Kurti me kërkesa të reja për vazhdim të dialogut me Serbinë
27 Qershor 2024Nuk ndodhi takimi i shumëpritur dhe i paralajmëruar nga BE-ja, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq, por dy liderët takuan ndaras shefin e diplomacisë evropiane Josep Borrel dhe ndërmjetësuesin e dialogut Mirosllav Lajcak.
Josep Borrell, tha në një deklaratë për mediat, se, "Kosova nuk ishte e gatshme për takim tripalësh”, dhe kryeministri i saj, Albin Kurti, paraqiti tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e dialogut dhe në një proces më të gjerë të normalizimit të marrëdhënieve.
"E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell, duke paraqitur kërkesat e Kurtit. Sipas Borrel, "Serbianuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti”. Megjithatë tha Borrel, "presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, gjithnjë në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”.
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, u kishte paraqitur palëve një propozim të ri për planin e zbatimit, detaje të të cilit nuk bënë të njohura, por siҫ tha, "fatkeqësisht kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendrohen në veprime konkrete zbatuese nga palët”. Sipas Josep Borrel, "qëndrimet e palëve mbeten shumë të ndryshme për mënyrën se si mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes dhe rrjedhimisht se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit të marrëdhënieve”. Sipas Borrel, "tani u takon të dy palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të ecë përpara”, duke theksuar se është në interesin e tyre dhe në interes të aspiratave të tyre për integrim evropian.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i konfirmoi kërkesat e tij, dhe tha, se "ka kërkuar garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve".
"Konsiderojmë se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohjen së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha kryeministri Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq, tha se "Albin Kurti nuk ka dashur të më shohë”, dhe sipas tij, "Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën, që në thelb është njohje de-jure”.
Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq, për herë të fundit janë takuar me 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Sidoqoftë, pas takimeve të ndara që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuҫiq, zhvilluan me ndërmjetësit evropian, bëhet e ditur se diskutimet vazhdojnë javën e ardhshme në nivel kryenegociatorësh, ku do të flitet për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë. Kjo marrëveshje drejt normalizimit të marrëdhënieve, është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja bazë ka 11 nene, ku ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjelltë të simboleve shtetërore. Po ashtu palëve u kërkohet që t'i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë procesit të dialogut.
Të dy ndërmjetësit evropian të dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borrel dhe Mirosllav Lajҫak, së shpejti përfundojnë mandatin. Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell do të shërbejë në këtë post deri në vjeshtë. Ndërsa, së shpejti do të bëhet e ditur se kush do të jetë pasardhësi i Mirosllav Lajҫakut si ndërmjetësues i dialogut pasi Lajҫak, tashmë është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ndonëse ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog derisa strukturat e BE-së të gjejnë zëvendësuesin e tij.