1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta në Ukrainë dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së

3 Maj 2022

Rusia si anëtare e përhershme në Këshillin e Sigurimit mund të pengojë çdo rezolutë, që dënon ndërhyrjen e saj në Ukrainë. Ç'vlerë ka atëherë ky këshill, shtron pyetjen president ukrainas Zelenskyj.

https://p.dw.com/p/4AkIQ
UN Sicherheitsrat | Thema Ukraine
Këshilli i Sigurimit debaton për Ukrainën, 5 prill 2022Fotografi: John Minchillo/AP/picture alliance

Në fillim të prillit përpara Këshillit të Sigurimit në Nju Jork u shfaq një video nga lufta në Ukrainë. Videoja tregonte „imazhe të tmerrshme" të viktimave civile në Buça, një lagje në periferi të Kievit, u shpreh përfaqësuesja britanike në OKB, Barbara Woodward. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj në fjalimin e tij drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit bëri përgjegjëse Rusinë për „krime lufte".

Por megjithatë, pavarësisht se si janë akuzat, ato në këtë forum me influencë të OKB-së nuk kanë pasoja për Rusinë si një nga pesë anëtaret e përhershme dhe dhjetë anëtarët e tjerë jo të përhershëm. Arësyeja është, se Rusia si anëtare e përhershme ka të drejtë vetoje. Kjo do të thotë, nëse vetëm një ndër pesë anëtarët: SHBA, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca – vendos veton çdo vendim bllokohet. Këtë e bëri Rusia një ditë pas sulmit ndaj Ukrainës më 24 shkurt: Këshilli i Sigurimit hodhi një rezolutë në diskutim me synim që Rusia menjëherë të ndërpriste sulmin rus. Rusia e hodhi poshtë rezolutën me veton e saj.

Këshilli i Sigurimit mban „përgjegjësinë kryesore" për paqen botërore

Sipas nenit 24 të Kartës së OKB-së vendet anëtare të OKB-së – ndërkohë janë 193 – ia kanë kaluar këshillit „përgjegjësinë kryesore pë ruajtjen e paqes botërore dhe të sigurisë ndërkombëtare". Por si qëndron puna kur njëri nga anëtarët e përhershëm nis vet një luftë sulmuese?

"Atëherë çfarë është siguria, për të cilën duhet të kujdeset ky këshill?", pyeti në mënyrë retorike presidenti ukrainas Zelenskyj këtë forum. Përfaqësuesit e këshillit duhet të kujdesen, që ta „largojnë Rusinë si agresore dhe shkaktare të luftës, në mënyrë që ajo të mos vazhdojë të bllokojë vendimet për agresionin e saj". Pa një reformë të thellë Këshilli i Sigurimit nuk ka vlerë dhe po ashtu edhe OKB-së mund t'i vihet „dryni".

UN-Sicherheitsrat tagt zur Ukraine | Wolodymyr Selenskyj
Fotografi: Spencer Platt/Getty Images/AFP

Se sa pa efekt vepron Këshilli i Sigurimit në luftën e Ukrainës, këtë e pranoi javën e kaluar edhe vet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres. Gjatë vizitës në Kiev Guterres tha, se këshilli nuk ka bërë gjithçka është në kompetencat e tij për ta parandaluar luftën. "Ky është një burim zhgënjimi dhe indinjate të madhe", tha përfaqësuesi më i lartë i OKB-së, pa e përmendur Rusinë. Guterres kishte qenë më parë në Moskë, por sikurse edhe pritej ai nuk arriti asgjë për një paqe. Guterres qe i „shokuar", që gjatë vizitës së tij në Kiev goditën dy raketa.

Rusia nuk është më në Këshillin e të Drejtave të Njeriut – ashtu si përkohësisht nuk ka qenë edhe SHBA-ja

Ndërsa përjashtimi nga Këshilli i Sigurimit është praktikisht i pamundur, Rusia u përjashtua nga të tjera forume ndërkombëtare, ose edhe u tërhoq vet prej tyre: Ashtu si nga Këshilli i Europës, Rusia u përjashtua së fundi edhe nga anëtarësia në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Megjithatë nuk pati qendrim unik në radhët e anëtarëve: 93 anëtarë votuan pro, por 24 kundër, ndër to Algjeria, Bolivia, Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Eritrea, Etiopia, Irani dhe Siria – vende, në të cilat Rusia ka influencë ose vende si Kina, që për arësye strategjike e tolerojnë Rusinë.

