Greqia përgatitet për turistët
5 Maj 2020Për vende si Greqia, ku turizmi përbën afër një të tretën e ekonomisë së vendit, mbyllja e hoteleve, bllokimi i udhëtimeve turistike këtë vit për shkak të Coronës do të ishte një goditje e rëndë. Ky vend i trembet humbjes se mijëra vendeve të punës në këtë sektor. Prandaj qeveria greke po merr masa që megjithë kushtet e Coronës të mundësojë turizmin gjatë verës. Nga qershori planifikohet hapja me disa faza e hoteleve. Disa hotele kanë filluar përgatitjet, por edhe kafenetë e plazheve.
Charlie Chahine, pronari i një kafeneje plazhi në ishullin Santorini u prezantua me entuziazëm në televizionin grek. Ai përshëndeste me telefon nga plazhi i ishullit vullkanik Santorini, ku kishte vendosur xhamat ndarës pleksiglas mes shezlongjeve të plazhit. Chahine mendon se kështu mund të funksionojë pushimi në plazh këtë vit në kohën e Coronës. Tani klientët mund të vijnë, thotë Chahine.
Por shumë nga kolegët e tij nuk e besojnë këtë. Charalambos Voulgaris, pronar i dy resorteve turistikë në ishullin e Korfuzit thotë se "turizmi ndodhet para krizës më të madhe të gjeneratës.” Ai nuk është shumë optimist, se këtë vit do të hapen hotelet. "Ekonomia këtu në Korfuz varet plotësisht e gjitha nga turizmi. Ndoshta mund të mos hapim aspak këtë verë, edhe po qe se hapen, do të zihen vetëm disa dhoma. Ne nuk e dimë ende, nëse do hapim, nuk e dimë kur do t'i hapim, përpara kemi kohë shumë të vështira.”
Turizmi grek jeton nga të huajt
Temperaturat janë rritur aktualisht në Greqi, 25 gradë, sezoni duhej të fillonte me mijëra pushues nga Anglia apo Gjermania. Por plazhet në Korfuz janë bosh. Në ishujt grekë nuk mund të udhëtojë askush, që nuk e ka vendin kryesor të banimit aty. Qytetarët grekë me gjasa do mund të udhëtojnë në ishuj nga qershori, por turizmi në ishull jeton nga pushuesit e huaj. Kur do të vijnë ata? Përgjigja e ministrit të Turizmit të Greqisë, Charis Theocharis: „Kjo është pyetja 1 milionë dollarë.” Sipas tij "nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga të gjithë vendet e tjera, se si veprojnë ato me krizën. Por objektivi ynë është që dikur në korrik të hapim turizmin.”
Charis Theocharis shpreson që vendet e BE së shpejti të bien dakord për rregulla të përbashkëta për hapjen e kufijve. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë Greqia mundet që me vende të caktuara të bëjë marrëveshje bilaterale, që lejon udhëtimin e turistëve.
Por ende ka shumë pyetje të hapura: Çfarë testesh shëndetësorë duhet të bëjnë pushuesit para udhëtimit? A duhet që hotelet të bëjnë ndryshime të restoranteve të tyre për shkak të ruajtjes së distancës? A do ketë së pari fluturime?
Turistët europianë të vijnë tek ne
Ministri grek i turizmit, Theocharis shpreson që këto pyetje të marrin përgjigje deri në korrik. Në një diskutim të televizionin grek ai thotë, se „këtë verë me siguri nuk do të ketë turistë nga SHBA apo vende të tjera të largëta në Greqi. Edhe europianët zor se do bëjnë udhëtime të largëta në kontinente të tjera. Ata mund të vijnë tek ne. Sepse ne jemi vendi më i sigurtë në hapësirën e Mesdheut.”
Sipas ministrit grek, qeveria e Athinës ka reaguar shumë shpejt ndaj rrezikut të Coronës dhe vendosi masat kufizuese. Prandaj shifrat e infeksioneve në Greqi janë shumë të ulta, tani mund të përgatitet hapja e vendit për turistët. Nëse mes pushuesve duhen vendosur xhamat pleksiglas për këtë shumë grekë janë skeptikë. Xhamat nuk do pengojnë vetëm virusin, por edhe flladin e detit. E pa këtë fllad temperaturat greke në verë që kapin edhe 40 grad mund të kthehen shpejt në një torturë për pushuesit.