1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130711 Eurokrise

13 Korrik 2011

Greqia, Portugalia, Irlanda - tani edhe Italia ndodhet nën trysninë e kreditorëve. Ajo çka mungon është një sinjal që të qetësojë investuesit dhe kreditorët.

https://p.dw.com/p/11u9r
Pamje simbolike: euro e rrezikuar nga borxhet e vendeve të eurozonës.
Fotografi: picture alliance/ZB

Italia ditët e fundit është vendosur në qendër të diskutimit evropian. Ministrat e Financave të BE-së ranë dakord që ta pengojnë me çdo kusht shtrirjen e krizës financiare në ekonominë e tretë më të madhe të Evropës, Italinë. Por megjithëse Italia ka ndërmarrë masa drastike kursimi, këto nuk mjaftojnë.

FMN-ja në raportin e saj më të fundit për këtë vit kërkoi nga Italia, që të zbresë deri në vitin 2012 defiçitin buxhetor nën 3 % të prodhimit të brendshëm bruto. Aktualisht deficiti italian kap vlerën e 4,6%.

Kriza e borxheve italiane tronditi bursat ndërkombëtare.
Kriza e borxheve italiane tronditi bursat ndërkombëtare.Fotografi: dapd

Megjithëse ekonomia italiane po jep shenja rimëkëmbjeje, të nxitura këto nga eksporti, borxhi publik mbetet tepër i lartë dhe rritja ekonomike e kufizuar. Një samit i jashtëzakonshëm i krerëve dhe kryeministrave të shteteve të BE-së për të penguar përhapjen e krizës së borxheve edhe me pritet të zhvillohet që këtë të premte, sinjalizoi presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Hermann Van Rompuy.

Fakti që vala e krizës financiare po përfshin edhe Italinë, ka shqetësuar bursat evropiane. Dhe tregtarët e bursës janë të zemëruar me politikën. Oliver Roth, një tregtar në bursë thotë: "Po shohim që për Italinë, prej ditësh zhvillohet një debat fantazmagorik, të cilin vetë BE-ja e ka shkaktuar duke u shprehur me shqetësim për gjendjen në Itali. Kjo sigurisht ishte një ftesë për spekulantët. "

Ekspertët e financave janë të zemëruar me pavendosmërinë e Brukselit. Njëherë Brukseli përjashton kategorikisht ristrukturimet e borxheve, pastaj më vonë i fut prapë në lojë ato. Adalbert Winkler, nga Shkolla e Financave në Frankurt thekson: "Mendoj se duhet të transmentohet një sinjal i plotë dhe i qartë ndaj kredituesve që nuk do të ketë humbje për shkak të mospagesave. Vetëm kështu do të vihen nën kontroll problemet që kemi me rrezikun e infektimit të shteteve të tjera pas Greqisë."

Por një sinjal i tillë ende nuk duket në horizont.

Autor: Jan Pallokat /AG / Arapi

Redaktoi: E. Xhani