1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kryenegociatorët e Kosovës e Serbisë takohen së shpejti

8 Nëntor 2023

Partitë politike opozitare në Kosovë kanë kërkuar nga i dërguari i BE, Miroslav Lajçak më shumë qartësi për propozimin evropian të statutit të Asociacionit të Komunave më shumicë serbe, i cili ende nuk është publikuar.

https://p.dw.com/p/4YXdw
Miroslav Lajçak në takim me ambasadorë të BE në Kosovë - përfaqësues të BE në tryezë me dosje, gota uji përpara dhe filxhanë  kafeje
Miroslav Lajçak në takim me ambasadorë të BE në KosovëFotografi: Office of the EU envoy for the Kosovo-Serbia dialogue Miroslav Lajçak

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen javën e ardhshme në Bruksel, në kuadër të diskutimeve dhe diplomacisë ecejake që po vazhdon për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Raundi i ri dialogut, në nivel kryenegociatorësh në Bruksel vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq zhvilluan takime të ndara në Bruksel më 26 tetor, me liderët e BE-së, Presidentin e Francës, Kancelarin e Gjermanisë dhe kryeministren e Italisë. Scholz, Macron dhe Meloni, i kërkuan Kosovës që ta  formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa,  Serbisë të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.

Lajçak vlerëson pozitivisht takimet e zhvilluara në Kosovë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ishte në Kosovë dy ditë, të hënën dhe deri të martën vonë, ku kishte takime të ngjeshura me përfaqësues të qeverisë, ata të institucioneve ndërkombëtare civile dhe ushtarake, ambasadorë të vendeve perëndimore dhe përfaqësues të partive politike opozitare. "Pata një ditë shumë produktive në Kosovë me shkëmbime të mira për zhvillimet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, shkroi Miroslav Lajçak, duke publikuar edhe fotografi nga secili takim.

Drafti i statutit të Asociacionit që tashmë ju ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nuk është bërë publik dhe disa nga përfaqësuesit e partive opozitare ndonëse ishin në takim me Lajçak, po kërkojnë më shumë hollësi për përmbajtjen e projekt-statutit.

Miroslav Lajçak në takim me partië politike opozitare në Kosovë - kreu i PDK, Memli Krasniqi
Miroslav Lajçak në takim me partië politike opozitare në KosovëFotografi: Office of the EU envoy for the Kosovo-Serbia dialogue Miroslav Lajçak

Reagime nga opozita në Kosovë

I vetmi që tha pas takimit se e ka lexuar draftin, ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se qëndrimin e tij për Asociacionin do ta bëj publik pas shqyrtimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kurse kryetari i Partitë Demokratike të Kosovës partia më e madhe opozitare, Memli Krasniqi, tha se shqetësimet e tij "vazhdojnë të jenë prezente, sepse nuk është i njoftuar mbi detajet e draftit. "Siç thotë një shprehje po e them që është ndërkombëtare, dreqi fshihet në detaje. Neve na duhet të shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë”, tha Memli Krasniqi.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ndërkaq, tha se "është çështje që po e ruajnë procesin për veten e tyre dhe natyrisht një po e konfirmuar nga Kosova u tha edhe nga zoti Lajçak se Kosova ka pranuar edhe planin edhe sekuencimin dhe zbatimin e marrëveshjes dhe gjithë modelin evropian dhe tani është çështje që procesi do të zhvillohet”. Sipas tij, nuk ka shumë kohë dhe nuk guxon që të humbet ky moment, duke paralajmëruar se si LDK, jemi "të kujdesshëm të bëhemi gardianë të parimeve të dialogut”. I vetmi lider i opozitës që tha se a ka lexuar projekt statutin evropian për Asociacionin ishte kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, duke shpalosur shumë pak detaje.

"Kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi por, po ashtu janë plotë lehtësira që i krijohen në arsim, në shëndetësi, funksionim dhe mundësive tjera që jep Asociacioni”, tha Haradinaj.

Miroslav Lajçak në takim me përfaqësues të KFOR
Miroslav Lajçak në takim me përfaqësues të KFORFotografi: Office of the EU envoy for the Kosovo-Serbia dialogue Miroslav Lajçak

Pas takimit të 26 tetorit në Bruksel me udhëheqësit kryesor evropian, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se "ishte  i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin. Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq propozimin për Asociacionin e ka cilësuar si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve, por, disa herë e ka theksuar qartë se "nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës”, pavarësisht kërkesës ndërkombëtare.