Kosova heq vizat për Bosnjë-Hercegovinën nga 1 janari 2025
14 Tetor 2024Kosova do të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 Janar 2025 dhe do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë mbajtësit e kartave të identitetit nga Bosnjë-Hercegovina. Vendimi erdhi si përgjigje ndaj refuzimit të entitetit të Republikës Srpska për të ratifikuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë në kuadër të Procesit të Berlinit. "Kosova ishte vendi i parë në rajon që ratifikoi këtë marrëveshje në Parlament, dhe për këtë arsye kemi vendosur të mos presim më,” tha Kurti. Ai shtoi se ky hap tregon përkushtimin e Kosovës për përparimin e bashkëpunimit rajonal dhe lëvizjen e lirë.
Në kuadër të Samitit u miratua plani i veprimit për tregun e përbashkët rajonal (CRM) 2025-2028, i cili është një dokument kyç për të thelluar bashkëpunimin ekonomik në rajon. Ai synon të nxisë rritjen ekonomike dhe të përmirësojë cilësinë e jetës në rajon.
Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu, tha për DW se kjo fazë e re e integrimit ekonomik rajonal, përmes planit të CRM, lidhet ngushtë me Planin e Rritjes së BE-së. "Pas 6 vitesh në këtë rol, rajoni nuk ka qenë kurrë më i vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit.” Ajo shtoi se tregu i përbashkët rajonal ofron një mundësi të madhe, por sfida është të kultivohet një vizion dhe qëllim i përbashkët për të ardhmen evropiane. "Ne nuk po formojmë një koalicion shtetesh, por po bashkojmë njerëz,” tha Bregu, duke cituar Jean Monet.
Marrëveshja e re për studentët
Marrëveshja e dytë e nënshkruar gjatë Samitit përqendrohet në lëvizshmërinë e studentëve në Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje do të lehtësojë aksesin e barabartë të studentëve nga vendet e rajonit për të studiuar në institucione të akredituara të arsimit të lartë. Me synimin për të rritur shkëmbimet akademike dhe për të forcuar bashkëpunimin në arsim, kjo marrëveshje do të ketë një ndikim të madh në nxitjen e mobilitetit të studentëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ofruar të rinjve më shumë mundësi për zhvillimin e tyre profesional dhe akademik.