Gjermania në krizë buxhetore: Çfarë është në rrezik
24 Nëntor 2023A do të paguhen dot tani rrogat e nëpunësve dhe pensionet? Kjo pyetje u shfaq në medie pas vendimit të qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për të bllokuar gjerësisht buxhetin e vendit. Pyetja e ka burimin në paralelizmin me bllokimet e buxhetit në SHBA, ku kundërshtarët politikë bëjnë presion ndaj tjetrit duke mosfirmosur lëvrimin e fondeve. Në Gjermani pagat e nëpunësve dhe pensionet do të vazhdojnë të paguhen, ato nuk janë në rrezik. Situata e pazakontë është krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pasi qeveria e kancelarit Scholz e respektoi brenda javës vendimin e Gjykatës prestigjoze gjermane.
Gjykata Kushtetuese tha se qeveria e kancelarit Scholz kishte shkelur rregullin kushtetues për borxhet. Sepse kishte transferuar kreditë e caktuara për rikuperimin nga pandemia (2021) në fondin për mbrojtjen e klimës dhe transformimin e ekonomisë, pa argumentim bindës. Bëhet fjalë për një shumë gjigande prej 60 miliardë eurosh.
Gjykatësit thanë edhe se kreditë emergjente, të pakonsumuara, nuk lejohet të ruhen si rezervë e të shfrytëzohen më vonë, siç bëri qeveria. Vendimi i gjykatësve kushtetues ka shkaktuar një krizë buxhetore, me pasoja të mundshme politike. Ai ka tronditur fort barazpeshën e brishtë në radhët e koalicionit të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë ndërmjet socialdemokratëve, të gjelbërve,liberalëvenë Berlin. Të enjten në mbrëmje ministri i Financave, Christian Lindner, tha se do ta shpallte vitin 2023 një vit emergjence. Me këtë pezullohet rregulli i borxhit dhe shpenzimet fitojnë "bazë të fortë kushtetuese".
Zgjidhje pragmatike - por e përkohshme
Me këtë hap qeveria mund t'i plotësojë premtimet kryesore të bëra për vitin 2023-2024. Presioni i krijuar, ndër të tjera, nga industria e çelikut, nga Banka Gjermane për Rindërtimin, nga Forcat e Armatosura, të prekura nga shkurtimet e pritshme, është i madh. Ndaj liberali Lindner vendosi të enjten goditjen e shpejtë çliruese: qeveria do të paraqesë në dhjetor në Bundestag kërkesën për të pezulluar për të katërtin vit radhaz rregullin e borxheve.
Qeveria pritet të argumentojë se ishte situatë e jashtëzakonshme në fillim të vitit 2023, pasi pasojat e krizës energjetike ishin të dukshme. Me një rezolutë emergjente, do të miratohet një buxhet shtesë për vitin 2023.
Me këtë jo vetëm do të justifikohen juridikisht shpenzimet tashmë të bëra. Por do të paguhen edhe subvencionet e premtuara për ngrohjen, në shumën 18 miliardë euro; shkurtimi në shpenzimet për ushtrinë as që diskutohet më; industria e çelikut do të marrë 4 miliardë euro, për të prodhuar çelik me teknologji të gjelbër; kompania e gjysëmpërçuesve Intel në Magdeburg do të marrë 10 miliardë eurot e premtuara e kështu me radhë.
CDU/CSU: koalicioni qeveritar tripartiak nuk di të qeverisë
Marcel Fratzscher, Presidenti i Institutit Gjerman për Kërkimet Ekonomike flet për një gabim "të ndershëm" të qeverisë me rialokimin e fondeve. Me paratë e rialokuara u subvencionua edhe çmimi i ngrohjes së familjeve gjermane, pra njerëzit vuajtën më pak.
Por për grupin parlamentar të opozitës CDU/CSU gabimi formal është dëshmi e re që koalicioni qeveritar tripartiak në pushtet, thjesht nuk di të qeverisë.
Kriza buxhetore ka pasoja të rënda ekonomike
Pasiguria për atë që mund të shpenzohet apo jo është shumë e dëmshme për ekonominë gjermane. Po të thellohet recesioni i lehtë i ekonomisë gjermane, sepse tani mungon besimi i investorëve, problemet i ndjen i gjithë Bashkimi Evropian.
Për vitin 2024, do të jetë në fuqi vetëm një buxhet provizor, nëse qeveria nuk arrin ta miratojë atë në minutën e fundit, këtë vit. Si në kohë ndërrimi të qeverive, pas zgjedhjeve parlamentare. Janë bllokuar gjerësisht shumë projekte të reja, me shpenzime, që shtrihen në disa vjet.
