1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Vendimi për referendumin ndan politikën

31 Korrik 2018

Më 30 shtator mbahet referendumi për emrin në Maqedoni. Por vendimi për mbajtjen e referendumit për emrin vlerësohet në mënyra të ndryshme nga politika në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/32MGt
Bundestagswahl Symbolbild Wahlurne Wahlzettel
Fotografi: picture alliance / dpa

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me 68 vota pro dhe asnjë kundër dhe as abstenim, pasditen e së hënës vendosi që më 30 shtator të këtij viti të mbahet referendumi për emrin, i cili do të jetë konsultativ. Pyetja e referundumit do të jetë "A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.

Deputetët e partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE para votimit braktisën sallën kuvendore. Dy amendamentet që u sollën nga opozita maqedonase VMRO-DPMNE-së nuk u pranuan nga shumica parlamentare.

VMRO-DPMNE: Pyetja e referendumit është manipuluese

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, Igor Janushev vlerëson se pyetja për të cilën qytetarët do të votojnë në referendum është manipulative dhe me dy kuptime.

"Pyetja duhet të jetë me një formulim dhe pa dyshime, në mënyrë që të mos hutojë qytetarët. Pyetja e propozuar nga shumica parlamentare është manipulative. Kjo është prova më e mirë se qeveria është e frikësuar nga populli. Marrëveshja me Greqinë është punë tjetër, kurse anëtarësimi në BE dhe NATO është punë tjetër. Zaev dhe LSDM vazhdojnë ta çojnë shtetin në krizë me pasoja të mëdha”, thotë Janushev.

Mazedonien Parlament in Skopje | Namensstreit mit Griechenland
Fotografi: picture-alliance/Anadolu Agency/B. Ademi

LSDM: Vendimi nuk është i lehtë-nuk ka zgjidhje tjetër

Në emër të deputetëve që e kanë propozuar këtë referendum ka folur Tomislav Tuntev deputet i LSDM-së. Sipas tij shpallja e referendumit është mundësi e qytetarëve që të shprehen për marrëveshjen. "NATO dhe BE janë alternativa e fundit, mundësi tjetër nuk kemi. Sot në këtë seancë ne e shkruajmë historinë dhe e krijojmë atë. Krijojmë kushte që shteti ynë të bëhet pjesë e shtëpisë evropiane dhe të marrë vlera evropiane”, ka deklaruar Tuntev.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes BESA Rexhep Memedi, gjatë fjalimit në Kuvend, u ka bërë apel qytetarëve maqedonas që ta mendojnë mirë çështjen e referendumit për emrin. ”Të nderuar bashkëqytetarë maqedonas, meqë ne e ndajmë tokën dhe qiellin e njëjtë, si shqiptar ju lutem që ta mendoni mirë vendimin për referendumin. Dua ta mendoni mirë të ardhmen e fëmijëve tuaj, kombit tuaj. Nën ombrellën e NATO do të jemi më të sigurtë”, ka thënë Memedi.

Deputeti Ziadin Sela ka deklaruar se partia Aleanca për Shqiptarët nga ku vjen ai, për shpalljen e referendumit do të votojnë të përmbajtur. "Për shkak se gjuha shqipe, edhe pse gjuhë zyrtare, nuk është përfshirë në marrëveshjen e emrit Maqedoni-Greqi, ne si Aleancë e Shqiptarëve do të votojmë të përmbajtur”, ka thënë Sela.

Deputeti Sela gjithashtu ka shprehur pakënaqësinë se pse opozita e vetme shqiptare është përjashtuar nga procesi negociues i përpilimit të marrëveshjes së emrit Maqedoni-Greqi. Aleanca për Shqiptarët numëron gjithsej dy vota në Kuvendin e Maqedonisë.

Zaev me apel për opozitën

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev i bëri thirrje opozitës ta mbështes referendumit dhe të bëjë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve. "Referendumi do të jetë konsultativ. Sërish e shfrytëzoj rastin që ta ftoj opozitën që të përfshihet, dhe t'i ftojë qytetarët që të dalin masivisht që të tregojnë qëndrimin e tyre. E dini se ky është vendim historik, jo vetëm se del nga referendumi, por për shkak se nëpërmjet tij definohet ardhmëria e Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Zaev.

Anëtari i Kishës Ortodokse Maqedonase mitropoliti Agatangell kërkon që VMRO-DPMNE-ja ta bojkotojë referendumin për çështjen e emrit. Me një letër të hapur drejtuar liderit të kësaj partie, Hristijan Mickoski ai shkruan se momentalisht nevojitet qetësi, inteligjencë dhe vendosmëri, duke theksuar se më i forti mund të na e marrë lirinë, por jo edhe dinjitetin.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut