1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

Merkel uron Biden dhe ofron më shumë angazhim për sigurinë

9 Nëntor 2020

Kancelarja gjermane Angela Merkel e kishte uruar qysh në fundjavë Biden dhe Harris për fitoren. Të hënën, më 9 nëntor ajo doli në Berlin para medias, në një datë historike për Gjermaninë.

https://p.dw.com/p/3l33U
Nach der Präsidentenwahl in den USA
Fotografi: Michael Kappeler/picture alliance/dpa

Kancelarja Angela Merkel përgëzoi Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale të SHBA dhe në të njëjtën kohë bëri thirrje për aleancë të ngushtë transatlantike.  "Amerika është dhe do të mbetet aleati më i rëndësishëm i Gjermanisë," tha Merkel në deklaratën e saj për media, të hënën paradite, 9.11.2020, në Berlin. Ajo nënvizoi vlerat dhe interesat e përbashkëta të dy vendeve.

"Së bashku përballë sfidave"

"SHBA dhe Gjermania, si anëtare e BE-së, duhet të qëndrojnë së bashku për t'u bërë ballë sfidave të mëdha të kohës sonë",  tha Merkel duke numëruar krizën e shkaktuar nga koronavirusi, ngrohjen globale, terrorizmin ndërkombëtar, dhe luftën për një  "ekonomi të hapur botërore dhe tregti të lirë". Kjo është baza e mirëqenies në të dy anët e Atlantikut, tha kancelarja më tej. 

Merkel theksoi, se SHBA "me të drejtë" presin që Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane të marrin më shumë përgjegjësi dhe të bëjnë përpjekje më të mëdha për të ruajtur paqen dhe lirinë. Evropianët janë tashmë të vendosur në këtë rrugë, theksoi Merkel.

Urime për Harris

Merkel i uroi edhe një herë fituesit Biden dhe Harris pasi i  kishte uruar ata në fundjavë me anë të një mesazhi në Twiiter.  "Joe Biden ka dekada përvojë në politikën e brendshme dhe të jashtme. Ai e njeh mirë Gjermaninë dhe Evropën. Kujtoj me kënaqësi takimet dhe bisedat e mira me të", tha kancelarja gjermane Angela Merkel para medias.. 

Ajo uroi edhe Kamala Harris, "gruan e parë në postin e zëvendëpresidentes së  vendit". "Si grua dhe bijë e dy emigrantëve, ajo është një shembull dhe frymëzim për shumë njerëz".

Deutschland Berlin | Kanzleramt  | Merkel und Biden
"Joe Biden ka dekada përvojë në politikën e brendshme dhe të jashtme. Ai e njeh mirë Gjermaninë dhe Evropën. Kujtoj me kënaqësi takimet dhe bisedat e mira me të", tha kancelarja gjermane Angela Merkel. (Këtu në një foto nga viti 2013 në zyrën e saj në Berlin) Fotografi: Maurizio Gambarini/dpa/picture alliance

"Mirënjohëse përjetë"

Deklarata e kancelares gjermane fillimisht ishte parashikuar për të dielën pasdite, por  u shty për të hënën, 9.11.2020. Një ditë kjo e ngarkuar me simbolikë për Gjermaninë: Prandaj, edhe Merkel në fillim të prononcimit të saj për media, shfrytëzoi rastin të kujtonte dy ngjarjet më të rëndësishme, edhe për të kujtuar lidhjet historike të vendit  të saj me Shtetet e Bashkuara.

"Kjo ditë na kujton më të mirën dhe më të keqen e historisë sonë. Na kujton turpin e 9 nëntorit 1938, pogromet kundër bashkëqytetarëve hebrenj në të gjithë vendin, njerëzit që u dërguan drejt vdekjes, sinagogat që u dogjën, dyqanet që u shkatërruan. Ne përkujtojmë me ndjenjë turpi viktimat e krimeve kundër njerëzimit të bëra nga Gjermania, e Shoa-së,  por ne përkujtojmë edhe brohoritjet, gëzimin e ngazëllyer të njerëzve, kur këtu pranë, te Porta e Brandenburgut dhe përgjatë Murit të Berlinit, kjo ngrehinë e tmerrshme fillimisht u hap, e më pas u rrëzua", tha kancelarja. 

Merkel kujtoi se bashkimi i mëpasshëm i Gjermanisë, 30-vjetori i të cilit u festua më 3 tetor të këtij viti, nuk do të realizohej pa rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës:  "Unë do t'u jem mirënjohëse përjetë", tha ish-qytetarja e RDGJ-së, Merkel. 

Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA ishin vështirësuar shumë në kohën e qeverisjes së presidentit Donald Trump. Pas fitores së Biden-it, pothuajse të gjitha partitë në Gjermani  dhe vëzhguesit presin një çtensionim dhe përmirësim të dukshëm në shumë fusha.