1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika pas Raportit të KE -Nuk janë theksuar disa përparime

9 Nëntor 2023

Nga Kosova vijnë zëra kritikë pas publikimit të Raport Progresit për Kosovën 2023 nga KE, pavarësisht vlerësimit se qeveria ka vazhduar me agjendën ambicioze të integrimit. Raporti e vuri theksin në dialogun me Serbinë.

https://p.dw.com/p/4Yawa
Kryeministri Kurti i jep dorën presidentes së KE, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj më 30 tetor në Prishtinë
Kryeministri Kurti pret presidenten e KE, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj më 30 tetor në PrishtinëFotografi: Office of the Kosovo presidency

Raporti i Progresit 2023 i Komisionit Evropian, KE për Kosovën e vuri theksin në dialogun me Serbinë. Pas publikimit të Raport Progresit ka pasur reagime në Kosovë. Zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës Besnik Bislimi, që njëherësh është edhekryenegociator i Kosovës në dialog me Serbinë, tha se, "një shtytje e madhe në përmbushjen e reformave, do të ishte edhe largimi i masave ndëshkuese të vendosura nga blloku evropian ndaj Kosovës. "Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, në qeverisjen e mirë, progresi i mirë ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në Bashkimin Evropian konfirmojnë se jemi duke bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes evropiane. Largimi i masave ndëshkuese nga BE-ja do ta kthente motivimin dhe do të përshpejtonte edhe më shumë reformat”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Sipas tij, "Kosova ka dëshmuar se është aleate e BE-së, duke përafruar politikën e saj të jashtme, sidomos me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë”.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ishte kritik sepse në Raportin e Komisionit Evropian, "nuk janë theksuar disa nga përparimet që i ka bërë Kosova”. "Sipas analizës së qeverisë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike, të cilat është dashur të theksohen dhe vlerësohen më shumë në këtë raport”, tha Bislimi duke shtuar se këto çështje janë rekomanduar në raportin e Progresit të vitit të shkuar.

Szunyog: Pritet përmbushja e tre kushteve

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, që i dorëzoi raportin qeverisë së Kosovës, tha se BE pret që të përmbushen tre kushtet e paraqitura në deklaratën e BE-së më 3 qershor, si hap drejt heqjes së masave ndëshkuese. "Shtensionimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë pjesë të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe angazhimi në dialog. Dhe kushti i fundit, përfshin tash edhe themelimin e Asociacionit”. Kosova vitin e shkuar ka aplikuar për anëtarësim në BE, por, është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit që akoma nuk e ka statusin e vendit kandidat.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog dhe kryeministri Kurti - pamje nga takimi i dorëzimit të raportit 2022
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog dhe kryeministri Kurti Fotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

Raport Progresi 2023 për Kosovën

Raporti i Progresit i Komisionit Evropian në pjesën për Kosovën thekson, se "Kosova ka shënuar përparim të kufizuar, ndonëse vlerësohet në shumë fusha, si reformat e brendshme në sundimin e ligjit, progresi i mirë ekonomik dhe social dhe liberalizimi i vizave." Në raport theks i veçantë i kushtohet situatës së tensionuar në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe si dhe raporteve me Serbinë dhe dialogut që ndërmjetësohet ngaBashkimi Evropian. Në raport shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t'i kryejnë obligimet e tyre të dala nga dialogu. Kosovës i bëhet ftesë që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që ju prezantua palëve më 21 tetor nga diplomatët perëndimorë.

KFOR pas trazirave në veri
KFOR pas trazirave në veriFotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

"Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkohet që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve”. 

Në raport po ashtu përmendet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të shkuar dhe bojkoti i tyre në zgjedhjet lokale të prillit. Këto veprime cilësohen si "shkelje të obligimeve të Serbisë që dalin nga dialogu dhe paraqesin kthim prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve të marra nga marrëveshje e parë për parimet për normalizimin e raporteve. Më herët gjatë vitit, Bashkimi Evropian, vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri.