1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania kundër shpërbërjes së marrëveshjeve pas Brexitit

5 Korrik 2022

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kritikon në një artikull të përbashkët me homologun e saj irlandez planet britanike për të ndryshuar protokollin e Irlandës së Veriut.

https://p.dw.com/p/4DeWe
Pro Europe Brexit Protest in London
Fotografi: Dan Kitwood/Getty Images

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, dënoi planin e Londrës për të hequr dorë nga Protokolli i Irlandës së Veriut, për të cilin ishte rënë dakord si pjesë e marrëveshjes tregtare pas Brexitit.

Në një artikull të përbashkët me homologun e saj irlandez, Simon Coveney, të botuar në gazetën britanike "The Observer", Baerbock thotë se "nuk ka asnjë justifikim ligjor apo politik për thyerjen e njëanshme të një marrëveshjeje ndërkombëtare të lidhur vetëm dy vjet më parë”.

Qeveria e Britanisë së Madhe ka sinjalizuar se dëshiron të shfuqizojë pjesë të marrëveshjes që kërkojnë kontrollin e mallrave që kalojnë nga Irlanda e Veriut, në mënyrë që të ruhet një kufi i butë me Republikën e Irlandës, që është anëtare e BE-së.

Großbritannien | Protest gegen das Nordirland-Protokoll
Belfast: Protestë kundër Protokollit të Irlandës së VeriutFotografi: Peter Morrison/PA Wire/dpa/picture alliance

Baerbock dhe Coveney argumentojnë se protokolli aktual ka qenë i mirë për Irlandën e Veriut, e cila ka përjetuar një rikuperim më të shpejtë pas pandemisë sesa pjesët e tjera të Britanisë së Madhe.

"Fatkeqësisht, qeveria britanike zgjodhi të mos angazhohet në mirëbesim për këto propozime. Në vend të rrugës së partneritetit dhe të dialogut, ajo ka zgjedhur unilateralizmin", shkruajnë dy ministrat..

Pse Britania e Madhe do ta ndryshojë protokollin e Irlandës së Veriut?

Qeveria e Londrës thotë se dëshiron të zbatojë një sistem me dy korsi për mallrat që shkojnë nga territori i Britanisë së Madhe në Irlandën e Veriut dhe për ato që do të kalojnë përtej kufirit në Republikën e Irlandës.

Kufiri i Irlandës së Veriut me BE-në ishte një nga pikat më të vështira në negociatat për Brexitin për shkak të këmbënguljes së BE-së për të shmangur një kufi të fortë në ishullin e Irlandës.

UK Nordirland | Hafen von Larne
Porti i Larnes në Irlandën e VeriutFotografi: Peter Morrison/AP Photo/picture alliance

Por disa anëtarë të Partisë Konservatore të kryeministrit në pushtet Boris Johnson e kundërshtojnë kufirin doganor në Detin Irlandez, siç bën edhe partia kryesore unioniste në Irlandën e Veriut, DUP.

DUP refuzoi të formojë një qeveri me Sinn Fein - partia pro-republikane që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e asamblesë të këtij viti - siç përcaktohet në marrëveshjen e së Premtes së Mirë, derisa protokolli i Irlandës së Veriut të anulohet.

BE-ja ndërmori hapa ligjorë kundër Britanisë së Madhe në qershor duke thënë se ndryshimi i njëanshëm i marrëveshjes është një shkelje e ligjeve ndërkombëtare.