Konjufca: Serbia synon destabilizimin e Kosovës
12 Dhjetor 2022Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit të tij në Shkup, komentoi zhvillimet në veri të Kosovës. Sipas tij bëhet fjalë për veprime të Serbisë të cilat "janë të papranueshme, ato kanë për qëllim destabilizimin dhe ndarjen de facto të shtetit të Kosovës. Ne si popull qëndrojmë shumë të bashkuar që t'i luftojmë këto veprime të cilat kanë si prapavijë gjeopolitike ndikimin rus dhe fuqishëm do të ecim në shtetin demokratik të Kosovës për sundim të ligjit dhe për demokraci në tërë territorin e Kosovës. Kosova është e përcaktuar për zgjidhjen e problemeve me dialog”.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se Maqedonia e Veriut mbështet plotësisht dialogun Kosovë-Serbi deri në zgjidhjen përfundimtare të pranuar nga të dyja palët, marrëveshje që ofron paqe dhe stabilitet në rajon.
Grubi: Situata në veri të Kosovës shqetësuese
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, reagoi ndaj zhvillimeve në veri të Kosovësduke e quajtur shqetësuese situatën atje. Grubi kërkoi që të shmangen veprimet dhe retorika provokuese.
"Pas vendosjes së barrikadave, shpërthimeve, sulmeve ndaj policisë së Kosovës dhe forcave ndërkombëtare të EULEX-it nga grupe kriminele, situata e sigurisë në veri të Kosovës është shqetësuese. Rrethana të papranueshme që synojnë destabilizimin dhe dezorientimin tendencioz të mbarë rajonit dhe që duhen ndaluar urgjentisht përmes dialogut dhe racionalitetit. Të përforcohet angazhimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes dyja vendeve përmes njohjes së ndërsjelltë dhe të shënohet progres i përbashkët në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Grubi.
Ahmeti: Rajonit i duhet paqë dhe prosperitet
Duke kometuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se gjendja në veri të Kosovës bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu, sepse rajonit nuk i duhen konflikte në kulmin e krizës në të cilën gjendet kontinenti evropian.
"Duhet t'u jepet fund akteve të inskenuara për të nxitur dhunë dhe konflikt. Duhet të përfundohet dialogu Kosovë-Serbi menjëherë me finalizimin e marrëveshjes që do të sjellë njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, hap ky që do të sillte paqe dhe prosperitet në mbarë rajonin”, u shpreh Ahmeti.
Në takimin kokë më kokë Konjufca-Xhaferi marrëdhëniet dy palëshe Kosovë-Maqedoni e Veriut janë vlerësuar si të frytshëme dhe të ngushta meqë të dyja vendet kanë qëllime të përbashkëta strategjike dhe gjeopolitike.
"Marrëdhëniet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut janë shembull për një fqinjësi të mirë. Kjo miqësi mes dy shteteve tona nuk është vetëm formale dhe institucionale por ka të bëjë me lidhjen e popujve tanë nga dimensioni historik, kulturor dhe lidhje të shumta familjare”, tha gjatë qëndrimit në Shkup Glauk Konjufca.