1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse dështuan planet ruse në Ukrainë?

28 Dhjetor 2022

Para pushtimit të Ukrainës shumë parashikonin një fitore të shpejtë për Rusinë. Por doli ndryshe. Ukraina po reziston në të gjitha fushat me sukses. Po pse?

https://p.dw.com/p/4LQie
Ukraine-Krieg - Irpin
Fotografi: Laurel Chor/SOPA Images via ZUMA Press Wire/dpa/picture alliance

Kur Rusia grumbulloi trupat e saj përgjatë kufirit me Ukrainën rreth një vit më parë, shumë ekspertë dhe politikanë në Perëndim besuan se Kievi në rast invazioni do të binte brenda disa ditësh. Edhe Rusia ishte e bindur për këtë. Agresioni filloi, trupat ruse përparuan dhe erdhën deri në periferi të kryeqytetit në ditët e para të luftës. Por ato u ndaluan nga ushtria ukrainase dhe u detyruan të tërhiqen. Gjykimet e gabuara ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Presidenti rus Vladimir Putin nuk e pranon drejtpërdrejt këtë, por në fillim të dhjetorit përgatiste vendin e tij për një luftë të gjatë.

Rusia nuk e ka supremacinë ajrore

Bormbardimet e avionëve rusë Sukhoi Su 25
Bormbardimet e avionëve rusë Sukhoi Su 25Fotografi: DIMITAR DILKOFF/AFP/Getty Images

Ka shumë gjëra që janë pritur në fillim të shkurtit të vitit 2022, por nuk janë realizuar. Rusia priste të shkatërronte shumë shpejt si forcat ajrore të Ukrainës ashtu edhe mbrojtjen ajrore dhe në këtë mënyrë do të kishte një mbizotërim të plotë ajror. Arsyeja për këtë supozim mund të ketë qenë përvoja në lindje të Ukrainës. Kur shpërtheu lufta në Donbas, në vitin 2014, në të cilën Rusia ka mohuar se është e përfshirë, Ukraina humbi shumë avionë dhe helikopterë në muajt e parë dhe më pas nuk përdori avionët dhe helikopterrët e mbetur. Forcat ajrore të Ukrainës u eliminuan praktikisht.

Por gjendja është krejtësisht ndryshe prej ndërhyrjes në shkurt. Lajmi i Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë më 28 shkurt, sipas të cilit Rusia kishte sovranitet ajror mbi të gjithë territorin e Ukrainës, rezultoi i rremë. Forcat ajrore ruse janë superiore ndaj atyre ukrainase për nga numri dhe teknologjia. Por pavarësisht sulmeve të shumta me raketa në aeroportet ushtarake dhe në front, Ukraina ka ende avionë luftarakë dhe helikopterë të paprekur. Ndërkohë që mbrojtja ajrore e Ukrainës po forcohet.

Sipas burimeve ukrainase, Rusia ka humbur qindra avionë dhe helikopterë që nga fillimi i luftës. Ky informacion nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur. Megjithatë edhe shërbimet sekrete perëndimore njoftojnë për humbje të mëdha të forcave ajrore ruse. Ajo është e kufizuar tani në vijën e frontit dhe nuk bën më aksione thellë në brendësi të vendit. Në vend të kësaj, Rusia po përdor gjithnjë e më shumë dronë dhe raketa, të cilat po zbulohen dhe rrëzohen gjithnjë e më suksesshëm nga mbrojtja kundërajrore e Ukrainës. Kjo duke i falënderuar në radhë të parë ndihmës perëndimore.

Humbjet e Flotës në Detin e Zi  

Rusia është qartësisht superiore ndaj Ukrainës edhe në det. Në vitin 2021, Moska trajnoi dy herë zbarkimin e trupave në Krimenë e aneksuar. Kjo ngjalli frikën se Rusia do të nisë një ofensivë në jug të Ukrainës drejt Odesës dhe do të zbarkonte me anije luftarake formacione të mëdha trupash, duke përfshirë edhe automjetet luftarake të shumta të blinduara. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani, ndërsa ekspertët nuk e parashikojnë këtë për momentin. "Zbarkimi amfib është shumë i rrezikshëm”, tha për DW eksperti britanik Marc de Vore nga Universiteti i St Andrews. "Kjo kërkon një epërsi të madhe." Me sa duket, Rusia ka kërkuar mundësi të ndryshme për zbarkim, por nuk ka gjetur mënyrën më të përshtatshme, sepse nuk ka gjetur anjë "plazh të pambrojtur".

