Maqedoni e Veriut: Fillon regjistrimi i diasporës
2 Mars 2021Në Maqedoninë e Veriut ka filluar regjistrimit i popullsisë përkatësisht i personave që aktualisht jetojnë jashtë vendit, diplomatëve, ata që janë në vuajtjen e dënimit dhe personave të pastrehë. Ky proces do të zgjasë deri më 21 prill, kur edhe përfundon i gjithë procesi i regjistrimit, i cili për shtetasit që jetojnë brenda vendit do të fillojë më 1 prill. Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, shtetasit e lindur në Maqedoninë e Veriut por që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit kanë mundësinë e regjistrimit online duke filluar nga 1 marsi e deri në 21 prill. Deri më tani janë regjistruar mbi 10.000 qytetarë nga jashtë, kurse fushata vazhdon akoma thotë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski. Sipas tij procesi i regjistrimit online të diasporës po rrjedh pa ndonjë problem të theksuar. "Informatat e mija flasin se aplikacioni është funksional gjatë gjithë kohës dhe se mërgimtarët po regjistrohen. Qasja deri tek aplikacioni është shumë e thjeshtë. Nuk e di nëse ka probleme të theksuara, por në faqen tonë të gjithë mund të paraqiten në rast se kanë probleme. Kishte një problem me numrat e amzës të personave, që janë lindur pas vitit 2000 por tashmë ai është tejkaluar”, thotë Apostoll Simovski.
Mërgimtarët alarmojnë, kemi probleme
Shtetasit e Maqedonisë së Veriut që jetojnë jashtë shtetit kanë pasur një sërë ankesash, ata thonë se e kanë të pamundur regjistrimin e të dhënave. "Unë tentova të regjistrohem, në faqen e parë ku kërkohet numri i amzës, emri dhe mbiemri, kjo është krejt në rregull deri kur ta dërgojnë kodin në e-mail. Kur e marrim kodin në e-mail atëherë kemi probleme. Kur do të vazhdosh, aty ku klikon ruaj, procesi nuk vazhdon. Hapet ajo faqja e interneti, ku thotë nuk jeni të kyçur në internet. Ka probleme dhe shumë njerëz ankohen”, thotë Alisetar Ramadani nga Lidhja e diasporës shqiptare. Ai thekson se ka interesim të madh nga ana e mërgimtarëve për t'u regjistruar, por nënvizon se ka munguar një informim paraprak nga ana e shtetit.
Selami: Problemet do të mënjanohen, nuk ka vend për shqetësim
Zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës Ilmi Selami konfirmon se probleme ka pasur, por se ato janë evituar gjatë ditës. Sipas tij shtetasit që jetojnë jashtë vendit nuk duhet të shqetësohen, meqë ata do të kenë edhe një mundësi të dytë në rast se nuk arrijnë të regjistrohen përmes sistemit online.
"Mërgata ka edhe mundësinë e dytë të regjistrimit, do të thotë nëse nuk arrin të regjistrohen online për shkak të pengesave të natyrave të ndryshme, të dhënat e tyre mund t'ia japin ndonjë të afërmi të tyre që jeton në Maqedoninë e Veriut, i cili gjatë periudhës prej 1 prill deri më 21 prill do të mund të regjistrojë dhe të afërmit e tyre që nuk jetojnë në vend”, sqaron zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës Ilmi Selami.
VMRO-DPMNE: Jemi kundër regjistrimit me ngjyrim politik
Partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE pretendon se regjistrimi nuk është proces statistikor por politik, duke akuzuar partitë në pushtet për kurdisjen e rezultatit sa i përket përqindjes së popullatës, në veçanti asaj shqiptare. Kjo parti ka siguruar 100.000 nënshkrime kundër procesit të regjistrimit të popullsisë.
"Qytetarët dhanë nënshkrimet e tyre për një regjistrim të vërtetë dhe europian, në kundështim me atë që dëshiron ta organizojë qeveria, në një mënyrë të dhunshme, me qëllim politik. Qytetarët kanë vendosur. Ata nuk duan regjistrim politik, duan regjistrim si një operacion statistikor”, thotë Gjorgji Sajkoski sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.
Nga Enti i Statistikave vlersojnë se Ligji për regjistrimin e popullsisë dhe metodologjia për zbatimin e tij janë hartuar në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe se këtë e kanë konfirmuar edhe përfaqësues të lartë të Eurostat-it.