Pikëpyetje e madhe për fondet speciale
Situata është e ndërlikuar. Pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese u vë pikëpyetje të gjitha fondeve të jashtëzakonshme të qeverisë, të planifikuara në krizat e fundit. Sipas disa mediave, janë 30 fonde të tilla që arrijnë shumën 869 miliardë euro.
Me fondet e jashtëzakonshme qeveria ka anashkaluar rregullin e borxhit, në krizat e njëpasnjëshme, të Covid-19, në krizën energjitike, në krizën e inflacionit.
Frena e borxhit në kushtetutë - një zgjidhje gjermane
Idetë fillestare për të disiplinuar shpenzimet e qeverisë u shprehën në fillim të viteve 2000. Shpenzimet e ribashkimit, papunësia e lartë i kishin rënduar financat e shtetit. Në kushtetutë, frena e borxhit u fut në vitin 2009, në qeverinë Merkel. Rregulli i fiksuar në kushtetutë prej atëherë ndalon që deficiti publik të kalojë 0,35% të Produktit të Brendshëm Bruto - me përjashtim të situatave të jashtëzakonshme.
Ky instrument ndihmoi në stabilitetin financiar të Gjermaninë. Deri në vitin 2019, borxhi ra nën 60% të PBB, nga 81% që ishte një dekadë më parë. Gjermania u kthye në referencë fiskale për Eurozonën, me një dekadë rritjeje ekonomike të pandërprerë e punësim gati të plotë.
Por situata gjeopolitike atëherë ishte e ndryshme. Gjermania blinte gaz të lirë nga Rusia. Kina nuk shihej si konkurente, por si blerëse e zellshme e Gjermanisë.
Borxhi aktual i Gjermanisë dhe e ardhmja
Frena kushtetuese e borxhit solli disiplinë në shpenzimet e shtetit. Kriza aktuale e buxhetit nuk është krizë reale: paratë për borxhet ekzistojnë edhe tani, por Berlini ia ka ndaluar vetes me rregullin kushtetues t'i përdorë ato.
Në vitin 2022, përqindja e borxhit gjerman ishte 66,3 përqind e PBB. Para pandemisë ky raport kishte rëne në 59,6 përqind të PBB. Edhe sikur të llogarisësh në borxh fondet speciale, Gjermania mbetet ende referencë në disiplinën buxhetore - krahasuar me mesataren e borxheve të shteteve të tjera të Eurozonës.
Aktualisht megjithëkëtë shumë ekspertë e shohin frenën e borxhit si instrument jointeligjent, pasi ajo nuk bën dallime në llojin e shpenzimeve që frenon. Frenimi i investimit në arsim sot p.sh. sjell probleme punësimi për të nesërmen. Kjo godet të ardhmen.
Problematik ky rrjet sigurie ka rezultuar edhe për landet federale. Detyrimin për t'ju përmbajtur rregullit kushtetues për borxhet e kanë edhe ato. Por edhe landet me kryeministra konservatorë (CDU/CSU) janë përpjekur ta anashkalojnë.
Thirrjet për ta reformuar këtë mekanizëm kushtetues deri tani nuk mbështeten nga CDU. Dhe kushtetuta e Gjermanisë mund të ndryshohet vetëm me një shumicë prej dy të tretash, pra edhe me opozitën.
Pasoja politike të bllokimit të buxhetit?
Probleme politike do të krijohen sapo të diskutohet konkretisht se cilave projekte do t'u hiqet vizë, sepse tani mungojnë 60 miliardë euro. Liberalët kërkojnë të bëhen shkurtime sociale. Por kjo do të prekte fillimisht pensionet, pastaj subvencionet për arsimin, pra do të godiste kohezionin social. Ndaj këtë e kundërshtojnë socialdemokratët e Të Gjelbrit. Nga ana tjetër, Të Gjelbrit kërkojnë taksat më të larta për më të pasurit, por këtë e kundërshtojnë liberalët.
Ka thirrje për bashkëpunim edhe me CDU-në. Por CDU duket se synon ta shtyjë Gjermaninë drejt zgjedhjeve të reja. Ajo thotë se mund ta hedhë në gjyq tani edhe Fondin për Stabilizimin e Ekonomisë. Prandaj ministri i Financave Lindner e akuzoi opozitën se kërkon ta hedhë në kaos Gjermaninë.
Pas dyerve, njëkohësisht ekspertët po punojnë me vrull për të gjetur zgjidhje.