1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria priti grupin e parë të refugjatëve afganë

27 Gusht 2021

Shqipëria ka premtuar mbështetje të përkohshme për refugjatët afganë dhe tranzit drejt SHBA. Të ardhurit në Shqipëri janë aktivistë të shoqërisë civile, gra, fëmijë, foshnja dhe invalidë

https://p.dw.com/p/3zYRi
Albanien Tirana | Ankunft Afghanischer Flüchtlinge am Flughafen
Fotografi: Press Office/Albania Ministry of Foreign Affairs

Avioni me grupin e parë prej 121 refugjatësh afganë, i nisur nga aeroporti i Kabulit, mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, ”Nënë Tereza” herët të premten (27.08), rreth orës 03:00 pas mesnate. Burime zyrtare thanë për DW, se ky grup përbëhet kryesisht nga aktivistë të  shoqërisë civile, gra, fëmijë, foshnja dhe invalidë, që kanë udhëtuar nga Kabuli në Tiranë në karrige me rrota. Me të mbërritur atyre iu kontrollua temperatura dhe u dërguan në Qendrën Pritëse, të ngritur enkas, në pjesën ushtarake të aeroportit, ku plotësuan dokumentacionin përkatës. Më pas u sistemuan në tenda ku morën ushqim dhe asistencën e parë mjekësore.

Burime zyrtare thanë, se refugjatët afganë të sapombërritur do të kontrollohen nga autoritetet amerikane të sigurisë  dhe emigracionit për të nisur përgatitjen e dokumentacionit të duhur për të marrë vizat e hyrjes në SHBA. Sipas një vendimi të sapomarrë nga qeveria e Tiranës, Shqipëria u jep atyre një vit mbështetje të përkohshme me statusin e refugjatit politik duke shërbyer si vend tranzit deri sa të mbërrijnë në SHBA, destinacioni i tyre përfundimtar.

Albanien Tirana | Ankunft Afghanischer Flüchtlinge am Flughafen
Fotografi: Press Office/Albania Ministry of Foreign Affairs

Përgatitje e gjithanshme

Pas disa orësh, refugjatët u sistemuan në hotelet e qytetit bregdetar të Durrësit. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaꞔka, që kryeson Task-Forcën e ngritur për menaxhimin e qëndrimit të refugjatëve afganë në Shqipëri deklaroi nga aeroporti se "Shqipëria ka bërë përgatitje të gjithanshme, që nga përpunimi i dokumentacionit, regjistrimit, kontrollit për shëndetin, paketat higjenike, ushqimin, transportin dhe padyshim për sigurinë e tyre.”

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim në një postim në twitter theksoi se "grupi i parë i afganëve, që pritëm sot, është në kërkim të një strehimi të përkohshëm në Shqipëri. Populli shqiptar, si ka bërë gjithmonë, ofroi edhe njëherë mikpritje dhe mbrojtje ndaj atyre që kanë nevojë më shumë.”

Albanien Tirana | Ankunft Afghanischer Flüchtlinge am Flughafen
Fotografi: Press Office/Albania Ministry of Foreign Affairs

Shqipëria merr përsipër të strehojë 4 mijë refugatë afganë

Shqipëria pranoi kërkesën e qeverisë amerikane për strehimin e përkohshëm dhe sigurinë e qytetarëve afganë, kryesisht gra dhe vajza, drejtues të shoqërisë civile, përkthyes dhe mësues, që punuan me strukturat e ushtrisë amerikane dhe që u kërcënohet jeta në Afganistan nga regjimi i talibanëve.

Kryeministri Rama, që bëri të ditur vendimin e qeverisë së Tiranës, në mes të këtij muaji, deklaroi në median sociale që "Shqipëria,vend anëtar i NATO-s, është gati të mbajë pjesën e vet të barrës. ”Ne nuk themi "JO”. Jo vetëm sepse këtë na e kërkojnë aleatët tanë më të mëdhenj, SHBA, por sepse jemi Shqipëria, ku është traditë ndihma ndaj atyre që kanë nevojë”, tha ai.

Albanien Tirana | Ankunft Afghanischer Flüchtlinge am Flughafen
Fotografi: Press Office/Albania Ministry of Foreign Affairs

Pas kësaj deklarate u fol për disa qindra refugjatë që Shqipëria u ofron mbështetje por së fundi kryeministri Rama publikoi shifrën 4 mijë. Sipas vendimit  të Këshillit të Ministrave, të marrë para dy ditësh, (25.08) refugjatët politikë afganë do të gëzojnë statusin e mbrojtjes së përkohshme me të drejtë qëndrimi një vit në Shqipëri, si vend tranzit drejt SHBA. Mbrojtja e përkohshme fillon që në momentin e mbërritjes së tyre në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, "Nënë Tereza”.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana