Roth: Gjermania do të investojë më shumë fonde në BP
18 Tetor 2023Kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin gjerman, Michael Roth foli para gazetarëve në Tiranë, në fillim të javës, (16.10) për situatën gjeo-politike në Europë dhe Ballkanin Perëndimor (BP) , për reformimin e politikave të zgjerimit dhe mbështetjen nga BE për vendet e rajonit në procesin e afrimit dhe hyrjes në BE.
"Lufta është rikthyer në Europë. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një rrezik i madh jo vetëm për Ukrainën por edhe për paqen, stabilitetin e gjithë kontinentit. Regjime të tilla si ato të Rusisë , Kinës apo Turqisë duan të destabilizojnë rajonin e BP. BE duhet të fokusohet në këtë rajon. Nëse kjo nuk ndodh aktorë të tjerë politikë do të mbushin mungesën e pranisë tonë. Kjo përbën një rrezik të madh”, tha ai.
Sipas Michael Roth, "liderët e shteteve anëtare të BE duhet të japin në BP sinjalin që do të marrin më shumë përgjegjësi për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe zbatimim e ligjit. Nuk është e thjeshtë të presësh që shtetet e BP të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë. Edhe ne, shtetet anëtare të BE, duhet të bëjmë detyrat tona,” theksoi ai në takimin me gazetarë në Tiranë.
Zgjerimi - instrumenti më i mirë për stabilitetin e BP
"Një BP në paqe dhe në stabilitet është në interesat tona nacionale dhe në ato të BE. Vendet e BP kanë një shans të vërtetë për t'iu bashkuar BE, sa më parë që të jetë e mundur. Zgjerimi është Instrumenti më i mirë për stabilitetin e BP. Ai nuk është një dhuratë bujare për shtetet e BP, por një proces i mbështetur në merita,” theksoi Michael Roth.
Ai tha se politika e zgjerimit të BE ka nevojë të reformohet pasi qytetarët e BP po humbasin durimin dhe ”duan të kenë përfitime të prekshme para hyrjes në BE. Ata nuk mund të presin që hyrja në BE të bëhet pas 10 apo 20 vitesh. Kjo nuk do të ishte përgjgja e duhur. BE ka humbur shumë nga besimi i tyre,” vuri në dukje ai.
Pyetjes së DW në Tiranë se ҫfarë mund të bëjë Gjermania më shumë se deri tani për të mbështetur afrimin e BP me BE, Michael Roth iu përgjgj: "Gjermania do të investojë më shumë para për të arritur rezultate të prekshme dhe të ofrojë më shumë kreativitet për ta bërë procesin e afrimit me BE më tërheqës”.
Situata në Europë dhe shqetësimet e mëdha
"BE është i vetmi ator global që mund të bëjë shumë më tepër për Europën Lindore dhe atë Juglindore. Ka hezitime në BE lidhur me Europën Lindore për shkak të frikës nga një konkurrim i ri: nga njëra anë Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e nga ana tjetër vendet e BP që kërkojnë të hyjnë në BE,” tha ai
Michael Roth theksoi se "e ardhmja e Ukrainës dhe e vendeve të tjera të Europës Lindore është në BE pasi ato ndodhen në zemër të Europës". "Kjo nuk do të thotë që shtetet e BP duhet të presin më gjatë. Duhen bërë të dyja. Nga njëra anë BE duhet të jetë më i dukshëm në Europën Lindore dhe nga ana tjetë duhet të mbajë premtimet ndaj rajonit të BP,” tha ai.
Lidhur me situatën në rajon Michael Roth theksoi shqetësimin e madh "për tensionet në vijim mes Serbisë dhe Kosovës". "Shpresoj që presidenti serb Aleksandar Vuçiq ta ketë marrë mesazhin që duhet të ndalojë menjëherë agresionin dhe përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës apo në Republikën Srbska”, theksoi ai.
Bllokimi i MV nga Bullgaria
Për situatën në Maqedoninë e Veriut Michael Roth vuri në dukje presionin ku ndodhet qeveria dhe qytetarët "për shkak të vetos së Bullgarisë që bllokon progresin në procesin e hyrjes në BE".
"Askush jashtë Bullgarisë nuk mund të kuptojë që një një vend multi kulturor, multi fetar si Maqedonia e Veriut, që ndryshoi edhe emrin e shtetit të saj, duhet të ndryshojë Kushtetutën për 3.500 qytetarë me background bullgar,” tha ai.
Mchael Roth i quajti "toksike” vetot kombëtare të shteteve anëtare të BE dhe "shkatërruese” të besimit. Por ai nuk dha ndonjë informacion nëse ka gjasa që në vend të vetos në Këshillin Europina vendimet të merren me votën e një maxhorance të kualifikuar.
Rritja e nacinalizmit
Michael Roth se në BE dhe BP ka rritje të nacionalizmit. "Alternativa ndaj një qeverie të qëndrës së majtë nuk është një qeveri e qëndrës së djathtë, por një qeveri nacionaliste. Shmangia e rritjes së nacionalizmit në BP është një sfidë për BE. Nacionalistët nuk besojnë kurrë në forcën dhe fuqinë tërheqëse të BE. Ata nuk ndajnë vlera të tilla si zbatimi i ligjit, pajtimi etj. Edhe në Gjermani nacionalizmi është një kërcënim i madh,” tha ai.