1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Makina ime e re është një spiun

1 Dhjetor 2023

Makinat ruajnë të dhënat e shoferit të paktën çdo dy minuta. Kjo u zbulua nga studimi i ADAC. Çfarë saktësisht memorizojnë ato?

https://p.dw.com/p/4ZWcG
Makina e James Bond 007
Makina një vend i sigurt?Fotografi: Tim Scott/dpa/picture alliance

"Makinat moderne në thelb i dinë të gjitha për pronarët e tyre", thotë Volker Ludemann, drejtor i Qendrës për Mbrojtje dhe Shkencë në Saksoni si dhe Shërbimet Postare në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Osnabrück, duke përmbledhur gjendjen e njohurive për automjetin tonë, në një deklaratë për tagesschau24.

Deri në 150 sensorë janë instaluar në makinat moderne. Ata registrojnë sjelljen e drejtimit, numrin e personave në ulëset e makinës, nivelin e përshpejtimit të makinës; Ata njohin shijen muzikore të shoferit, njohin gabimet e drejtimit dhe përcaktojnë vendndodhjen e mjetit. Me këtë thesar të dhënash, prodhuesit kanë njohuri të shumta për shoferët dhe automjetet: Pra, makina është bërë një spiun për para?

Çfarë ndodh me të dhënat?

Disa të dhëna janë përdorur prej vitesh për të lexuar gabimet në ofiçinat mekanike. Në disa raste, mbledhja e këtyre të dhënave kërkohet me ligj - për shembull, për të monitoruar pajtueshmërinë me standardet e emetimeve të gazrave duke regjistruar sa karburant konsumon një automjet i caktuar. Prej verës së vitit 2022, makinat e reja të regjistruara duhet të pajisen edhe me pajisje për memorizimin e të dhënave për aksidentet.

"Vëzhgimet individuale mund të jenë të padëmshme në vetvete, por nëse të dhënat grumbullohen, kombinohen dhe vlerësohen, mund të çojnë në shkelje serioze të privatësisë," shpjegon Ludeman, duke përdorur shembullin kur të dhënat e personave në makinë kombinohen me destinacionet e drejtimit.

"Nëse pesha në ulëse rritet vazhdimisht gjatë një periudhe nëntëmujore dhe bëhen vizita të shpeshta në dyqanin me mallra për fëmijë, atëherë kushdo që ka akses në këto të dhëna e di se "këta shoferë dhe familjet e tyre po përballen me ndryshime të mëdha në situatën e tyre të jetës."

Makinat moderne mbledhin edhe të dhënat
Makinat moderne mbledhin edhe të dhënatFotografi: Uwe Lein/dpa/picture-alliance

Kush ka të dhënat, ka përparësi

Drejtuesit e makinave zakonisht nuk e dinë se kush ka cilat nga të dhënat e tyre dhe çfarë ndodh me to. "Shumica e këtyre të dhënave ruhet në serverët e prodhuesit," shpjegon Ludeman. "Ata vendosin se kush i merr të dhënat." Për momentin, vetëm prodhuesit e makinave kanë qasje dhe mund të përdorin të dhënat. Dhe ata e bëjnë këtë. E kushdo që ka akses në të dhënat, bën biznes me to. Sipas Ludeman, nuk ka të bëjë kjo vetëm me të dhënat e pasagjerëve: thirrja e urgjencës në territorin e BE-së, e ashtuquajtura E-Call, bën automatikisht një thirrje urgjence kur hapet airbag-u. "Nëse automjetet janë të lidhura me sistemin E-Call, thirrja e urgjencës nuk shkon në numrin e urgjencës 110 apo 112, por në numrin e prodhuesit. Më pas ata vendosin se cili shërbim për ndihma do të angazhohet dhe cila punëtori e automekanikëve merr urdhrin e riparimit”.

Miliarda në injorancën e klientëve

Kjo gjithashtu sjell në lojë kompanitë e sigurimeve. Nëse kompania e sigurimeve njoftohet menjëherë në rast aksidenti, ajo mund të përcaktojë se cilat shërbime mund të ndihmojnë në menjanimin e makinës nga rruga, ku duhet të dërgohet etj. Dhe kështu kursejnë shumë para por mund të vendosin edhe për hapat e tjerë ndaj shoferëve.

Mundësitë me mbledhjen e të dhënave janë aq të mëdha sa që hapin oreks për më shumë. Këtu ka një betejë midis prodhuesve të makinave, shërbimeve të urgjencës, kompanive të programeve kompjuterike, garazheve, spitaleve dhe kompanive të sigurimit. Ata e kanë kuptuar se mund të kenë përfitime edhe nga mosdija e klientëve.

Sipas firmës konsulente McKinsey, rrjetëzimi i automjeteve dhe përdorimi i të dhënave nga makinat kanë potencial të madh ekonomik. Në përgjithësi, prodhuesit, furnitorët dhe ofruesit e shërbimeve mund të presin të fitojnë rreth 400 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2030, kur 95 për qind e të gjitha automjeteve do të jetë i lidhur në rrjet. 250 miliardë dollarë mund të përfitohen nga shitjet, si dhe 150 miliardë dollarë shtesë në kursime të mundshme.

Kush i mban këtë të dhëna?

Jeta jonë e përditshme po rrjetëzohet gjithnjë e më shumë - lodrat, tosterët dhe frigoriferët janë "të zgjuar". Por kush i zotëron të dhënat? Konsumatorët zakonisht supozojnë se kanë të drejta për të dhënat që gjenerojnë, duke përfshirë edhe të dhënat nga makinat. "Në realitet, të drejtat se kush zotëron të dhënat janë të paqarta”, thotë Ludeman.

Të dhënat ende i përkasin prodhuesve. Por ligji i ri i lejon përdoruesit të përcaktojnë për herë të parë nëse dhe në çfarë mase palët e treta kanë akses në të dhënat e tyre – dhe për çfarë qëllimi. Akti i të dhënave të BE-së, që do të hyjë në fuqi në 2025, do të rregullojë se kur kompanitë dhe individët privatë mund të marrin dhe të ndajnë informacion nga pajisjet në rrjet. Në të njëjtën kohë, duhet të parandalohet transferimi i paligjshëm i të dhënave. "Në një farë kuptimi, kjo është një rregullore që ka kuptim," shpjegon Ludeman.

Inteligjenca artificiale - cilat do të jenë pasojat?
Inteligjenca artificiale - cilat do të jenë pasojat?Fotografi: Oliver Killig

Por shumë kompani hezitojnë të rrisin mbrojtjen e të dhënave, thotë Mihael Hajze. "Ju mund të matni se sa vlen mbrojtja e të dhënave për dikë, gjë që është sigurisht shumë e rëndësishme." Megjithatë, Hajze thekson se do të kishte edhe disavantazhe ekonomike, nëse rregullat do të ishin shumë strikte. "Për momentin ne jemi paksa shumë kufizues."

Kritika ndaj përfaqësuesve të konsumatorëve dhe ADAC

Prodhuesit gjermanë të automjeteve si BMW tregojnë për pajtueshmërinë me rregulloret ligjore dhe se klientët mund të rregullojnë vetë gjërat e privatësisë. Por kjo nuk mjafton për ADAC. Shoqata kërkon që shoferët të dinë se çfarë të dhënash nga makina e tyre mblidhen, ruhen dhe vlerësohen, se duhet të jenë në gjendje të çaktivizojnë përpunimin dhe përcjelljen e të dhënave dhe të vendosin vetë se kush ka akses në të dhënat për automjetin e tyre.

Ligji i planifikuar nuk shkon aq larg as për përfaqësuesit e konsumatorëve. Ata duan rregullim më të qartë në nivel të BE-së. Eksperti i digjitalizimit Roland Fige thotë se kompanitë përdorin të dhëna edhe për të përmirësuar shërbimet dhe produktet. Por për tagesschau24 ai gjithashtu thekson: "Duke hequr dorë vullnetarisht nga të dhënat dhe në thelb duke paguar me të dhëna, ne gradualisht po humbasim sovranitetin mbi të dhënat tona".

Përfundimi: Aktualisht, ka mungesë të zgjidhjeve praktike për ndikim më të madh në të dhënat që mbledh automjeti juaj. Dhe kështu makina është dhe mbetet jo vetëm "fëmija i preferuar i gjermanëve”, por edhe një thesar për mbledhësit e të dhënave.

Autorë: Melanie Bef, Antje Erhard dhe Konstantin Roze, ekipi redaktues financiar i ARD-së