Gjermania zgjati mandatin e Bundeswehr-it në Kosovë
8 Korrik 2022Parlamenti gjerman miratoi të premten pasdite (8.07.2022) vazhdimin e pjesëmarrjes së Bundeswehr-it në KFOR. Kërkesa përkatëse e qeverisë gjermane u miratua me vota nga pozita (socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe liberalët) dhe Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial. (CDU/CSU), që ndodhet në opozitë. Partitë e krahëve majtist (Die Linke) dhe djathtist (AfD) ishin kundër zgjatjes së mandatit. Votimi për pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në Kosovë bëhet me votim të hapur me emër. Nga 627 deputetët që dhanë votën, 526 votuan pro, 99 kundër dhe 2 abstenuan. Parlamenti gjermanë ka gjithsej 736 deputetë.
Liberalizim i vizave dhe anëtarësim në KE
Shumica e folësve në debatin 40-minutësh theksuan domosdoshmërinë e prezencës gjermane në kuadër të KFOR-it, si faktor stabilizues në rajon.
Volker Ulrich, nga CDU/CSU tha se "njerëzit në rajon duhet të kenë besim te Evropa. Dhe për Kosovën kjo do të thotë se nuk duhet të drejtojmë apele vetëm për përmirësimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe të mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si shkallë e parë e perspektivës së anëtarësimit në BE.”
Ulrich Lechte, nga partia bashke-qeverisëse, FDP, u shpreh gjithashtu në favor të anëtarësimit të Kosovës në KE: "Nuk duhet ta humbasim shansin historik për ta futur Kosovën në Këshillin e Evropës”, tha deputeti liberal. Ai vuri në dukje se "Kosova tashmë i ka plotësuar 80 përqind të kërkesave të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me BE-në dhe deri në fund të vitit do të bëjë kërkesë për anëtarësim në BE.”
Ngjashëm argumentoi edhe, Adis Ahmetoviç, raportues i partisë socialdemokrate për Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi domosdoshmërinë e zgjatjes së mandatit, nisur nga gjendja ende e paqëndrueshme në rajon. Por ai vuri në dukje, se stabilizimi afatgjatë i rajonit kërkon edhe përparime në aspektin politik: Ahmetovic tha se tashmë ka filluar një ndryshim epokal në politikën e Gjermanisë në Ballkan. Por ai tha se tani duhet të pasojnë veprat: "Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Dhe Kosova duhet të njihet edhe nga pesë vendet evropiane. Ky është plani i qeverisë federale. Dhe ne do të qëndrojmë me këtë plan”, u zotua ligjvënësi i gjerman, i cili i përket së njëjtës parti, si kancelari Olaf Scholz.
„Shtet i dështuar” dhe "adhurues të fashistëve”
Kundër zgjatjes së mandatit u shprehën - si gjithmonë - dy partitë ekstreme: majtistët (Die LInke) dhe djathtistët (AfD).
Hannes Gnauck, nga AfD, e quajti Kosovën një "shtet të dështuar”. "Nuk do të ketë kurrë një shtet multi-etnik në Kosovë, dhe kjo dihej që para dhjetë vjetësh”, tha deputeti gjerman. Ai kujtoi 27 ushtarët që lanë jetën gjatë misionit të KFOR-it në Kosovë dhe kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e një "strategjie exit”, pra, për të dalë nga Kosova.
Deputetja e partisë "E Majta", Zaklin Nastic, e quajti Kosovën shtet "tërësisht jofunksional” me "korrupsion në nivel të lartë”. Nastic tha se në Kosovë "kolaboratorë nazistë si Xhafer Deva nderohen nga pjesë të mëdha të popullsisë e deri te qeveria. Pikërisht ai Xhafer Deva, që në luftën e dytë botërore krijoi divizionin SS Skënderbeu dhe është i njohur për krime kundër hebrenjve. Është vërtet e tmerrshme që vetëm pas një presioni të jashtëzakonshëm, Bashkimi Evropian dhe Qendra Zhvillimore e OKB-së hoqën dorë nga financimi i kthimit të shtëpisë së këtij fashisti në qendër kulturore. Dhe është një skandal tjetër që qeveria në Prishtinë vazhdon t'i qëndrojë këtij plani”, tha politikania majtiste. "Për Të majtën është e qartë: Kush adhuron fashistët nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë dhe të drejtat e njeriut.”
Deri në 400 ushtarë
Gjermania merr pjesë prej vitit 1999 në trupën paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Mandati parashikon dërgimin e deri në 400 ushtarëve gjermanë. Kontingjenti gjerman i KFOR-it mbetet kështu i njëjti si më parë, por Gjermania po e shton praninë ushtarake në Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje në misionin EUFOR /Althea në Bosnjë-Hercegovinë. Bundestagu gjerman gjithashtu e miratoi këtë të premten në pasdite.
Misioni paqeruajtës i KFOR-it në Kosovë është angazhuar që nga viti 1999 në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 1999, Bundestagu Gjerman vendosi për herë të parë pjesëmarrjen gjermane në një mision jashtë vendit. Aktualisht numri i ushtarëve gjermanë të stacionuar është rreth 70. Vazhdimi i misionit pritet t'i kushtojë shtetasve gjermanë shtatë milionë euro.