1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110711 Griechenland Hilfspaket

11 Korrik 2011

Ministrat e financave të eurozonës konsultohen në Bruksel për një paketë të dytë ndihme për Greqinë.

https://p.dw.com/p/11sgm
Fotografi: AP

Pasi bankat private në Francë dhe në Gjermani siguruan se do të japin kontributin e tyre për shpëtimin e Greqisë, politikanët e Evropës shpresojnë, që do të mund ta realizojnë paketën e ndihmës me vlerë 120 miliardë euro. Por disa agjenci të vlerësimit të bonitetit i vunë një kryq llogarive të politikës.

Për një fije floku grekët përsëri i shpëtuan falimentimit. Në fakt ekipi i ekspertëve të së ashtuquajturës trojkë e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Komisionit të BE-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) , i dha një dëftesë me notën "pamjaftueshëm" vendit evropianojugor. Në këtë mënyrë rubineti i parave duhej mbyllur. Por në çastin e fundit parlamenti i Greqisë miratoi një program privatizimesh në vlerën 78 miliardë euro, gjë që bëri të mundur pagesën e transhit të pestë të paketës së parë të ndihmës për Greqinë. Janë 12 miliardë euro, që duhet t' i shpëtojnë grekët deri në shtator prej mbytjes nga mali me borxhe. Paskëtaj vjen verifikimi tjetër e kësisoj edhe faza tjetër e etheve të frikës.

NO FLASH Griechenland Athen Protest
Protestat në AthinëFotografi: picture alliance/dpa

Kjo për faktin, se deri në shtator gjendja në Athinë nuk do të ndryshojë. Prej recesionit vazhdojnë të tkurren të ardhurat nga taksat, ndërkohë që shkurtimi i rrogave i zë frymën konsumit dhe ashpërson edhe më tej recesionin. Për të garantuar rifinacnimin për një periudhë më të gjatë dhe për t' u dhënë kohë grekëve për reformat strukturore, BE-ja do të diskutojë pë rnjë paketë të dytë ndihme me një volum 120 miliardë euro. Për Andreas Rees, ekonomist në Unicredit, kjo paketë ka rëndësi thelbësore: "Ky program do të vazhdojë me gjasë deri në fund të vitit 2014 dhe në këtë mënyrë Greqia do të ketë të paktën dy vjet kohë, pë rtë treguar, se mund t' i zbatojë reformat dhe se reformat do të japin efektin pozitiv duke u bërë të prekshme në formën e një rritjeje të lartë ekonomike. "

Andreas Rees Chefvolkswirt von Unicredit
Andreas Rees, ekonomist në UnicreditFotografi: Unicredit

"Duhet një haircut"

Tek e fundit zhvillimi është kyç ndalimin e rritjes së metëjshme të malit të borxheve. Sepse ndonëse ekonomistët si Rees tërheqin vëmendjen, që: "…, Greqia po e redukton relativisht fuqishëm defiçitin,…" borxhet e përgjithshme vazhdojnë të riten pandërprerje. Bazuar në parashikimet e BE-së borxhet shtetërore greke në vitin 2012 do të kapin kuotën e 160% të produktit bruto në vend. As programi ambicioz i privatizimeve nuk mund të ndihmojë në këtë drjetim. Ndaj të tjerë ekonomistë si Max Otte nuk lodhen së kërkuari një ristrukturim të borxhit për helenët e në këtë mënyrë edhe pjesëmarrjen e imponuar të bankave: "Duhet vendosur përqindja e sigurisë (haircut). Ata, që janë bashkëfajtorë, ata që kanë dhënë edhe paratë e tyre si garantë duke qenë të informuar, duhet të mbajnë përgjegjësi. E kjo mund të ndodhë vetëm në përmasa simbolike."

Nëse arrihet kjo nuk është e sigurtë. Marrëveshja e arritur me mundim me bankat private gjermane dhe me sigurimet për të kontribuar për paketën e dytë përmes një njoftimi të agjencisë së vlerësimit të bonitetit Standard & Poor's u bë sërish e pavlefshme. Agjencia e fuqishme, e cila verifikon aftësinë e bonitetit të ndërmarrjeve dhe të shteteve, vuri në dukje, se as pjesëmarrja vullnetarisht e bankave nuk mund ta vlerësojë aftësinë e pagesës së Greqisë. Kjo do të thotë, që BQE të mos i pranojë më bonot greke të thesarit si garanci për kreditë bankare, gjë që mund të çojë në një kolaps të sistemit bankar të Greqisë dhe në rastin më të keq mund të shkaktojë një reaksion zinxhir në euroznë.

Wirtschaftsprofessor Max Otte
Profesor Max OtteFotografi: picture-alliance/dpa

"Tragjedi greke pa fund"

Kjo i tmerron politikanët evropianë. Ndaj duhet të hartohet një paketë e dytë ndihme, në rast nevoje edhe pa bankat. Kjo mund të jetë një sipërmarrje e vështirë. Bundestagu (parlamenti gjerman) p.sh. e ka dhënë bekimin e vet për një paketë tjetër për Greqinë vetëm me kushtin, që në të të marrin pjesë kreditorët privatë. Në këtë mënyrë bisedimet përsëri nisin nga zeroja dhe do të vazhdojnë deri në shtator, drisa sërish të shtrohet çështja e vendimmarjes, ose të pranohet falimentimi i Greqisë dhe të nisë ristrukturimi i rregullt i borxhit, ose të vazhdojnë përpjekjet për ta zvarritur me çdo kusht falimentimin. Përderisa politika do të vendosë për variantin e dytë, eksperti i financave Max Otte e konsideron si pafund tragjedinë greke: "Drama do të vazhdojë në tre apo katër akte. Por pikërihst kjo është në interesin e bankave. Ato mund të vazhdojnë të fitojnë. Tek e fundit gjithçka mbetet siç ka qenë. E kjo është fatale."

Autor: Zhang Danhong / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Elert Ajazaj