1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izrael: Gjykata Ndërkombëtare dëgjon akuzat e Afrikës Jugore

11 Janar 2024

Afrika Jugore kërkon nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë të detyrojë Izraelin të ndalë operacionet ushtarake në Gaza. Shoqëruar nga protesta ka filluar në Gjykatën Ndërkombëtare seanca dëgjimore për akuzën e gjenocidit.

https://p.dw.com/p/4b74c
Ushtarë izraelitë gjatë një operacioni në Khan Younis
Afrika Jugore kërkon që Gjykata Ndërkombëtare të marrë vendim që Izraeli të ndalë ofensivën ushtarake në GazaFotografi: Ohad Zwigenberg/AP/picture alliance

Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka filluar dëgjimin e argumenteve të Afrikës Jugore në rastin e akuzës kundër Izraelit se po kryen gjenocid në Rripin e Gazës gjatë ofensivës kundër militantëve të Hamasit në territorin palestinez. Të premten pritet që Izraeli të paraqesë pozicionin e tij  në gjykatë.

Ky vend është i pari që kërkon ndalimin e menjëhershëm të operacionit ushtarak izraelit në Gaza, ndërkohë që një vendim për akuzat për gjenocid me gjasë do të zgjasë me vite. Në fjalët e tyre përfaqësues ligjorë të Afrikës Jugore thanë, se sulmet e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë më shumë se 1.100 vetë, kryesisht civilë, dhe ku u kryen një sërë aktesh mizore, nuk paraqesin justifikim për veprimet aktuale të Izraelit. Ata thanë, se të paktën disa nga forcat e armatosura izraelite në Gaza kanë kryer vepra që shkelin Konventën e OKB-së për gjenocidin dhe se këto akte nuk mund të shihen si reagim proporcional ndaj sulmit të 7 tetorit. "Asnjë sulm i armatosur ndaj një territori shtetëror, pavarësisht se sa i rëndë është...nuk mund të justifikojë shkeljet e konventës", ka thënë ministri afrikanojugor i Drejtësisë, Ronald Lamola.

Gjykata Ndërkombëtare në Hagë
Gjykata Ndërkombëtare në HagëFotografi: Thilo Schmuelgen/REUTERS

Izraeli hedh poshtë akuzat

Ndër të tjera akuzuesit nga Afrika Jugore kanë thënë, se përmasat e bombardimeve të Izraelit janë të pashembullta dhe Rripi i Gazës është bërë praktikisht i pabanueshëm.

Seanca dëgjimore në Hagë është shoqëruar nga protesta. Para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë ishin mbledhur përkrahës të palestinezëve, por edhe përkrahës të Izraelit dolën po ashtu para gjykatës.

Izraeli i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid si të pabaza dhe ka akuzuar Pretorian se po bën "avokatin e djallit" për Hamasin. Organizata e Hamasit është kategorizuar nga SHBA, BE, Izraeli, Gjermania dhe vende të tjera si organizatë terroriste.

 

 

 

la/rmt/lo (AFP, AP, dpa, Reuters)