Flota ruse ndër humbësit më të mëdhenj në Sevastopol
Flota ruse ndër humbësit më të mëdhenj në SevastopolFotografi: DePo/YAY Images/IMAGO

Në fillim të invazionit, Rusia grumbulloi anije luftarake në Odesa. Në atë kohë, trupat ruse arritën të pushtonin ishullin e vogël dhe strategjik të Gjarprit në jugperëndim të Odesës. Por në fund të qershorit Ukraina arriti t'i largojë trupat ruse nga atje, përmes sulmeve të sakta artilerike.

Flota ruse në Detin e Zi ka qenë deri tani një nga humbësit më të mëdhenj të luftës. Anija Moskva, u godit nga raketat ukrainase në prill, u dëmtua dhe më vonë u fundos. Më herët, në mars, anija Saratov u godit nga një raketë ukrainase në portin e Berdyansk dhe më pas u fundos. Rezultati: Anijet luftarake të Flotës së Detit të Zi po mbajnë tani një distancë më të madhe nga bregu, i cili kontrollohet nga Kievi. Ato nuk janë më të sigurta as në bazën e Sevastopolit. Ukraina sulmoi si bazën ashtu edhe anijet atje me dronë. Megjithatë, Flota e Detit të Zi nuk është jashtë veprimit. Anijet e tyre vazhdojnë të sulmojnë Ukrainën me raketa me rreze të gjata - nga një distancë e sigurt.

Anija ruse Moskva, e fundosur nga forcat urkrainase
Anija ruse Moskva, e fundosur nga forcat urkrainaseFotografi: Vasily Batanov/AFP/Getty Images

Si pasojë, Rusia braktisi bllokadën detare të porteve të Ukrainës. Zyrtarisht, për të bërë të mundur marrëveshjen e drithit të ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB. Pas sulmit ndaj anijeve luftarake ruse në fund të tetorit, Moska u tërhoq nga marrëveshja - dhe më pas u kthye prapë. Sipas Moskës, Kievi ka dhënë "garanci" se flota e Detit të Zi nuk do të sulmohet nga një "korridor" i caktuar.

Sulmet kibernetike

Më në fund, para agresionit ekzistonte frika se Rusia do të paralizonte Ukrainën me sulme masive kibernetike të hakerëve. Frika ishte e arsyeshme, sepse Ukraina ka qenë objektiv i sulmeve të përsëritura dixhitale prej vitesh. Rreth një javë para pushtimit rus, më 15 shkurt, ndodhi një sulm masiv i hakerëve, të cilin ministri përgjegjës ukrainas Myhajlo Fedoriv e përshkroi si "sulmi më i madh DDoS në historinë e Ukrainës". Sulmet DDoS janë kërkesa artificiale në internet që mbingarkojnë serverët e uebit të viktimës. U sulmuan disa banka dhe Ministria e Mbrojtjes. Gjithashtu një ditë para pushtimit pati sulme të hakerëve ndaj strukturave qeveritare dhe parlamentit, për të cilat mendohet se kanë ardhur nga Rusia.

Por Kievi dukej se ishte i përgatitur mirë. Sulme të hakerëve ka pasur edhe më vonë, por ndryshe nga vitet e mëparshme, ato ishin më pak të suksesshme. Sidoqoftë, pjesë të infrastrukturës kritike, siç është rrjeti elektrik, nuk janë ndërprerë nga sulmet e hakerëve, por nga sulmet me raketa.

Sulmet kibernetike
Sulmet kibernetikeFotografi: Kacper Pempel/REUTERS

Edhe në këtë rast, ka rezultuar me sukses fakti që Perëndimi e ka ndihmuar Ukrainën për të forcuar mbrojtjen e saj kibernetike për vite me radhë. Për shembull, disa ditë para pushtimit, BE-ja i ka vënë në dispozicion Ukrainës, Ekipin e Reagimit të Shpejtë Kibernetik (CRRT) me kërkesë të Kievit. Tani për tani, duket sikur lufta kibernetike e Rusisë po përjeton ngecje sikur edhe lufta në fushëbetejë. Megjithatë, ekspertët perëndimorë presin gjithnjë e më shumë sulme hakerësh në muajt e dimrit.