1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërcënon një garë e re armatimi?

27 Nëntor 2016

OSBE - me rol të ri në dialogun me Rusinë? Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier dëshiron që në përpjekjen për ndalimin e një gare të re armatimi të luajë rolin e saj edhe Rusia.

https://p.dw.com/p/2TIUD
Deutschland Frank-Walter Steinmeier beiim Hamburg Summit: China meets Europe
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Reinhardt

Kur krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të OSBE-së u takuan për herë të fundit situata gjeopolitike ishte ndryshe. Atëherë ishte viti 2010 dhe nuk mendohej aneksimi i Krimesë si edhe konflikti i vazhdueshëm në Ukrainën Lindore. „Siguria e Europës është në rrezik. Çështja e luftës dhe paqes është rikthyer në kontinent" , shkruan Steinmeier për gazetën „Die Welt".

Pak muaj para ndryshimit të pritshëm, kur Steinmeier të marrë postin e presidentit, ai kërkon edhe njëherë të shfrytëzojë presidencën aktuale gjermane të radhës në OSBE për një iniciativë të re çarmatimi, në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm në 8 deri 9 dhjetor në Hamburg. Ata e quajnë veten „grupi solidarizues për mbështetjen e një fillimi të ri në fushën e kontrollit të armatimit konvencional në Europë." Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të premten (25.11)  në Berlin thuhet se „jemi thellësisht të shqetësuar", sepse po shkelen rregulla bazë të bashkëjetesës ndërkombëtare. Shembulli pararojë: Aneksimi i Krimesë, një aneksim ilegal. Rusia nuk i respekton më marrëveshjet e çarmatimit.

Dialog e sërish dialog

Por Steinmeier nuk është përqëndruar tek dënimi i Rusisë. „Sado e vështirë të jetë marrëdhënia, ne nuk kemi nevojë për më pak, por për më shumë dialog”, shkruan Steinmeier në „Die Welt". Ministri i Jashtëm gjerman u kritikua ashpër në verë, kur akuzoi NATO-n, se me manovrat në Poloni po „mpreh shpatat dhe thërret këmbanat e luftës".

Ulrich Kühn nga Instituti për Studimet e Paqes dhe Sigurisë në Universitetin e Hamburgut u shpreh atëherë se „ndodhemi me shumë gjasa në fillimet e një spirale të re armatimi". Ai kërkoi aktivizimin e një instance të re, sepse „Këshilli NATO-Rusi" është një instancë e vdekur, sipas tij. Këtë e kërkon në këtë formë edhe tani ministri i Jashtëm gjerman: „Një dialog në nivel të barabartë", i cili do të ishte i stacionuar mirë tek OSBE. Por përfaqësuesit e qeverisë Obama u shprehën skeptikë edhe për këtë iniciativë të re të Steinmeierit, duke e argumentzar këtë me faktin se Rusia edhe më parë nuk i ka respektuar marrëveshjet. Por situata mund të ndryshojë nën një president të ri, Donald Trump, i cili është shprehur pozitivisht në fushatë për Putinin dhe nga ana tjetër e ka vënë në dyshim mbështetjen për partnerët e NATO-s, nëse ato do të vazhdojnë të mos paguajnë shumën e duhur për mbrojtjen, qëndrime që kanë sjellë pasiguri tek partnerët europianë.

NATO-Generalsekretär Jens Stolten
Jens StoltenbergFotografi: picture-alliance/dpa/O. Hoslet

Dobësim i superioritetit perëndimor

Instituti Ndërkombëtar për Studimet Strategjike, IISS ka paralajmëruar për një aspekt tjetër të sigurisë politike - humbjen e supremacisë teknike dhe ushtarake të perëndimit kundrejt Rusisë dhe Kinës. Më së shumti kjo lidhet me uljen e shpenzimeve të mbrojtjes, e kritikuar nga të gjithë presidentët amerikanë më parë, e më shumë nga Donald Trump. Në një raport të IISS thuhet, se nëse para 15 vjetësh vendet europiane të NATO-s, mbanin 649 batalione ushtrie, sot ato kanë gati vetëm 200 batalione. Po aq dramatike është edhe rënia e numrit të avionëve luftarakë. Ndërkohë që Rusia nga viti 1991 ka shënuar rritje masive të armatimit. Drejtori i IISS, John Chipman shtron çështjen nëse NATO është vërtet e aftë të mbrojë ushtarakisht vendet anëtare që kufizohen me Rusinë. "Garancia e NATO-s bazohet në pritshmërinë e forcimit të shpejtë të mbrojtjes në rast nevoje.” Por që tani Rusia është në gjendje "të pengojë akcesin dhe misionet në hapësirën balltike.”

Shpenzimet e vendeve europiane, anëtare të NATO-s kapin vetëm 1% të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa SHBA, 4%. "Kjo nuk është shpërndarje e drejtë e barrës”, kritikon Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Objektivi është rritja e shpenzimeve të mbrojtjes në 2% të prodhimit të brendshëm bruto.