Greqia përgatitet për sezonin turistik
1 Qershor 2021Fshati i vogël Toroni shtrihet në Halkidiki, në veri të Greqisë. Dielli i ngrohtë i pranverës tërheq për banjo vizitorët e parë në plazhet e gjata me rërë. Plazhet janë ende bosh, por përgatitjet për sezonin veror po bëhen me intensitet të plotë. Fshati varet nga turizmi.
Në vitin e dytë të pandemisë, pronarët e hoteleve, si Mirélla Menegáki, shpresojnë se do të ketë më shumë vizitorë. Vera e kaluar e zhyti industrinë greke të turizmit në një krizë të thellë. Por këtë vit pronarët e hoteleve janë optimistë. Mirélla Menegáki thotë se për shkak të kërkesave të rrepta prej koronës, asaj i duhet dy herë më shumë kohë për të pastruar dhe dezinfektuar 23 dhomat e hotelit të saj sesa para pandemisë. Por këto kohë të vështira ajo i sheh edhe si një mundësi për hotelet e vegjël.
„Ne e kemi shumë më lehtë t'u përmbahemi masave. Secila dhomë ka shumë hapësirë. Mysafirët nuk kanë pse të grumbullohen dhe ngjeshen. Mjediset e pakta të përbashkëta i pastrojmë dhe dezinfektojmë tri deri në katër herë në ditë. Kështu që mund t'u përmbahemi masave pa ndjerë ndonjë presion", thotë Menegáki.
Turistë nga Ballkani
Por që sezoni t'ia vlejë, duhet që hotelet e vegjël t'i kenë të gjitha dhomat të rezervuara për të gjithë kohën. Mirela tregon se asaj i duhet të kujdeset për ekuilibrin ekonomik të biznesit të saj. Shumë nga vizitorët e saj vijnë nga vendet fqinje të Ballkanit. Dhe ajo shpreson që testet dhe vaksinimet e detyrueshme do të sjellin siguri shtesë.
Po ashtu ajo mendon, se plazhet e gjata dhe zonat për shëtitje përreth Toronit ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për të gjithë për t'u çlodhur ose për të qenë aktiv. Në Barin Ethnik Beach, vizitorët mund të festojnë konform rregullave për koronën: mjedise të hapura, distancë e mjaftueshme dhe dezinfektim i rregullt. Rregulloret higjeno-shëndetësore dhe biznesi duhet të bashkëjetojnë krah për krah në kohë pandemie.
„Para se të nisesha unë bëra testin PCR që doli negativ, pastaj bëra dhe një tjetër kur arrita. Pra nuk kam frikë", thotë Reccy Midigo, vizitore nga Kanadaja. Kurse Niki Argyropoúlou, pronare e Ethinc Beach Bar ka shpresa kjo verë do të jetë më e mirë. „Le të shpresojmë se gjërat do të shkojnë më mirë këtë vit dhe se do ta kapërcejmë këtë situatë. Si gjithmonë, ne mbështetemi tek muzika dhe lokali ynë." Vizitorët duhet të ndihen të sigurt, pavarësisht virusit. Qoftë në barin e plazhit, qoftë duke shijuar perëndimin e diellit nga ballkonet e hotelit.