Por Këshilli i të Drejtave të Njeriut nuk i intereson shumë Kremlinit. "Nuk e vrasim mendjen shumë për këtë forum", i tha DW-së, ish-zëvendësministri i Jashtëm rus Andrej Fjodorov. "Për ne natyrisht Këshilli i Sigurimit është më i rëndësishmi, që të vazhdojmë të jemi të pranishëm dhe të shpalosim pikëpamjet tona", tha Fjodorov. Ai pranoi, se „ekziston rreziku i një izolimi të Rusisë."

Këshilli i sigurimit pasqyron botën e vitit 1945

"Këshilli i Sigurimit është i destinuar për të mos pasur efekt, nëse një vend me veto i shkel rregullat", mendon politologu Johannes Varwick nga Universiteti në Halle. "Unë konstatoj një paaftësi veprimi prej shumë vitesh të Këshillit të Sigurimit dhe humbjen e peshës së OKB-së." Por kjo nuk është gjë e re. Deri në fund të konfliktit Lindje-Perëndim më 1989/90 "ne kishim një situatë të ngjashme: veto ose kërcënime reciprokisht me veto që  paralizonin njërën ose tjetrën palë".

Ukraine-Krieg | UN-Sicherheitsrat | Antonio Guterres
Antonio Guterres Fotografi: Andrew Kelly/REUTERS

Zelenskyj në një fjalim pasionant kërkoi një reformë të thellë. P.sh. „të gjitha rajonet e botës" duhet të jenë të „përfaqësuara drejt". Kërkesa e tij është po aq e vjetër sa edhe vet Këshilli i Sigurimit. Ndërsa dhjetë anëtarët me jo të përhershëm, nuk përzgjidhen sipas grupeve rajonale, anëtaret e përhershëm janë gjithmonë të njëjtët. Kjo e lidhur edhe me të drejtën e vetos, u jep atyre një influencë jo të mirë.

Përbërja e këtij rrethi të brendshëm pasqyron situatën gjeopolitike përpara 80 vjetësh: këtu janë mbledhur shtetet më të rëndësishme fituese të Luftës së Dytë Botërore. Asokohe shumë shtete të botës, p.sh. pothuajse e gjithë Afrika, ishin ende në varësi koloniale.

Të gjitha përpjekjet për reforma kanë dështuar

Vazhdimisht ka pasur përpjekje për ta reformuar Këshillin e Sigurimit. Ndër të tjerë vende si Brazili, India, Japonia dhe Gjermania më 2004 deklaruan se do ta mbështesin njeri-tjetrin për një vend të përhershëm. Edhe ideja, që Bashkimi Europian të ketë një vend të posaçëm shtrohet herë pas here. Një tjetër propozim është që të hiqet e drejta e vetos. Por deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

"Një reformë e Këshillit të Sigurimit është një sipërmarrje e pashpresë", beson Johannes Varwick. "Kjo vlen si për heqjen e së drejtës së vetos, ashtu edhe për rikompozimin e anëtarësisë, pra pranimin e vendeve të reja, qoftë me ose pa të drejtë vetoje. Thjesht nuk ka një formulë, me të cilën do të ishin dakord të pesë fuqitë me veto e pastaj të gjendjes një shumicë e dy të tretave në Asamblenë e Përgjithshme."

Sidoqoftë Varwick nuk e nënvleftëson tërësisht Këshillin e Sigurimit. „Vazhdimisht është arritur, për çështje kur interesat janë harmonizuar, që ky forum të luajë një rol: kjo do të ndodhë një ditë edhe në rastin e Ukrainës. Një opsion është edhe themelimi i „një aleance të demokracive", sikurse ka kërkuar vazhdimisht SHBA-ja. Një aleancë e tillë do të ishte një organizim tjetër përkundër OKB-së, por nëse kjo do të kishte sukses është e pasigurtë."

 

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare