Përpjekja për zhbllokimin e dialogut në Bruksel
2 Korrik 2024Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen sot në Bruksel në përpjekje për të zhbllokuar zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, takojnë edhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, sipas të cilit "deri më tani nuk është parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit”. Lajçak në një postim në X, iu referua zhvillimeve të javës së shkuar kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi të takohet në Bruksel, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pa i plotësuar disa kushte.
"Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën për normalizim. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon kur do të takohen kryenegociatorët për t'i përgatitur hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”, shkroi Lajçak.
Nuk parashikohet, por nuk përjashtohet njohja
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, kanë thënë se ndonëse njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, nuk është qëllimi i dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve, nuk përjashtohet që njohja të vjen si rezultat i përmbylljes së procesit të bisedimeve. "Qëllimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është normalizimi i marrëdhënieve. Pra, kjo është detyra që iu dha BE-së si lehtësues për të punuar dhe për të ndihmuar të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Pra, nuk ka njohje atje. Por sigurisht një pasojë logjike e normalizimit do të ishte njohja”, tha në Bruksel, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano. Sipas tij, "pesë mosnjohëset mes vendeve anëtare të BE-së do të marrin vendimet e tyre bazuar në atë që ata e shohin si të nevojshme dhe të rëndësishme”.
Njohja nga pesë vendet nuk përfshihet në dialog
"Por kjo nuk është një çështje që trajtohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE. Detyra është edhe një herë normalizimi i marrëdhënieve, ndërsa përcaktimi i normalizimit në fund kur të arrijmë, kur të vendoset nga palët me ndihmën tonë, do të përcaktohen vet”, tha Stano.
Javën e kaluar, nuk ndodhi takimi i shumëpritur dhe i paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq. Por dy liderët takuan ndaras shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe ndërmjetësin në dialog Mirosllav Lajcak. Këta të fundit thanë se "Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh”. Kryeministri Albin Kurti, paraqiti tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e dialogut dhe në një proces më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Kushtet e Kurtit që të takojë presidentin serb ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq më 13 dhjetor 2023 dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës, tha Borrell. Sipas tij, "Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti”.
Ankesa për trajtim
Përfaqësuesit e Kosovës janë ankuar së fundi disa herë se palët nuk po trajtohen si duhet. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, nga ana e saj deklaroi se "heqja e masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës do të krijonte një situatë të barabartë në tryezën e dialogut”. Heqjen e masave ndëshkuese kanë kërkuar edhe politikanë të tjerë të Kosovës, por deri tani nuk ka ndonjë propozim konkret në këtë drejtim.