1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndryshime në qeverinë Rama - emra me profil teknik

29 Korrik 2024

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi emrat e ministrave pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Rama zëvendësoi tre prej ministrave aktualë si dhe propozoi Kryetaren e re të Kuvendit të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/4irK1
Albanien Ministerpräsident Edi Rama
Fotografi: Johanna Geron/REUTERS

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi të dielën (28.07.) emrat e ministrave që do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Në përmbyllje të fjalimit të tij, të mbajtur në Kongresin e Partisë Socialiste, Rama zëvendësoi tre prej ministrave aktualë si dhe propozoi Kryetaren e re të Kuvendit të Shqipërisë.

Emrat e rinj të qeverisë – jo figura politike

Taulant Balla, i emëruar në Ministrinë e Brendshme vetëm në korrik të vitit të kaluar do të zëvendësohet nga Ervin Hoxha, që ka mbajtur deri tani postin e drejtorit të Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, IKMT. Ish ministrit Balla ju besua posti i ministrit të Shtetit pa portofol për Marrëdhënien me Parlamentin, karrige të cilin e mbante Elisa Spiropali.

Edhe ministri i Financave Ervin Mete, i cili e mori postin në shtator të vitit të kaluar do të pasohet nga Petrit Malaj, Drejtori aktual i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Një tjetër emër u zgjodh në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Pas Niko Peleshit, që e mban këtë post prej rreth 4 vitesh, kjo ministri iu besua Pirro Vengut, Drejtorit të Portit të Durrësit. Vetë Peleshi do të marrë kryesimin e grupit parlamentar socialist.

Ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla
Fotografi: Press Office, Albania Minister of Interiors.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar vijnë një vit përpara zgjedhjeve, që do të mbahen në pranverën e vitit 2025. Kryeministri Rama nuk dha ndonje sqarim mbi këto ndyshime, por gjatë fjalës së tij në Kongres theksoi rëndësinë e figurave të reja për zgjedhjet e ardhshme. "Do t'ju duhen dijet, aftësitë, dëshira e të rinjve që do të afrojmë medoemos për sprovat e mëdha të mandatit të katërt” – u shpreh kryeministri.

Kuvendi i Shqipërisë do të drejtohet sërish nga një grua

Elisa Spiropali do të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë, duke zëvendesuar Lindita Nikollën, e cila njoftoi dorëheqjen nga ky post disa ditë më parë. "Mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore” bëri të ditur ish kryetarja e Kuvendit. Propozimi i Spiropalit për drejtimin e këtij institucioni erdhi nga kryeministri Edi Rama gjatë asamblesë së të dielës, ndërsa pritet të votohet gjatë seancës plenare të së martës (30 korrik). Spiropali aktualisht mban postin e ministrit të Shtetit pa portofol, për Marrëdhënien me Parlamentin. Nënkryetar i Kuvendit nga radhët e socialistëve do të jetë Bledi Çuçi, i cili deri tani ka drejtuar grupin parlamentar socialist.

Nikolla dhe Bärbel Bas
Fotografi: Thomas Trutschel /photothek

Berisha për ndryshimet qeveritare: "Ekziton vetëm njëshi”

Vendimi i Edi Ramës për të ndryshuar disa nga imazhet e kabinetit qeveritar solli reagimin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Nga ballkoni i banesës së tij, Berisha tha se kongresi sanksionoi se në Partinë Socialiste "nuk ekziston asnjë forum tjetër, asnjë anëtar forumesh të tjera, por ekziston vetëm njishi”. "Në këtë kontekst, mund ta vlerësojmë kongresin si aktin politik të metamorfozës së Rilindjes, metamorfozës së plotë të Rilindjes” shtoi më tej Berisha. I pakursyer në etiketime ai u tregua edhe në lidhje me emërimet e reja në qeverinë "Rama”, teksa tha se u emëruan  "hajdutë, interesaxhinj, antipopullorë dhe çdo epitet tjetër”.

Fill pas përfundimit të Kongresit, kryeministri Edi Rama dorëzoi në Presidencë dekretet për ndryshimet e reja, të cilat presin miratimin e Presidentit Bajram Begaj.

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana