Britania e Madhe në realitetin e Brexitit
14 Janar 2021Ndodhia e vogël në terminalin e trageteve Hook of Holland tregon më shumë rreth Brexitit sesa disa nga deklaratat politike të bëra muajt e fundit. Një zyrtar doganor i merr një pako sanduiçe me proshutë të mbështjellë me letër alumini, që kishte me vete një shofer britanik.
"Nuk lejohet më të merrni me vete në BE ushqime të tilla si mish, fruta, perime, peshk dhe gjëra të tilla," i shpjegon ai burrit të tronditur. Udhëtari pyet nëse mund të mbajë të paktën simitet me gjalpë, po t'ua heqë proshutën. "Jo, gjithçka do të konfiskohet", thotë oficeri. "Mirësevini në Brexit, më falni ...".
Pasoja të papritura?
Që nga fundjava e kaluar, media britanike ka qenë plot me informacione në lidhje me pasojat gjoja të papritura të marrëveshjes së Brexitit. Daily Mail ankohet për "burokracinë e Brexitit në porte" dhe tregon raftet bosh të supermarketeve, ku mungojnë sallata, lulelakra ose portokallet.
Zinxhiri i dyqaneve të markës Marks & Spencer nga Parisi raporton për probleme në departamentin e ushqimeve, sepse nuk lejohet më të eksportojë produktet e veta në BE. Dhe shoqatat e prodhuesve po kalojnë nëpër studiot televizive britanike dhe bëjnë thirrje për rinegociime me BE.
Ndërkohë, ministri përgjegjës i kabinetit, Michael Gove, paralajmëron për "çrregullime të rëndësishme në kufij" që priten në javët e ardhshme, sepse më shumë kamionë do të hasin atje në më shumë kontrolle.
Portet e trageteve si Calais kanë regjistruar vetëm 25 përqind të trafikut normal që nga fundi i vitit. Sapo të jenë konsumuar mallrat në depo në fund të vitit dhe transportet të kalojnë në nivelin e zakonshëm prej rreth 1.000 kamionësh në veriun e bregdetit të Francës, ndoshta do të ketë më shumë probleme.
Kompanitë e transportit të mallrave ndërpresin shërbimet
Policia franceze ka paralajmëruar tashmë se tani do t'i marrë seriozisht kontrollet dhe se nuk do të ketë më periudhë tranzicioni. Operatori i trageteve DFDS raporton për një numër të madh kamionësh që po mbahen për shkak të mungesës ose të dokumenteve të pasakta.
Ofruesi i shërbimit të pakove DPD i ndaloi shërbimet e tij për BE në mes të javës për të gjetur se si mund të vazhdojë të punojë sipas rregullave të reja. Dhe disa kompani transporti e kanë ndjekur këtë shembull, sepse shoferët e tyre nuk i përballojnë dot mundimin shtesë dhe kohën e pritjes.
Një kompani e specializuar në tregtinë elektronike ndërkufitare pret që shitësit në internet të kuptojnë në javët e ardhshme se çfarë do të thotë Brexit për ta me rregullat e reja të origjinës, ndryshimin në përllogaritjen e TVSH-së dhe pengesat e tjera.
"Në më se një javë e gjysmë ne shohim vetëm majën e ajsbergut", thotë eksperti i tregtisë Martin Palmer i kompanisë "Hurricane". Të prekura janë veçanërisht kompanitë që përdorin Britaninë e Madhe si një bazë shpërndarjeje për tregtinë e tyre me BE.
Xhinset nga Bangladeshi, për shembull, duhet të doganohen kur importohen në Britaninë e Madhe. Në të ardhmen, për shkak të rregullave të reja të origjinës, doganat do të zbatohen sërish, kur ato të shiten në BE. Në fund të fundit, ato nuk janë gjysmë të prodhuara në Britani, siç kërkojnë rregullat.
Kjo shitje në internet e produkteve të modës ose teknologjisë nuk duhet t'ia vlejë më. Madje edhe zinxhiri i vjetër britanik i dyqaneve John Lewis fillimisht e ka ndaluar dërgimin në BE. E njëjta gjë vlen për kompaninë tradicionale Fortnum & Mason në Londër, me çajet e saj dhe marmalatën e famshme të portokallit.
Makth administrativ
Para Krishtlindjeve, zyrtari kryesor i taksave në Britaninë e Madhe kishte pranuar në Dhomën e Poshtme se priste për ekonominë britanike kosto shtesë prej rreth shtatë miliardë paundësh në vit. Një shumë afërsisht e barazvlefshme me kontributin britanik në BE.
Në çdo rast, duhet të bëhen deklarime doganore, kur një vend largohet nga bashkimi doganor me BE. Këtyre u shtohen deklarata për origjinën e produkteve, çertifikata veterinare, çertifikatat e standardeve të produkteve dhe shumë më tepër. Shoqatat e biznesit flasin për një makth logjistik, administrativ.
"Do të ketë një përshtatje", parashikon Henig. "Disa eksporte ndalojnë që tani, disa do të pasojnë më vonë për shkak të kostove në rritje dhe barrës administrative. Një përshtatje ekonomike është e pashmangshme dhe pjesë të saj do të shihen vetëm pas vitesh," parashikon ai.
Për shembull, industria e automjeteve do të tërhiqet nga Britania e Madhe vetëm kur prodhimi britanik të jetë bërë joekonomik, pasi të ketë shlyer investimet e tij në Britaninë e Madhe. Henig pret që valët e pasojave të Brexitit të ndihen në ekonominë britanike për pesë deri në dhjetë vjet.
Biznesi dëshiron të rinegociojë
Qeveria në Londër duhet patjetër t'i ndihmojë kompanitë më shumë dhe të negociojë me BE për procese të thjeshtuara në kufij, kërkon ai. Henig e konsideron të pamundur të ndryshohet thelbi i marrëveshjes së saponënshkruar, siç kërkojnë tani shoqatat e biznesit. "Ka qenë gjithmonë e qartë se do të kishte probleme të mëdha".
Gjatë një debati fillestar në Parlamentin Evropian të hënën, u bë e qartë se marrëveshja tregtare me Britaninë e Madhe nuk do të dështojë për shkak të ratifikimit të saj. Kryetari i komisionit të tregtisë, Bernd Lange, njoftoi se Parlamenti donte t'i lexonte më shumë se 1.200 faqe të tekstit ligjor me kujdes dhe ishte i kënaqur me marrëveshjen.
Komisioni Evropian vlerësoi gjithashtu rezultatet për ruajtjen e tregut të brendshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për konkurrencën e ndershme. Ndërsa Leon Delvaux nga Drejtoria e Përgjithshme e Tregtisë theksoi: "Kjo është vetëm një marrëveshje e tregtisë së lirë. Në tryezë kishte oferta të tjera. Por britanikët kanë zgjedhur më pak ambiciozen."