1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lajçak sërish në Prishtinë - A do ketë zhvillime të reja?

5 Mars 2024

Këmbëngulja e komunitetit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe vazhdon. Por qeveria e Kosovës druhet, se një asociacion njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit.

https://p.dw.com/p/4dATb
Takimi Lajçak-Kurti, 30 janar 2024 - Lajçak dhe Kurti ulur në kolltuqe, në mes një tavolinë me flamurët e Kosovës dhe BE
Takimi Lajçak-Kurti, 30 janar 2024Fotografi: Office of the Kosovo Prime minister

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndron të martën në Prishtinë në përpjekje për të ecur përpara në procesin e dialogut të "ngecur”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lajçak në Prishtinë takon kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, i cili herën e fundit refuzoi të shkojë në Bruksel për ta diskutuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon dinarin serb, rregullore kjo që ngriti shqetësime edhe ndërkombëtare. Qeveria njofton që në takimin e së martës me Lajçak do të diskutohet "për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”.

Marrëveshja bazike për normalizimin e marrëdhënieve e arritur më 27 shkurt të vitit 2023, ka 11 nene e cila ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Po ashtu parasheh dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t'i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Lajçak viziton Prishtinën vetëm një ditë pasi Bashkimi Evropian dhe SHBA-të i bënë thirrje Kosovës që t'i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

Prishtina me flamuj të Kososvë në bulevard
Fotografi: Bekim Shehu/DW

Hovenier: Ecja përpara në rrugën evropiane vetëm përmes dialogut

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffry Hovonier, duke folur në një konferencë me temën "Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, tha se Kosova mund ecë përpara në rrugën evropiane vetëm përmes dialogut. "Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier, duke i rikujtuar Kosovës obligimet e saja.

"Komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët do ta trajtonin Kosovën më ndryshe se tani, nëse ata do të ishin duke e zbatuar këto obligime, nëse do të ishin duke e miratuar draft-statutin për Asociacionin që nuk është në kundërshtim me kushtetutën dhe nëse do të ishin duke ecur drejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, theksoi Hovenier.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz duke folur për DW
Fotografi: Anila Shuka/DW

Asociaconi mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës

Bashkësia ndërkombëtare i kërkon Kosovës të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës shpreh drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla fajëson palën serbe për ngecjen e dialogut dhe sipas saj, është "e pamundur të mbash bisedime me një shtet që përgatitet për luftë”. "Kur ke një palë që është kundër dialogut dhe tregon me veprime konkrete si ngjarja e 24 shtatorit kur kishim akt sulmi kundër Republikës së Kosovës dhe ne pretendojmë se kemi dialog në Bruksel, atëherë çdo nxënës do ta kuptojë se kjo nuk është ajo që mësohet në shkollë për këtë proces”, tha Gërvalla duke ju përgjigjur kritikave të vendeve të Quint-tit.