt”. "Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna për aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si. Pra, të gjitha çështjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike dhe logjistike sesi këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim pas një konflikti që e lanë pas në atdheun e tyre", tha kryeministri Kurti.

"Kosova po shpëton jetë"

USA afghanische Bürger nach Kosovo geflogen worden
Fotografi: Embassy of Kosovo USA

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett shkroi se me strehimin e afganëve Kosova po shpëton jetë. "Jam i nderuar që ju bashkova udhëheqësve kosovarë dhe kolegëve të Quintit në mikpritjen në Prishtinë të grupit të parë të evakuuarve afganë të lidhur me NATO-n. Duke pritur përkohësisht afganët gjatë rrugës për në shtëpitë e përhershme diku tjetër, Kosova jo vetëm që shpëton jetë, por u jep afganëve një mundësi për të ndërtuar jetë të reja”, shkroi Kosnett në Facebook.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Svecla, tha se të gjithë shtetasit afganë që arritën në Kosovë do të testohen për virusin Corona dhe nëse ka raste pozitive, janë caktuar edhe vende për karantimin e tyre. Për të mbajtur sigurinë në aeroportin e Prishtinës ishin të pranishme forca policore të Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it ndërsa, transporti i afganëve u bë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht rreth 2.000 qytetarë afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s edhe me organizata të huaja. Sipas ligjeve të Kosovës dhe marrëveshjes me SHBA-së, afganëve do t'u ofrohet strehim i përkohshëm deri në një vit në Kosovë.