1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Izraeli hedh poshtë akuzat për gjenocid

13 Janar 2024

Dy ditë rresht Gjykata Ndërkombëtare në Hagë dëgjoi akuzat për gjenocid të ngritur nga Afrika Jugore dhe refuzimin e plotë të tyre nga Izraeli. Vendimi i parë pritet brenda pak javësh.

https://p.dw.com/p/4bCDK
Gjykata Ndërkombëtare në Hagë - Pamje e Pallatit të Paqes, ndërtesë me tulla të kuqe dhe ornamente.
Gjykata Ndërkombëtare në HagëFotografi: Thilo Schmuelgen/REUTERS

Nuk ndodh shpesh që një procedurë ligjore e Gjykatës Ndërkombëtare, gjykatë e Kombeve të Bashkuara të ndodhet kaq shumë në qendër të vëmendjes mediale. Por në Hagë këtë javë u ngritën akuza të rënda. Afrika Jugore akuzon Izraelin, se ka shkelur konventën e OKB-së për gjenocidin. Në dhjetor ky vend dorëzoi aktakuzën në Gjykatën Ndërkombëtare. Akuza: Izraeli kryen aksione në Rripin e Gazës dhe ndaj palestinezëve që "në karakterin e tyre janë gjenocidale". Edhe para gjykatës ky proces grumbulloi qindra demonstrues si ata që mbrojnë palën palestineze, edhe ata që mbështesin Izraelin.

Afrika Jugore akuzon Izraelin për shkelje të konventës së gjenocidit

Në sallën e gjyqit të mbushur plot në Pallatin e Paqes ka më shumë qetësi. Afrika Jugore akuzon Izraelin, për veprime që përfshihen në konceptin e gjenocidit, tha përfaqësuesja Adila Hassim. "Këto veprime tregojnë një model sistematik, nga i cili mund të dalë si rrjedhojë gjenocidi". Hassim renditi bombardimet nga toka, deti dhe ajri si edhe rrezikun që palestinezët të vuajnë nga uria, etja apo të vdesin nga ndonjë sëmundje. Të gjitha këto janë pasojë e sjelljes së Izraelit, "një sjellje që e bën të pamundur të arrish atë që është e nevojshmë për jetesë".

Bazë e procedurës ligjore është konventa e gjenocidit nga viti 1948. Nënshkruesit e saj, ku renditen edhe Izraeli dhe Afrika Jugore, marrin përsipër detyrimin të mos kryejnë gjenocid dhe ta ndëshkojnë atë. Gjenocid sipas konventës ndërkombëtare quhen "veprime që bëhen me qëllimin për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar."

Për të paraqitur se ka një qëllim, Afrika Jugore mbështetet ndër të tjera edhe tek deklaratat publike të funksionarëve izraelitë, si thirrja e disa politikanëve të ekstremit të djathtë, që "Rripi e Gazës të shuhet", apo një deklaratë e ministrit të Mbrojtjes së Izraelit, Yoev Gallant", se Izraeli në Gaza lufton "kundër njerëzve kafshë". Këtu përfaqësuesja e Afrikës Jugore shikon deklarata të "dehumanizimit sistematik të palestinezëve".

Afrika e Jugut akuzon Izraelin para gjykatës, Ministri i Drejtësisë i Afrikës Jugore, Ronald Lamola dhe ambasadori afrikanojugor në Holandë, Vusimuzi Madonsela -në tryezë, veshur me kostum dhe shall simbolik të Afrikës Jugore me disa ngjyra
Afrika e Jugut akuzon Izraelin para gjykatës, Ministri i Drejtësisë i Afrikës Jugore, Ronald Lamola dhe ambasadori afrikanojugor në Holandë, Vusimuzi Madonsela Fotografi: REMKO DE WAAL/ANP/AFP/Getty Images

Izraeli bën fjalë për "shtrembërime të rënda"

Izraeli është mbrojtur me forcë kundër akuzave për gjenocid të Afrikës Jugore dhe kërkon që padia të hiqet. Ka shumë shtrembërime në akuzat e afrikanojugorëve, tha përfaqësuesi i Izraelit, Tal Becker të premten. Por shtrembërimi më i madh, është që këto parashtrime nuk merren me atë se ka një konflikt të armatosur dhe se Hamasi përbën rrezik për Izraelin. Hamasi, organizata militant-islamiste e palestinezëve kategorizohet nga BE, SHBA, Gjermania e vende të tjera si organizatë terrosriste. "Izraeli ndodhet në një luftë mbrojtëse kundër Hamasit, jo kundër palestinezëve", tha Becker. Nuk ka një akuzë më të gabuar dhe më të keqe, se të akuzosh Izraelin për gjenocid.

Në masakrën e Izraelit më 7 tetor, sipas të dhënave izraelite u vranë më shumë se 1.110 vetë dhe u morën peng më shumë se 250 vetë. Pas kësaj Izraeli i shpalli Hamasit luftë dhe bombardon masivisht që atëherë Rripin e Gazës. Në këto luftime, janë vrarë më shumë se 23.000 vetë e janë plagosur rreth 59.000 vetë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, të dhëna që nuk mund të kontrollohen në mënyrë të pavarur.

Përfaqësues të palës izraelite, Këshilltari i Ministrisë së Jashtme izraelite, Tal Becker dhe juristi britanik, Malcolm Shaw -në tryezë me shënimin Izraeli, Malcolm Shaw mban veshjet e gjyqësorit britanik
Përfaqësues të palës izraelite, Këshilltari i Ministrisë së Jashtme izraelite, Tal Becker dhe juristi britanik, Malcolm ShawFotografi: Thilo Schmuelgen/REUTERS

Edhe jashtë sallës së gjyqit akuzat kundër Izraelit hidhen poshtë. Presidenti izraelit, Itzhak Herzog deklaroi në një takim me ministrin e Jashtëm amerikan, Antony Blinken, se "nuk ka gjë më të neveritshme dhe absurde se ky pretendim. E vërteta është që armiqtë tanë, Hamasi kërkojnë në manifestin e tyre shkatërrimin dhe shuarjen e shtetit të Izraelit, të vetmit shtet kombëtar të popullit hebre." "Konventa për gjenocidin u vendos nga bashkësia ndërkombëtare pas akteve më mizore të njerëzimit, Shoah-s, Holokaustit, që u drejtua posaçërisht kundër hebrenjve për të eliminuar popullin hebre." Në kujtesë të Shoah-s, Tal Becker apeloi ndaj gjykatës të justufikonte rolin e vet si mbrojtës i premtimit që del nga konventa kundër gjenocidit, premtim i dhënë me zë të lartë për një "kurrë më".

Vendimi i parë brenda pak javësh?

Në seancën dëgjimore këtë javë nuk bëhej fjalë për të vendosur, nëse është shkelur vërtet konventa për gjenocidin, por për masa mbrojtëse të përkohshme. Një sërë masash të tilla Afrika Jugore ndërkohë i ka paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare. Ndër të tjera ky vend kërkon që Izraeli të ndalë të gjitha veprimet ushtarake në Rripin e Gazës, por edhe të mos bllokojë ndihmën humanitare për Rripin e Gazës. Izraeli e refuzon një vendim për ndalimin e operacioneve ushtarake, sepse kjo nuk është e detyrueshme për Hamasin, dhe çon aty që milicia terroriste të vazhdojë sulmet e saj. Izraeli i ka kërkuar gjykatës të refuzojë vendosjen e masave të përkohshme dhe të trajtojë rastin në tërësinë e tij.

Qeveria gjermane deklaroi të premten se për shkak të "historisë gjermane dhe krimeve më të rënda të njerëzimit të Shoah-s" ndjehet veçanërisht e lidhur me konvetën për gjenocidin. Por është kundër instrumentalizimit politik të saj dhe se e hedh poshtë qartësisht akuzën drejtuar kundër Izraelit, deklaroi qeveria gjermane. Në seancën kryesore, Gjermania do të marrë pjesë si palë e tretë.

Pa seancave dëgjimore, gjykata bëri të ditur, se do të marrë një vendim mbi masat e përkohshme sa më shpejt të jetë e mundur. Ky pritet në javët e ardhshme. Deri në një vendim për akuzën kryesore, çështjen e shkeljes së konventës për gjenocidin nga Izraeli, mund të duhen vite.

 

Një grua e veshur me kostum të bardhë, e buzëqeshur me flokë të zeza
Lucia Schulten - korrespondente nga Europa me fokus të veçantë te gjykatat ndërkombëtare.