1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni e Veriut: Bllokim i punës së Kuvendit

14 Mars 2021

Shumica e brishtë parlamentare dhe mungesa e opozitës në sallën e Kuvendit së fundmi ka penguar miratimin e 68 ligjeve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

https://p.dw.com/p/3qZfZ
Parlament in Skopje Mazedonien Umbenennung zu Republik Nordmazedonien
Fotografi: Reuters/T. Georgiev

Partitë opozitare shqiptare ASH-Alternativa kanë vendosur që me qindra e mijëra amandamente të vazhdojnë të pengojnë miratimin e ligjeve, pasi insistojnë për dakordim me shumicën rreth propozim ligjit të tyre për shtetësi. Koordinatori i grupit parlamentar të koalicionit opozitar Skender Rexhepi-Zejdi thotë se opozita është e interesuar  që të zgjidhet bllokada e punës së Kuvendit por me një marrëveshje të përbashkët. Nuk është me rëndësi mënyra dhe nga kush zgjidhet bllokada, por se qenësore për ata është që qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre për shtetësi, thotë Rexhepi.

"Për ne është me rëndësi të zgjidhet çështja e shtetësisë, kjo mund të bëhet me marrëveshje në kuadër të Kuvendit, por mund të bëhet edhe më takim liderësh. Për ne është me rëndësi që qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre për shtetësi”, thotë Rexhepi.

Integristët të interesuar për zhbllokimin e Kuvendit

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti është shprehur i gatshëm të ulet dhe të bëjë kompromis me opoziten shqiptare për ta debllokuar punën e Kuvendit. Sipas tij shumica parlamentare është stabile, Kuvendi po funksionon, por ka disa ligje që janë bllokuar në komisione të cilat drejtohen nga opozita.

Mazedonien Demokratische Union für Integration - Ali Ahmeti
Ali AhmetiFotografi: DW/P. Stojanovski

"Shumica parlamentare është stabile nuk ka asnjë shqetësim. Disa ligje janë bllokuar në komisione të cilat drejtohen nga opozta, kjo nuk është mirë, ligjet duhet të miratohen. Ne jemi të hapur, në demokraci postulat kryesor është negociata, kompromisi, dialogimi, asnjëherë nuk i shmangemi këtij postulati”, është shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Zaev: Nëse është nevoja do të zhvillojë takim liderësh

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, ka shprehur gatishmëri për mbajtjen e një takimi të liderëve të partive parlamentare. Përveç partive në opozitë, ai ka thënë se është i gatshëm të ulet edhe me partitë më të vogla të përfaqësuara në Kuvend për të tejkaluar të gjitha dallimet dhe mosmarrëveshjet.

"Amendamentet e opozitës kanë bllokuar punimet e Kuvendit. Kuvendi është vend ku duhet të bisedohet dhe zgjidhen mosmarrëveshjet, në rast se ka nevojë për takim liderësh edhe atë do ta bëj, do të thërrasë takim liderësh, edhe me opozitën maqedonase edhe me opozitën shqiptare. Bllokimi i Kuvendit dëmton interesat e qytetarëve, këtë nuk duhet ta lejojmë”, është shprehur kryeministri Zaev.

Nord-Mazedonien PK Premierminister Zoran Zaev
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela e kundërshton takimin e liderëve, sipas tij zhbllokimi i ligjeve do të bëhet vetëm në rast se zhbllokohet ligji për shtetësi.

"Nuk mendoj se ka nevojë për takim liderësh. Nuk e di pse duhet të ketë nevojë për një gjë të tillë. Le të hiqet bllokimi për ligjin për htetësi , atëherë edhe ne e bëjmë të njëjtën”, ka thënë Sela.

Me kushtëzime nuk zgjidhen mosmarrëveshjet

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev po përballet me mungesën e numrave në Kuvend në miratimin e ligjeve. Thirrja e kryeministrit Zoran Zaev për një takim liderësh në të cilin do të kërkohej një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në Kuvend dhe shqyrtimin e mundësisë për një qeveri të zgjeruar, nuk mund të japë rezultate konkrete, vlerësojnë analistët.

Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë në të cilën ka një pushtet të dobët dhe një opozitë akoma më të dobët, thotë analisti Agim Jonuz.

"Nuk besoj se kryeministri Zaev ka qëllime fisnike për të ndihmuar vendin duke e përfshirë opozitën në qeveri, më shumë besoj se Zaev kërkon bashkëpjesëmarrës për përgjegjësinë e tragjedisë aktuale, e cila rritet çdo ditë e më shumë”, thotë Agim Jonuz.

Analisti Mersel Bilalli thotë se faktorë relevantë të huaj janë të mendimit se qeveria nuk ka kapacitet t'i çojë përpara ligjet kryesore reformuese, dhe aq më pak t'i zbatojë të njejtat. Sipas tij vendi do të fitojë një qeveri ekspertësh dhe se nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

"Jemi në prag të zhvillimeve interesante që do të ndodhin gjatë muajve të ardhëshëm. Faktori i jashtëm do të dalë me ofertë serioze për një qeveri të zgjëruar ekspertësh, por me mbështetje të politikës vendore”, thotë Bilalli.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut