1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ngrënia e gomave të makinave problem i madh për mjedisin

26 Tetor 2023

Mijëra tona mikroplastikë që krijohen nga fërkimi i gomave të makinave me rrugën përfundojnë në ajër duke e ndotur atë. Goma që nuk hahen do kohë që të prodhohen. Por mundësi për ta ulur sasinë e fërkimit të gomave ka.

https://p.dw.com/p/4XvSp
Goma dhe rrota makinash
Ngrënia e gomave të makinave problem i madh për mjedisinFotografi: ronstik/PantherMedia/picture alliance

Ky është një kryqëzim në qendër të Berlinit. Kur drita e semaforit bëhet e gjelbër, makinat që janë duke pritur japin gaz, rrisin shpejtësinë, rrotat rrotullohen mbi asfalt. Gati pa u vënë re në rrugë dhe në ajër mbetet një përzierje pjesëzash plastike, lëndësh shtesë dhe asfalti, që krijohen nga fërkimi i gomave të makinave me rrugën. 110 mijë tonë të tilla prodhohen çdo vit në Gjermani. Kur të bjerë shiu i parë, pluhuri që nuk është marrë nga era, do të përfundojë në rrëkenë më të afërt të ujit. Prej andej pjesëzat plastike përfundojnë në lumenj, tokë dhe ujrat detare.

Automjete në Berlin - rrugë e mbingarkuar me trafik
Në Berlin ka 1,24 milionë automjeteFotografi: Annette Riedl/dpa/picture alliance

Berlini ka dhënë leje qarkullimi për 1,24 milionë automjete të vogla

, numri i tyre është rritur vazhdimisht vitet e fundit. Megjithëse numri i automjeteve që punojnë me energji elektrike është rritur, duke arritur në 24 mijë në Berlin, problemi i fërkimit të rrotave të makinave nuk është bërë më i vogël. Meqenëse automjetet elektrike janë më të rënda në peshë, ato prodhojnë edhe më shumë pluhur plastik nga fërkimi i rrotave.

Qindramijëra tonë mikroplastikë nga ngrënia e gomave

Ndërmarrja Emission Analytics thotë se për lëndët e dëmshme nuk flitet. "Çdo vit sasia e lëndëve të dëmshme që dalin nga shkarkuesi i gazrave të makinës po ulet, kurse sasia e lëndëve të dëmshme që dalin nga gomat po rritet, sepse makinat po bëhen gjithnjë e më të rënda", shpjegon Nick Molden, themeluesi i Emission Analytics në një intervistë për Deutsche Wellen.

Goma makine
Qindramijëra tonë mikroplastikë nga ngrënia e gomaveFotografi: Mint Images/IMAGO

500.000 tonë mikroplastikë që krijohen nga ngrënia e gomave çdo vit përfundojnë në mjedis, në gjithë botën kjo shifër është 6,1 milionë tonë. Në çdo frenim frenash, rritje shpejtësie dhe ecje rrotat humbasin në substancë, dhe në fund "të jetës” përfundojnë me katër kilogram më pak se në fillim të jetës. Çfarë duhet bërë për ta luftuar këtë gjë?

"Nuk është puna se ne mundohemi ta anashkalojmë problemin, ose ta vlerësojmë si të parëndësishëm. Kjo temë ekziston dhe është e qartë se fërkimi i gomave është i pashmangshëm. Ndërkohë të gjithë e kanë të qartë se ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm," thotë Daniel Venghaus. Ai është shkencëtar në Universitetin Teknik të Berlinit (TU) dhe merret me projektin Urbanfiltër, një nga shumë projektet që kërkon të zvogëlojë fërkimin e gomave. Ky problem mund të mposhtet vetëm duke bashkëpunuar me të tjerët, shpjegon Venghaus, krah shkencës dhe kërkimit për të ulur fërkimin e rrotave duhet vënë para përgjegjësisë edhe industria.

Një rol të rëndësishëm përveç kësaj, shton ai, luajnë ndërmarrjet shtetërore të ujrave, të manaxhimit të qytetit si dhe urbanistët e rrugëve dhe transportit, dhe së fundi edhe shoferët e makinave mund të bëjnë diçka duke u dhënë makinave në mënyrë jo agresive, ose duke mos i përdorur makinat fare, por duke përdorur autobusët dhe tramvajet.

Goma që nuk fërkohen nuk do të ketë hë për hë

Prodhuesi i gomave të makinave "Michelin" e lufton këtë problem duke prodhuar goma që jetojnë gjatë. Ngrënia e gomave ka arritur të ulet kështu me pesë përqind, shpjegon Cyrille Roget në intervistë me Deutsche Wellen. Roget është drejtor shkencor dhe drejtor komunikimi tek Michelin. "Por ne deri më sot nuk e dimë, si mund ta prodhojmë një rrotë që të jetë e sigurt, të përballojë rrugën dhe njëkohësisht të mos prodhojëemisione plastike." Aktualisht është duke u punuar për të gjetur materiale ricikluese ose zëvendësuese për përzirjet kimike që përdoren për gomat. 

Projekti Blackcycle Goma të ricikluara
Goma të ricikluara që jetojnë gjatëFotografi: Michelin

Një gomë makine përbëhet nga kauçuk sintetik, lëndë mbushëse dhe shtesa kimike. Shtesa kimike me emrin 6PPD kujdeset për rritjen e sigurisë. Kur pjesëzat plastike që prodhohen nga fërkimi i gomave përfundojnë në lumenj, shtesa 6PPD oksidohet dhe kthehet në lëndë të fortë helmuese për salmonët e argjendë. 6PPD përfundon po ashtu në gjethet e sallatës. Këtë kanë mundur ta dëshmojnë shkencëtarët në Universitetin e Vjenës gjatë një analize laboratorike, rezultatet e të cilës u publikuan këtë vit në revistën shkencore, Environmental Science & Technology. Që sallata merr lëndë helmuese edhe kur rritet në fushë të hapur, e kanë treguar analizat e revistës zvicerane të konsumatorëve, K-Tipp. Sallata dhe peshqit janë dy shembuj, që tregojnë se si pjesëzat plastike të prodhuara nga fërkimi i gomave mund të përfundojnë direkt në zinxhirin e lëndëve tona ushqyese.

Cyrielle Roget nuk mendon se shpejt do të gjendet një lëndë tjetër që të zëvendësojë 6PPD. "Puna kërkimore kushton shumë para, sepse para se të bëhet zëvendësimi i një materiali, duhet të jemi të sigurt se materiali i ri nuk është helmues për llojet e tjera të kafshëve, ose se siguria e gomave nuk ka rënë,” thotë Roget.

Sisteme filtrimi dhe makina që nuk dëmtojnë ambientin

Deri sa të vijë dita që të prodhen goma që nuk hahen, duhen gjetur zgjidhje të tjera për të zbutur këtë problem sa më shumë të jetë e mundur. Në shkencë dhe në fushën kërkime këto zgjidhje fillojnë që nga ato të thjeshtat dhe praktiket e deri tek idetë që nuk janë të zbatueshme. Kështu për shembull prototipi Zero Emission Drive Unit Generation 1, me arka të mbyllura gomash, krijuar nga Qendra gjermane e aviacionit dhe fluturimit në hapësirë, do të ndërtohet vetëm pas disa vitesh, megjithëse ai mundëson lëvizjen pa prodhuar fare lëndë të dëmshme. Kjo nuk ka të bëjë me mungesën e interesimit, thotë drejtuesi i projektit, Franz Philipps, por ka të bëjë me mungesën e shifrave të vlerat kufitare të fërkimit të gomave në BE. 

Britani e Madhe: Startup-i Tyre Collective
Firma londineze Start-up, Tyre Collectives, Fotografi: Tyre Collective

Firma londineze e llojis Start-up, firma Tyre Collectives, i ka vënë vetes si detyrë që të kapë pjesëzat plastike që prodhohen nga fërkimi i gomave që në origjinë. Një pajisje e posaçme vendoset kështu direkt në skaj të gomave. Në faqen e internetit Tyre Collective informon se modeli është provuar për herë të parë në një fazë pilot në vitin 2021. Sa realiste do të jetë përdorimi i tyre nga të gjithë, pritet të shihet.

Daniel Venghaus mundohet ta luftojë këtë problem me një projekt të përbashkët me Fondacionin ambientalist të Audi-t, duke punuar me ujrat e zeza, më mirë me thënë me kanalet e rrugës. Për këtë janë provuar dhe zhvilluar variante të ndryshme filtrimi. Ato vendosen në kanalet që ndodhen në pikat e nxehta ku prodhohen shumë pjesëza plastike nga fërkimi i rrotave, përshembull në kryqëzimet brenda qytetit dhe në kthesa. Kështu ka qenë e mundur të filtrohet 66 përqind e pjesëzave të plastikës, kanë treguar provat model që janë bërë. Në provat që janë bërë në fusha, filtrat e vendosura në kanalet e rrugës kanë mbajtur tre herë më shumë llum, që të mos përfundojë në lumenj dhe në tokë. Ky projekt përfundon në korrik të 2024-ës. Por Venghaus do të vazhdojë ta mbajë ujin të pastër, prandaj planet janë për të krijuar një firmë jofitimprurëse për sistemet e filtrimit.

Zgjidhja më radikale e të gjithave

"Sistemet e filtrimit,” thotë Thilo Hofmann nga Universiteti i Vjenës, "janë zgjidhja më e lehtë për industrinë, sepse në fund të fundit ata që paguajnë janë komunat dhe taksapaguesit. Ajo që na duhet urgjentisht janë zgjidhjet ekologjike për shtesat plastike, që nuk janë toksike.” Hofmann kryeson kërkimet që bëhen në Vjenë për të studiuar efektet e fërkimit të gomave tek sallata.

Për efektin toksik të fërkimit të gomave është duke u diskutuar aktualisht shumë në Bruksel. Bashkimi Europian kërkon që me normën 7 europiane, të vendosë vlera fiks mnaksimale për fërkimin e gomave. Si do të jenë këto norma, për këtë janë duke u zhvilluar ende diskutime. Përveç kësaj nevojitet një proces i standartizuar për të matur fërkimin e gomave. Prodhuesit e gomave kanë zhvilluar në nivel ndërkombëtar një metodë për këtë gjë.

Dhe ekziston po ashtu mënyra më e papërshtatshme politike për të ulur fërkimin e gomave, thotë në fund të bisedës Thilo Hofmann. Kjo zgjidhje do të përdoret në transportin individual. Në fakt kjo duhet reduktuar shumë. Logjika e thjeshtë është: një gomë që nuk rrotullohet, nuk fërkohet me rrugën dhe nuk prodhon pjesëza plastike.