1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Çdo tre ditë një vrasje në çift

25 Nëntor 2022

25 nëntori është dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave. Shifrat e prezantuara me këtë rast nga autoritet gjermane, tregojnë se dhuna ndaj grave mbetet një sfidë për qeverinë dhe shoqërinë.

https://p.dw.com/p/4K2HR
Symboldbild I Gewalt gegen Frauen
Fotografi: EP

Përse duhet të vdiste Drita nga Regensburgu? 14 herë e nguli thikën 54-vjeçari nga Kosova kundër 47 vjeçares, të shoqes dhe nënës së tre  fëmijëve. Në sallën e gjyqit, në korrik 2021, ai do të jepte si shkak për shpërthimin e radhës me pasoja vdekjeprurëse një numër të panjohur telefoni në celularin e të shoqes. Që ai ishte numri i të vëllait të gruas, i dënuari tashmë do ta mësonte nga hetimeve të prokurorisë, raportojnë mediat lokale. Drita ndërkohë kishte vdekur.

25 Nëntori është Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave – një rast për të parë shifrat aktuale. Në raportin vjetor i Policisë Federale Kriminale, prezantuar të enjten në Berlin bëhet e ditur se në vitin 2021 janë regjistruar 121 të vrarë ose të vdekur nga dhuna e ushtruar nga partnerët me të cilët jetonin nën një çati. 109 prej tyre janë gra, ndërsa 12 meshkuj.

"Gati çdo tre ditë vdes një grua nga dhuna e ushtruar nga partneri ose ish-partneri”, tha Ministrja gjermane e Familjes Liza Paus, në konferencën e shtypit me rastin e prezantimit të raportit.  Shifrat e dhunës së ushtruar nga partnerët janë shumë më të larta. Sipas statistikave të  BKA-së, në vitin 2021 autoritetet kanë regjistruar gjithsej 143.604 persona të prekur nga dhuna e kryer nga partnerët apo ish-partnerët. Krahasuar me vitin e parë të Koronës 2020, numri është ulur me tre për qind. Megjithatë, tendenca e përgjithshme në vitet e fundit ka qenë në rritje: Midis 2017 dhe 2021, numri i personave të prekur është rritur me 3.4 për qind. 80 për qind e viktimave  janë gra.

Faeser: "Dhunuesit e grave janë kriminelë”

Ministrja  e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, tha me rastin e prezantimit të raportit se  "dhuna ndaj grave nuk duhet të nënvlerësohet. Kur burrat vrasin gratë sepse janë gra, atëherë këtu kemi të bëjmë me 'femicid'. Burrat që ushtrojnë dhunë ndaj grave, qoftë psikologjike apo fizike, janë kriminelë. Kriminelët i ndjekim penalisht me të gjithë ashpërsinë".

Deutschland Frauenhaus Bora in Berlin | Mutter & Tochter
350 strehimore për gratë ka në Gjermani. Qeveria synon të forcojë sigurinë e tyre financiare. Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Në Gjermani ka 350 strehimore për gratë e dhunuara. Shumë  pak, po të kihen parasysh shifrat e prezantuara nga BKA: Ministrja Federale e Familjes Lisa Paus tha se nevojitet një ofertë mbështetëse mbarëkombëtare, në qytet ashtu edhe në fshatra: "Ne duam ta rregullojmë këtë në ligjin federal. Ne duam të krijojmë një ligj për të garantuar financimin e strehimoreve për gratë”, premtoi ministrja e familjes.

Shefi  i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch, iu referua përvojave të dhunës së vetë autorëve, qëndrimeve të theksuara patriarkale, modeleve tradicionale dhe stresit si shkak të dhunës. "Fakti që shumica e krimeve ndodhin brenda  katër mureve të shtëpisë nuk duhet t'i bëjë autorët të ndihen të sigurt." Dhuna në partneritet na prek të gjithëve - askush nuk duhet t'i mbyllë sytë” tha ai.

Ndihma për të dhunuarat

Ministrja e Brendshme Faeser apeloi  te të prekurat që të kontaktojnë policinë ose qendrat përkatëse të këshillimit. Gratë e prekura nga dhuna në Gjermani mund të kërkojnë ndihmë në internet në portalin https://www.hilfetelefon.de/

ose në numrin e telefonit: 08000 116 016

Menaxherja e linjës telefonike, Petra Söchting, tha  se numri i thirrjeve në vitin e parë të Koronës 2020 u rrit  me 15 për qind dhe që atëherë ka mbetur në atë nivel.

Për burrat e prekur nga dhuna në partneritet, gati 20 për qind, oferta e këshillimit janë më të pakta. Sipas ministres së Familjes Paus, edhe për ata ekziston një numër emergjence,  por ai nuk është e disponueshëm  gjatë gjithë kohës. Edhe kjo duhet të ndryshojë në të ardhmen, tha Paus.

#DW_BalkanBooster: Platforma për gratë

Mbi 1000 dhunues nga Kosova

Termi dhunë në partneritet përfshin dhunën psikologjike dhe fizike. Në vitin 2021, 59.6 për qind e rasteve përfshinin lëndime të thjeshta trupore të qëllimshme – duke filluar nga një shuplakë ose e pështyrë. Të dytat janë rastet e kanosjes, stalking dhe shtrëngimeve  (24,2 për qind) dhe në vendin e tretë lëndimet e rrezikshme trupore (12,2 për qind). Shumica e autorëve janë me shtetësi gjermane, sipas raportit. Ndër imigrantët që kanë pësuar dhunë në partneritet më së shpeshti janë shtetaset nga Kosova, me  997 të prekura. Ndërsa numri i dhunuesve nga Kosova ka qenë 1049.