LSDM dhe BDI do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale
24 Korrik 2021Të dy partnerët e koalicionit qeveritar ranë dakord që të dyja partitë të bashkëpunojnë në zgjedhjet lokale të vjeshtës, me mbështetje të ndërsjellë në disa komuna që në raundin e parë, ndërsa në disa të tjera në raundin e dytë.
"Kisha takim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. U morëm vesh që LSDM-ja dhe BDI-ja të marrim pjesë bashkë në zgjedhjet lokale”, tha lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev. Kryeministri ka potencuar se qëllimi i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së është që në bashkëpunimin parazgjedhor të kyçen sa më shumë parti nga koalicioni qeverisës.
"Në vijim janë procedurat për zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, ata do të jenë personalitete të cilët guxojnë dhe të cilët janë të përgatitur të japin rezultatin më të mirë për qytetarët në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje”, u shpreh Zaev.
Reagon opozita për koalicionin parazgjedhor
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, e ka komentuar koalicionin parazgjedhor të shpallur në mes BDI-së dhe LSDM-së për zgjedhjet lokale duke thënë se lideri i BDI-së Ahmeti siç duket është i frikësuar nga ASH opozitare, pasi që nuk pranoi sfidën e ASH-së që në zgjedhjet lokale të dalin pa koalicione dhe pa kalkuluar në votat e partive maqedonase.
"Përfundimisht Ali Ahmeti nuk e pranoi sfidën që të dalim ballë për ballë në zgjedhjet lokale. Ne nga njëra anë dhe ai me partitë shqiptare në anën tjetër. Sic duket ka frikë”, tha kryetari i ASH-së Ziadin Sela.
Mosmarrëveshje edhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve
Partitë opozitare kërkojnë që zgjedhjet të mbahen më 17 tetor. Sipas tyre afatet kushtetuese rregullojnë datën e zgjedhjeve në përputhje me mandatin e fundit. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se çdo datë tjetër përveç 17 tetorit, bie ndesh me Kushtetutën.
"Zgjedhjet lokale nuk caktohen në bazë të dëshirës së cilit do lider, qoftë ai edhe kryeministër. Zgjedhjet lokale mbahen në përputhje me datat e parapara në ligj dhe Kushtetutë. Ky afat është 17 tetori, çdo datë tjetër përbën shkelje të Kushtetutës”, deklaroi Antonio Milloshoski deputet i VMRO-DPMNE-së.
Opozita shqiptare është e gatshme për zgjedhje në cilëndo datë të tetorit, por thotë se pas kërkesës për shtyrje të zgjedhjeve fshihet frika nga euforia e regjistrimit të popullsisë.
"Ata kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve duke pasur parasysh euforinë që ka regjistrimi tek shqiptarët dhe kjo eufori do të shkojë në drejtim të opozitës. Regjistrimi qoftë në diasporë ose në vend është i mishëruar me faktin se ndryshimi duhet të ndodhë tek shqiptarët dhe ajo eufori që ndodh në regjistrim do të reflektohet edhe në zgjedhjet lokale” - thotë Skender Rexhepi, deputet i ASH-AAA-së.
Për BDI-në cilado datë e zgjedhjeve është e pranueshme. Integristët nuk do të ndërhyjnë në negociatat mes partive politike.
"Ne si BDI nuk kemi dilema në sukseset e këtyre zgjedhjeve dhe për ne është pak e rëndësishme data e zgjedhjeve. Ua lëmë partive tjera të merren vesh për datën e zgjedhjeve, kurdo që pajtohet ne do t'i mbështesim”, - thotë Bujar Osmani nga BDI.
Edhe partia "E Majta” vlerëson se data kur duhet mbajtur zgjedhjet lokale është 17 tetori dhe çdo datë tjetër mund të jetë element vlerësimi në Gjykatën Kushtetuese.
LSDM është e gatshme të pranojë cilëndo datë për zhvillimin e zgjedhjeve lokale përfshirë edhe 17 tetorin siç kërkon partia opozitare VMRO- DPMNE.
"Ne e propozuam 31 tetorin, nëse ato mbahen më 17 tetor, fushata përkon me regjistrimin e popullsisë, dhe kjo nuk është e mirë, ne duhet ta shtyjmë regjistrimin deri në fund të shtatorit, pas së cilës fushata mund të fillojë. Por nëse thotë opozita se data 17 dhe të gjitha partitë e tjera bien dakord, edhe ne do të jemi dakord. Fundjava tjetër është 24 dhe 31, këto janë opsionet për tetorin”, thotë kryeministri Zoran Zaev.