1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryeministri i Shqipërisë nis një turne ballkanik nga Shkupi

6 Korrik 2023

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski priti në Shkup kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Kovaçevski tha se bashkëpunimi mes RMV-së dhe Shqipërisë është shembull në rajon

https://p.dw.com/p/4TWH2
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me "kolegun e tij të dashur" kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me "kolegun e tij të dashur" kryeministrin e Shqipërisë, Edi RamaFotografi: Petr Stojanovski/DW

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski,  e quajti kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, "kolegun im i dashur" dhe tha se takimi me të është një mundësi për një bisedë të hapur që synon "forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore, veçanërisht në kuadrin e rrugës evropiane, e cila sigurisht është domethënëse për prosperitetin e të dy vendeve dhe për qytetarët”.

Sipas Kovaçevskit bisedimet u fokusuan te ndërtimi i shteteve ekonomikisht të forta dhe të sigurta.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi RamaFotografi: Petr Stojanovski/DW

"Bashkëpunimi mes RMV-së dhe Shqipërisë është shembull në rajon. Rruga evropiane paraqet qëllim strategjik për të dyja vendet dhe nga kjo rrugë nuk do të ketë largim. Ne po bashkëpunojmë që të arrijmë standardet evropiane që na i mundëson nisma e Procesit të Berlinit, ky proces për rajonin është tejet i rëndësishëm, prandaj ne do t'i japim përkrahje të plotë Procesit të Berlinit”, tha kryeministri Kovaçevski.

Nisma Ballkani i Hapur

Duke folur për Ballkanin e Hapur Kovaçevski tha se kjo nismë ka përfocuar perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe i ka dhënë rezultatet e veta. Kovaçevski tha se përmes dialogut dhe vendimeve të guximshme arrihen rezultate të pritshme. Në këtë drejtim ai inkurajoi Prishtinën dhe Beogradin që të marrin vendime të guximshme për të ecur përpara.

Takim në Beograd i nismës Ballkani i Hapur
Takim në Beograd i nismës Ballkani i HapurFotografi: Government of Montenegro

Sipas kryeministrit Kovaçevski , RMV gjendet para një periudhe kur duhen të merren vendime të guximshme për ndryshimin e Kushtutës. Ky vendim duhet të jetë gjithëpërfshirës, rezultatet e së cilës duhet t'i ndjejnë qytetarët, sepse ajo na siguron një të ardhme të sigurtë.

"Besoj se Parlamenti ynë do ta kryejë punën dhe do të vazhdojmë rrugën për t'iu afruar familjes evropiane. E di se është e vështirë, sepse një pjesë e liderëve mbajnë llogari vetëm për rejtingun e tyre personal”, ka deklaruar Kovaçevski.

Rama: Duhet të fokusohemi te Procesi i Berlinit

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se për planet dhe idetë e përforcimit të Procesit të Berlinit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë shumë pika të përbashkëta.

"Si kryesuese e Procesit të Berlinit, Shqipëria do të angazhohet të jetësojë një plan të ri bashkëpunimi të vendeve të Ballkanit Perendimor. Tani do të fokusohemi në Procesin e Berlinit. Gjermania na duhet si partner për ta jetësuar dhe zgjeruar edhe më tej këtë proces. Nga bashkëpunimi rajonal mund të ketë vetëm përfitime dhe asnjëherë humbje”, tha Rama.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perendimor bashkarisht do të angazhohen që të marrim gjithçka çfarë u duhet nga BE-ja në rrugën për anëtarësim në BE.

"Ideja e Ballkanit të Hapur nuk është përjashtuese, ajo në thelb ishte integruese. Nga kjo nismë nuk kemi parë asgjë të keqe, por vetëm kemi përfitime, të cilat i tregojnë shifrat e arritura në shkëmbimin tregtar dhe realizimin e ideve. Procesi i Berlinit është ombrellë, e cila do të ketë përfitime nga Ballkani i Hapur. Nuk ka vlerësim më të keq, nëse mendojmë se ideja e Ballkanit të Hapur ka qenë e gabuar”, tha Rama.

Për pyetjet e gazetarëve lidhur me mosrealizimin e takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtine dhe raportet e Kosovës me bashkësinë ndërkombetare dhe marrëdhëniet Prishtinë-Beograd, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk donte të prononcohej në Shkup. Për këto çështje do të shprehem në Prishtinë, tha ai.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut