1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Këshilli i Sigurimit debaton për Kosovën

Bahri Cani27 Maj 2014

Për herë të parë në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën merr pjesë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Palën serbe e prezanton presidenti Tomisllav Nikoliq.

https://p.dw.com/p/1C7Qa
KS i OKB
KS i OKBFotografi: picture-alliance/dpa

Këshilli i Sigurimit të OKB do të debatojë të martën (27.05.2014) raportin e fundit tremujor të Sekretarit të Përgjitshëm Ban Ki Moon ku thuhet se kanë mbetur edhe "disa sfida shumë serioze në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë." Marrëveshja është arritur në prill të vitit 2013 mes kryeministrit të atëhershëm të Serbisë Ivica Daçiq dhe kryeministrit të Kosovës në detyrë Hashim Thaçi. Nga kjo marrëveshje nuk është zbatuar as pjesa për krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ndërkohë që disa çështje, si ato juridike, kanë mbetur pa u zgjidhur deri në fund.

Inkurajim për palët

Ban Ki-Moon
Ban Ki-MoonFotografi: Simon Maina/AFP/Getty Images

"Inkurajoj të dyja palët që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes dhe të nisë themelimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Por pengesat e paraqitura nuk duhet të hedhin hije mbi rezultatet e shumta pozitive që janë arritur në dialogun mes kryeministrave të filluar në vitin 2012", thuhet në raportin e Ban Ki Moonit.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së shpreson se dialogu do të vazhdojë shumë shpejt pas zgjedhjeve në Kosovë dhe krijimit të organeve të reja të qeverisjes, sepse kanë mbetur edhe shumë punë pa u përfunduar. Në radhë të parë për çështjet juridike.

"Shpresoj se në takimin e radhës që do të mbahet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të arrihet edhe marrëveshja përfundimtare për integrimin e sistemit juridik", theksohet në raport. Ban Ki Moon pohon se dialogu është ngadalësuar për shkak të zgjedhjeve në Serbi dhe në Kosovë, por nënvizon se vazhdimi i dialogut është i domosdoshëm. "Zgjedhjet e kaluara lokale në Kosovë dhe pjesëmarrja e serbëve për herë të parë edhe në veri të Kosovës paraqesin një dëshmi për "zgjedhje të suksesshme".

Vazhdimi i dialogut

Atifete Jahjaga
Atifete JahjagaFotografi: Alexander Klein/AFP/Getty Images

Ban Ki Mooon pohon se angazhimi i BE-së në dialog është vendimtar për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërkohë që ky dialog është vendimtar edhe për afrimin e Kosovës dhe Serbisë me Brukselin.

Ban Ki Moon pohon se edhe vlerësimet strategjike të EULEX-it gati kanë përfunduar dhe së shpejti do të bëhet publike korniza e veprimeve të këtij misioni në të ardhmen. Por sipas tij, ky mision ka ndihmuar në masë vendosjen e sistemit juridik në Kosovë.

Raporti më i ri përfshin periudhën nga 21 janari deri më 15 prill 2014. Ndërsa për herë të parë në seancat e KWshillit të Sigurimit do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Palën serbe do ta përfaqësojë homologu i saj Tomisllav Nikoliq.