1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapet fushata elektorale në Kosovë - Komunat veriore kërcënojnë me bojkot

(dpa) Bekim Shehu28 Maj 2014

Në garë për 120 mandatet parlamentare janë 31 subjekte politike, mes tyre pesë subjekte politike serbe. Komunat veriore kërcënojnë me bojkot, sepse nuk pranojnë emblemën shtetërore në fletët e votimit.

https://p.dw.com/p/1C8A4
Wahlbeobachter Kosovo EU Parlamentswahl Pressekonferenz
Fotografi: DW/B. Shehu

Në Kosovë u hap zyrtarisht (28.05.2014)fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme më 8 qershor. Kësaj radhe fushata zgjedhore do të jetë vetëm dhjetë ditë, pasi zgjedhjet janë të parakohshme. Parlamenti u shpërnda (07.05.2014) sepse mazhoranca qeveritare nuk ishte më e fuqishme në parlament për të nxjerrë vendime, siç ishte dështimi për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK) dhe vazhdimin e mandateve të rezervuara për pakicat.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, tani vlen formula e vendeve të garantuara, prej nga pakicat kanë gjithsej 20 mandate. Por, kjo çështje ka nxitur menjëherë debatin se si do të bëhet shpërndarja e këtyre mandateve për pakicat. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) themeloi një grup punue për hartimin e një udhëzuesi, i cili do t'i shërbejë Qendrës së Numërimit të Votave për të përcaktuar më pas edhe ndarjen e mandateve në Kuvend.

KQZ bën të ditur, se "në zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit në Kosovë, do të marrin pjesë 31 subjekte politike nga të gjitha komunitetet. Janë gjithsej 19 parti politike, shtatë nisma qytetare, një kandidat dhe katër koalicione. Mes tyre janë edhe pesë subjekte politike serbe, përfshirë edhe nismën qytetare serbe, e cila mbështetet nga qeveria e Beogradit. Kjo nismë në zgjedhjet lokale të vitit të shkuar fitoi pothuaj në të gjitha komunat, në dhjetë gjithsej ku banojnë shumica e serbëve të Kosovës. KQZ mori vendim për "ndalimin e përdorimit të posterave promovues, të kandidatëve dhe subjekteve politike me qëllim të parandalimit të problemeve, që - siç u tha - mund të ndodhin mes subjekteve politike lidhur me hapësirat dhe vendosjen e tyre".

Minoritei serb nё Kosovё kёrcёnon me bojkotimin e zgjedhjeve mё tetё qershor. Kёtё e njoftuan kryetarёt e bashkive tё komunave veriore tё banuara nga shumicё serbe. Kёrcёnimi i tyre argumentohet me pёrdorimin e emblemёs sё shtetit tё Kosovёs nё fletёt e votimit. Pakica serbe nuk e njeh shtetin e Kosovёs, qё u shkёput para gjashtё vjetёsh nga Serba dhe deri tani ёshtё pranuar ndёrkombёtarisht nga 107 shtete.

Një ekip prej 100 vëzhguesve të Bashkimit Evropian tashmë kanë nisur punën e tyre në terren për të monitoruar fushatën zgjedhore dhe procesin e votimeve. Shefi i këtij misioni, Roberto Gualtieri, në një deklaratë me shkrim për media thotë se "këto zgjedhje janë një tjetër moment historik i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm demokratik të Kosovës".

"Prania jonë këtu pason vëzhgimin e vitit të kaluar të zgjedhjeve lokale dhe pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të BE-së për mbështetjen e zgjedhjeve transparente, gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese në Kosovë", thekson Gualtieri. Sipas tij, vëzhguesit e Bashkimit Evropian, do ta kryejnë punën në mënyrë të pavarur nga institucionet e tjera të BE-së në Kosovë, duke përfshirë edhe Zyrën e BE-së në Kosovë, Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve anëtare të BE-së.

Roberto Gualtieri, shef i misionit të BE-së në Kosovë
Roberto Gualtieri, shef i misionit të BE-së në KosovëFotografi: picture alliance / AP Photo

Për të garantuar një proces të rregullt zgjedhore, pos mijëra policëve që do të jenë të angazhuar në ditën e votimit edhe Kryeprokuroria e shtetit bën të ditur se "ka formuar një grup punues me staf nga të gjitha komunat dhe në ditën e votimit do të angazhojë 100 prokurorë dhe 300 anëtarë staf civil".

Për të garantuar një proces të rregullt zgjedhor edhe në veriun e Kosovës e banuar më shumicë serbe, në këtë pjesë do të angazhohet OSBE-ja. Këtë ia konfirmon DW-së, zëdhënësi i këtij misioni në Kosovë, Nikolla Gaon. OSBE-ja ka qenë e përfshirë edhe në organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës vitin e shkuar, ku serbët e atjeshëm morën pjesë për herë të parë në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës.