1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mostar - Qyteti i ndarë dhe qyteti me bashkëjetesë

9 Nëntor 2023

Më 9 nëntor 1993 u shkatërrua ura e famshme e Mostarit - simbol i bashkëjetesës së kulturave dhe feve në Bosnjë-Hercegovinë. Mostari sot po ribashkohet ngadalë.

https://p.dw.com/p/4YbNR
Pamje e urës së Mostarit
Ura e MostaritFotografi: World Music Centre

Mostari, kryeqyteti i rajonit të Hercegovinës në Bosnje dhe Hercegovinë, është një qytet i ekstremeve. Kur shkova në punë në zyrën rajonale të Përfaqësuesit të Lartë në orën shtatë të mëngjesit të korrikut 2005, termometri tregoi 31 gradë nën hije. Ishte 46 gradë pasdite.

Mostari njihet si qyteti më i nxehtë në ish-Jugosllavi. Por ekstremet ishin dhe janë të pranishme edhe politikisht, në fe, në futboll dhe këto janë parë gjatë luftës. Në Luftën e Bosnjës nga viti 1992 deri në 1995, qëllimi i deklaruar i palës kroate ishte të ndante qytetin etnikisht. Prandaj boshnjakët, të cilët përbëjnë shumicën në pjesën lindore, u dëbuan nga pjesa perëndimore e dominuar nga kroatët. Lufta në Mostar ishte shumë më e ashpër sesa në rajonet e tjera, sepse kundërshtarët luftuan njëri-tjetrin nga afër.

Më 9 nëntor 1993, tanket kroate shkatërruanStari Most(Urën e Vjetër), e ndërtuar në 1566 dhe që lidh të dy pjesët e qytetit të vjetër. Lajmi mori dheun dhe tronditi botën. Ura nuk ishte vetëm një strukturë unike, mjeshtërore nga periudha osmane, por ishte edhe një simbol i bashkëjetesës paqësore të kulturave dhe feve në rajon dhe në Evropë.

Jo një mur, por një pengesë imagjinare

Ura e shkatërruar në jaanr 1996 në Mostar
Ura e shkatërruar, pamje nga 29 janari 1996Fotografi: Stephanie Pilick/dpa/picture alliance

Shkatërrimi apokaliptik më tronditi gjatë vizitës sime të parë në vitin 1996. Vetëm qyteti kroat i Vukovarit, i cili u shkatërrua nga artileria serbe, vuajti në mënyrë të ngjashme me Mostarin gjatë katër luftërave pasardhëse jugosllave. Pasojat e luftës shiheshin gjithandej, edhe pse BE-ja kishte vënë tashmë në dispozicion qindra miliona marka gjermane për rindërtim midis 1994 dhe 1996. Ish-kryetari i bashkisë së Bremenit,Hans Koschnick, koordinoi rindërtimin gjatë kësaj kohe si administrator i Mostarit. Palët nuk i ndante muri por vija imagjinare e frontit që kalonte në mes të qytetit përgjatë rrugës kryesore të bulevarit.

Kur mori detyrën në vitin 2002, Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar, Lordi Pedi Eshdaun, e shpalli ribashkimin e Mostarit një prioritet. Meqenëse palët nuk arritën të bien dakord për një kushtetutë të përbashkët, ai vendosi ta vinte atë në fuqi duke përdorur kompetencat e tij ekzekutive. Ky ishte themeli për bashkimin e qytetit të ndarë etnikisht dhe politikisht.

A është Mostari ende i ndarë?

Një njësi me rreth dy dyzina punonjësish, ku unë isha zëvendësdrejtor, duhej të zbatonte rregulloret. Kjo kërkonte kohë, sepse plagët e dhjetë viteve të luftës dhe përçarjes, natyrisht, nuk mund të shëroheshin me dekret. Lordi britanik, me prirje të mira ndaj Bosnjës, u bë i paduruar. Pas bashkimit të administratave, procesi ngeci, megjithëse në përgjithësi mund të flitet ende për një moment historik në punën e paqes në Ballkan.

Inagurimi spektakolar i Urës së Vjetër të sapondërtuar - gurët që kishin rënë në lumin Neretva gjatë shkatërrimit të saj ishin ripërdorur sa më shumë që ishte e mundur - Princi Charles në korrik 2004 na dha një mundësi për ​​frymëmarrje më të lehtë. Në zgjedhjet lokale në fund të vitit 2004, një kryetar bashkie, kroati Ljubo Besliq nga partia HDZ BiH dhe boshnjaku Murat Coric nga SDA u zgjodhën si kryetarë të këshillit të qytetit. Sektorë të ndryshëm, disa prej të cilëve nuk janë përgjegjësi e qytetit, si shëndetësia, energjia elektrike dhe arsimi, kanë ende struktura të ndara etnikisht, gjë që shpesh i bën vëzhguesit të arrijnë në përfundimin se Mostari mbetet i ndarë. Në realitet, vërtet duhet t'u përgjigjemi pyetjeve: "A është i ndarë Mostari?" apo "është i bashkuar?" Çdo përgjigje ka më shumë gjasa të jetë "po, por...".

