1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajçak në Prishtinë: Të zbatohet Marrëveshja Bazë

5 Mars 2024

Sipas Marrëveshjes Bazë Kosovë-Serbi palët duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë. Kosovës dhe Serbisë u kërkohet ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.

https://p.dw.com/p/4dCYp
Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak duke shtrënguar duart në Prishtinë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi
Takimi i ndërmjetësuesit për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak në Prishtinë me zëvendëskryeministrin Besnik BislimiFotografi: Office of the Kosovo Government

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nga Prishtina u bëri thirrje qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit që të nisin me zbatimin e Marrëveshjes Bazë, pasi, siç tha, "një gjë e tillë është në interesin e të gjithëve”. Në këtë takim që përkon me njëvjetorin e dakordësimit për marëveshjen Bazë Kosovë-Serbi, u diskutua edhe për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë, çështje kjo për të cilën zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, javën e shkuar refuzoi të shkojë në Bruksel për ta diskutuar me palën serbe.

"Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë, prandaj është në interes të secilit që të zbatohet. Sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t'i bëjmë”, tha Lajçak. Sipas tij, pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. "Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër. Por besoj se këto çështje mund të zgjidhen shumë thjeshtë”, deklaroi Lajçak. Sipas të ngarkuarit të BE-së, marrëveshja Bazëqë u arrit në Bruksel shkurtin e vitit të kaluar dhe më pas aneksi i saj në mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, "është ligjërisht e detyrueshme, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë”. "Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që mund të siguronin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë”.

Bislimi: Nënshkrimi i marrëveshjes është garanci dhe për pranim e zbatim të saj

Zëvendëskryeministri i Kosovës që njëherësh është edhe kryenegociator, vazhdon të insistojë, se "marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve dhe të jetë e nëshkruar”.

"Nënshkrimi i marrëveshjes është garanci dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribuojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes”, tha Bislimi.

Sa i përket rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës BQK, zëvendëskryeministri Bislimi, sqaroi se "kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve”. Ai siguroi z. Lajçak qё “Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojë vazhdimёsinё e mbështetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”. Për këtë çështje, Mirosllav Lajcak, foli pak për takimin e javës së kaluar në nivel ekspertësh në Bruksel për çështjen e dinarit serb, ku Kosova u përfaqësua nga guvernatori i Kosovës.

"Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por, janë disa pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj të organizoj një takim të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, sqaroi Lajçak.

Rregullorja e BQK-së, është kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, që  kërkuan nga Kosova ta shtyjë zbatimin e vendimit, duke argumentuar se ai u mor pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet te popullata serbe.

Sidoqoftë, Marrëveshja Bazë prej 11 nenesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën po flasin palët dhe ndërmjetësuesi, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjelltë të simboleve shtetërore. Po ashtu kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t'i zbatojnë, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në tetor të vitit të shkuar diplomatët perëndimorë paraqitën një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës për fillimin e punës për zbatimin e tij. Ndërsa Beogradit i kërkuan të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar paralajmëroi Kosovën dhe Serbinë se zbatimi i marrëveshjes është rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Nëse palët nuk e zbatojnë atë do të përballen me pasoja.