1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania rrit presionin për vaksinim

11 Gusht 2021

Pas katër orësh video-konferencë, qeveria dhe landet në Gjermani vendosën të martën të specifikojnë masat mbrojtëse kundër virusit korona. Në vijim një përmbledhje e rregullave.

https://p.dw.com/p/3ypS9
Berlin | Pressekonferenz: Angela Merkel
Fotografi: Clemens Bilan/Getty Images

Qeveria dhe landet gjermane vendosën të martën, në një konferencë virtuale të kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të 16 landeve që të forcojnë masat  parandaluese të përhapjes së koronës. Shkas është rritja e incidencës për shkak të variantit delta dhe niveli ende i ulët i vaksinimit. 

Testet do të jenë me pagesë

Nga 11 tetori e tutje, testet do të jenë me pagesë. Kjo vlen vetëm për refuzuesit e vaksinave. Për të pavaksinuarit e tjerë, si për shembull, të miturit dhe të rinjtë nën moshën 18 vjeçare, dhe gratë shtatzëna, për të cilët nuk këshillohet patjetër vaksinimi, testet do të vijojnë te jenë falas.

Se sa do të kushtojë një test, kjo do të varet nga ofruesi. Deri tani shteti gjerman u kishte rimbursuar ofruesve të testeve deri në 18 euro për një test antigjen. Prej 1 korrikut ky rimbursim u ul në 11,50 euro për test.

Thirrje për vaksinim

Federata dhe landet apelojnë në mënyrë urgjente te popullsia që të shfrytëzojë ofertat e vaksinimit - madje sa më shpejt. Punëdhënësve u bëhet thirrje që t'ua lehtësojnë punëmarrësve mundësinë e vaksinimit, për shembull duke ofruar vaksinime nga mjeku i kompanisë.
Kush dëshiron të ketë një mbrojtje të plotë deri në vjeshtë, duhet të fillojë që tani me vaksinimin, thuhet në vendimin e landeve dhe federatës. Deri tani, sipas burimeve zyrtare, janë vaksinuar 45,8 milionë qytetarë ose 55,1 përqind e banorëve. Qeveria synon të arrijë një kuotë deri në 85 përqind.

Coronavirus - Club-Pilotprojekt in Berlin
Projekt pilot në klubet e Berlinit: Vizitorët duhet të bëjnë teste para se të hyjnë klub Fotografi: Sean Gallup/Getty Images

Rregulli 3G mbetet ne fuqi

Nga 23 gushti e tutje do të vlejë i ashtuquajturi rregulli i ashtuquajtur 3G, që do të thotë se hyrja në ambientet e mbyllura lejohet vetëm për të vaksinuarit, të testuarit negativisht apo të shëruarit. Kush nuk është i vaksinuar apo shëruar së fundmi nga virusi i koronës do të hyjë në spitale, qendra kujdesi për të moshuarit, kisha, palestra sportive, hotele, bare restorante, vetëm me test negativ. Një test i shpejtë antigjen nuk duhet të jetë më i vjetër se 24 orë, një test PCR jo më i vjetër se 48 orë.

Landet mund ta shfuqizojnë rregulloren, nëse shifrat e infektimeve janë të ulëta shtatë ditë (nën 35 infektime për 100 mijë banorë) dhe "nuk pritet një rritje e infektimeve pas shfuqizimit të rregullit." Masat bazë të mbrojtjes për të gjithë popullatën si detyrimi i maskës në supermarkete apo dyqane dhe në qarkullimin urban do të mbeten edhe në të ardhmen. Çdo katër javë do të verifikohen këto masa.

Ndryshohen faktorët që përcaktojnë gjendjen epidemike

Në të ardhmen, gjendja e përhapjes së pandemisë do të përcaktohet jo vetëm në bazë të incidencës, por edhe nga kuota e vaksinimit dhe numri i njerëzve të sëmurë rëndë, si edhe në varësi të ngarkesës për sistemin shëndetësor. Një model i ngjashëm ishte aplikuar më parë në Saksoni. 

Berlin, Deutschland | Jakob Maske | Coronavirus - Impfung beim Kinder- und Jugendarzt
Niveli i vaksnimit në Gjermani është ende i pamjaftueshëm për të përballuar përhapjen e virusit Delta, thonë ekspertët Fotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Ndihmat për sipërmarrjet vijojnë

Qeveria federale gjithashtu premtoi të zgjasë deri në fund të vitit ndihmën kalimtare (III) për kompanitë e goditura veçanërisht rëndë nga pandemia. Edhe aksesi në ndihmat për kompanitë që i kanë kaluar punëtorët e tyre në orar të shkurtuar do të zgjatet deri në fund të vitit. Veç kësaj, kompanive u ofrohet edhe një shpërblim shtesë për të rikthyer stafin në punë.

Gjendja emergjente e epidemisë do të zgjatet

Gjendja emergjente e epidemisë do të mbetet. Ajo aktualisht është në fuqi deri më 11 shtator 2021. Për zgjatjen e saj do të nevojitet miratimi i parlamentit gjerman (Bundestag). Federata dhe landet kërkuan të martën që "gjendja epidemike në nivel mbarëkombëtar" të zgjatet përtej 11 shtatorit 2021. Kjo nevojitet për të legjitimuar një sërë masash që mund të dekretojnë organet zyrtare kundër pandemisë.