Fundoset anija ruse "Moskva"
15 Prill 2022Anija raketëmbajtëse ruse "Moskva" është fundosur. Informacionin e kanë konfirmuar edhe burimet ruse. Anija kryesore e Flotës ruse në Detin e Zi u fundos gjatë një stuhie, thuhet në kumtesën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, të lëshuar të enjten në mbrëmje. Teksa anija po tërhiqej drejt një porti, ajo humbi "stabilitetin” dhe u fundos në det.
Ministria ruse pohon se fundosja e anijes "Moskva" ka ndodhur për shkak të një dëmtimi. Ky dëm thuhet se ishte pasojë e një "zjarri të shkaktuar nga shpërthimi i municioneve”, njofton agjencia shtetërore ruse TASS, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Aksident apo sulm?
Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë raportuar më parë se anija ruse është goditur nga një raketë ukrainase. Guvernatori i rajonit jugor të Ukrainës, Odessa, Maxym Marchenko, ka bërë të ditur se "Moskva” është qëlluar me raketa ukrainase të tipit "Neptun”.
Të enjten në mbrëmje, pala ruse ka bërë të ditur se ekuipazhi i anijes është evakuuar në tërësi dhe ka kaluar në anije të tjera të Flotës së Detit të Zi, pas një zjarri të shkaktuar në anijen "Moskva". Vetëm pak orë para se "Moskva” të fundosej, Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se kryqëzori, i cili ishte i pajisur me raketa, ishte ende në gjendje të lundronte pavarësisht dëmtimeve.
Qëndrimi amerikan
Një zyrtar i lartë i amerikan i mbrojtjes tha në Uashington të enjten se ende nuk ishte e qartë se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe cili ishte shkaku i dëmtimit të kryqëzorit rus të raketave. Besohet se anija ka qenë diku rreth 60 deri në 65 milje detare në jug të qytetit ukrainas Odessa, në momentin kur ka ndodhur shpërthimi. "Për momentin nuk mund të themi definitivisht se çfarë e shkaktoi këtë shpërthim dhe zjarrin e mëvonshëm”.
Mund të ketë qenë pasojë e një sulmi raketor, por mund të ketë pasur edhe arsye të tjera, pohon pala amerikane. Rreziku i zjarreve dhe shpërthimeve në anije të tilla është në përgjithësi i lartë, sepse në bord ka lëndë që mund të ndizen dhe shpërthejnë, tha ai. Prandaj, është e rëndësishme të jeni të kujdesshëm para se të nxjerrin konkludime.
Anija ishte ende në gjendje të lëvizte edhe pas shpërthimit. Ajo ishte nisur në lindje, në drejtim të Sevastopolit, për t'u riparuar atje. Zyrtari i mbrojtjes tha se disa anije të tjera ruse që operonin më parë pranë lumit Moskë në veri të Detit të Zi janë zhvendosur më në jug, bëjnë të ditur burimet amerikane të inteligjencës.
Fundosja e anijes "Moskva" është një nga humbjet më të mëdha materiale për ushtrinë ruse që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Anija "Moskva" është ndërtuar në kohën sovjetike, së bashku me anijet e tjera të Flotës së Detit të Zi. Ato kanë bllokuar portin jugor të Ukrainës, Mariupol.
Kryqëzori "Moskva" mund të pajisej me 16 raketa me rreze të gjata. Tërheqja e kësaj anije nga arsenali redukton fuqinë luftarake të Rusisë në Detin e Zi.
BC/AR/fw (dpa, afp, ap)