Mostar: Ura e rindërtuar
Ura e rindërtuar e MostaritFotografi: picture alliance/ZB

"Gara" e feve

Një spirale negative filloi në vitin 2008 kur Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi se sistemi i ndërlikuar zgjedhor i bazuar në një përfaqësim proporcional të tre grupeve etnike boshnjakë, kroatë dhe serb ishte diskriminues. Pamundësia e palëve për të bërë kompromis e bëri të pamundur që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës për dymbëdhjetë vjet. Gjatë kësaj kohe, presidenti aktual Besliq vazhdoi të drejtonte punët e qytetit me kompetenca të përkohshme. Nuk është për t'u habitur që shërbimet tashmë të dobëta të qytetit si mbledhja e mbeturinave, që të kujtojnë kaosin në Napoli, u bënë edhe më keq. Më në fund, në verën e vitit 2020, pas presionit të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, një vendimi të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe negociatave maratonë, HDZ dhe SDA ranë dakord për reforma. Si rezultat i zgjedhjeve, HDZ dhe SDA u bënë përsëri forcat më të forta dhe, si më parë, siguruan kryetarin e bashkisë dhe kryetarin e këshillit të qytetit.

Por fetë veprojnë në mënyrë polarizuese këtu. Që nga fundi i luftës, disa katolikë dhe myslimanë kanë qenë në një garë se kush mund të ndërtojë më shumë objekte fetare më të larta dhe më të mëdha. Rrënojat e Kishës Françeskane i hapën vendin një gjiganti çimentoje, një kulle kishe 107 metra e lartë, e cila është krejtësisht jashtë proporcioneve atje. Qëllimi ishte që kulla e kishës të ngrihej mbi çdo minare nga çdo kënd në qytet. Nga ana myslimane, u ndërtuan xhami, ndër tjera edhe me para nga gadishulli arab. Xhamitë janë pozicionuar kryesisht në udhëkryqe. Ndërsa "kurorëzimi” i provokimeve ndodhet në një udhëkryq në malin Hum, me një lartësi prej 33 metrash, që ndriçohet natën dhe "shtrihet” mbi qytetin e vjetër mysliman. Prej këtu, tanket kroate shkatërruan Urën e Vjetër gjatë luftës. Komuniteti i vogël serb asnjëherë nuk mori pjesë në këtë "garë” të çmendur.

Humbja e drejtuesve të luftës

Alexander Rhotert, politolog dhe ekspert për Ballkanin
Alexander Rhotert, politolog dhe ekspert për BallkaninFotografi: Privat

Trazirat jashtëzakonisht të dhunshme pas një ndeshjeje futbolli e sollën Mostarinnë prag të kolapsit në vitin 2006. Rreth 2000 nacionalistë kroatë donin të kalonin nga perëndimi i qytetit në pjesën lindore. Disa policë të zgjuar nga policia multietnike shpëtuan qytetin duke vendosur makinat e tyre patrulluese në mes të urës si bllokadë. Kështu ata e mbajtën turmën derisa erdhën njësitë speciale dhe i sprapsën kriminelët e dhunshëm.

Po të thyheshin barrierat e policisë, do të kishte një gjakderdhje. Atë natë dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri në bulevard. Patrullat nga policia dhe forcat paqeruajtëse e BE-së EUFOR/Althea janë shtuar. Veprimet e tyre profesionale e shpëtuan qytetin. Edhe falë udhëheqjes politike pajtuese të Besliqit dhe Qoriqit situata u qetësua për një kohë të gjatë. Pavarësisht granatimeve të mëvonshme të një xhamie me një raketë antitank, luftënxitësit humbën sepse refuzimi i një konflikti të ri ishte i qartë.

Megjithë vuajtjet që banorët e këtij qyteti magjepsës kanë përjetuar gjatë luftës dhe përmes ndarjes, situata është shumë më e mirë se në Mitrovicën e Kosovës, e cila për fat të keq, është tani qyteti më i ndarë në Evropë, ku serbët janë në veri ndërsa shqiptarët në jug të qytetit, e që jetojnë në dy botë të ndryshme dhe me një ndarje thuajse të plotë. Në këtë aspekt, bashkësia ndërkombëtare ka arritur shumë gjëra pozitive në Mostar.

Autor: Alexander Rhotert

Portret i një burri me një kostum me syze në një sfond të bardhë dhe bezhë
Alexander Rhotert poiltolog i specializuar në Ish-Jugosllavi/Ballkani Perëndimor