1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Rritje e madhe politike e krahut të djathtë - AfD

5 Qershor 2023

AfD e krahut të djathtë po profilizohet gjithnjë e më shumë si kundërshtare e politikës së mbrojtjes së klimës të krijuar nga Partia e Gjelbër - me sukses. Tani është në vendin e dytë!

https://p.dw.com/p/4SCYF
Protesta të AfD-së në Berlin
Protesta të AfD-së në BerlinFotografi: Michael Kuenne/ZUMAPRESS.com/picture alliance

Partia djathtiste gjermane AfD paraqitet e zemëruar dhe agresive prej javësh. Për partinë opozitare gjermane, politikat e qeverisë federale jo vetëm që kanë dështuar, por janë edhe një kërcënim për paqen dhe prosperitetin e vendit. Kjo parti populiste gjermane luan me kartën e konfrontimit praktikisht në çdo fushë të politikës. Kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, ajo bën thirrje për bisedime paqeje në vend të dërgesave të armëve. Në politikën e migracionit, ajo bën thirrje për "kufij të mbyllur" në vend të ardhjes së punëtorëve të kualifikuar.

Aktualisht ajo po prezantohet si një kundërshtare agresive e politikës energjetike dhe klimatike të udhëhequr nga qeveria gjermane. Kryetarja e Klubit të Deputetëve të AfD-së në Bundestagun gjerman, Alice Weidel, i quan masat e qeverisë federale me pjesëmarrjen në rritje të energjisë ekologjike, të energjisë së rinovueshme të erës, diellit dhe biomasës "një "program varfërimi" të vendit. Planet për të ndryshuar sistemin e ngrohjes në ndërtesa banimi, në të cilat përdoren burime të rinovueshme të energjisë, nuk janë për të asgjë më shumë se një "masakër ngrohjeje". "Njerëzit që nuk mund ta përballojnë këtë ndryshim do të detyrohen të shesin shtëpitë e tyre," tha Weidel në një konferencë për shtyp.

AfD
AfDFotografi: Jakub Porzycki/NurPhoto/picture alliance

Emocionet më të rëndësishme se faktet

Christoph Richter nga Instituti për Demokraci dhe Shoqëri Civile - IDZ, në Jena, thotë se AfD ka tejkaluar shumë parti të tjera të krahut të djathtë evropian në politikën e saj për refuzimin e masave për mbrojtjen e klimës. "AfD dyshon në gjetjet themelore shkencore rreth ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe për këtë arsye i konsideron të pakuptimta masat e duhura të mbrojtjes së klimës." IDZ aktualisht po heton sesi populistët dhe ekstremistët e djathtë në Evropë dhe SHBA po përballen me krizën mjedisore.

Programi i vetë AfD-së për mbrojtjen e klimës është modest: "Po" për lëndët djegëse fosile dhe energjinë bërthamore dhe "Jo" për energjinë e erës. Ekspertët vërejnë se AfD mbështetet më shumë në emocione sesa në parime programore. "Vërejmë se AfD-ja futet në tema ku ka më shumë rezerva dhe frikë tek popullata”, analizon Christoph Richter. "Kjo parti, për shembull, i bashkohet fushatave rajonale kundër ndërtimit të pajisjeve të energjisë me erë dhe kundër përdorimit të energjisë së erës.

Të Gjelbrit janë bërë kundërshtari i preferuar i AfD-së. Projekti i tyre për një Gjermani miqësore ndaj klimës, kozmopolite dhe të larmishme i shërben kësaj partie të djathtë si një skenar i të keqes: "Ata po shkatërrojnë prosperitetin tonë!", "Qytetarët po shpronësohen!", "Baerbock po sillet në mënyrë kriminale dhe të çmendur!" - Këto janë sloganet rrëqethëse të AfD-së në luftën kundër ekologjistëve dhe politikës së ministres së Jashtme Annalena Baerbock dhe ministrit të Ekonomisë Roberta Habeck.

Kjo fushatë është shumë e fuqishme veçanërisht në rrjetet sociale. Kjo politikë e konfrontimit po jep rezultate, sepse në sondazhet e fundit shohim se AfD është aktualisht në vendin e dytë, ndërsa në disa lande në lindje madje në vendin e parë. E në disa lande lindore do të mbahen vitin e ardhshëm zgjedhjet për parlamentet e landeve.

Protesta të AfD-së
Protesta të AfD-sëFotografi: Geisler-Fotopress/picture alliance

Problemet me ekologjistët

Elektorati i ekologjistëve dhe i krahut të djathtë, AfD duket se janë dy polet e kundërta në shumë fusha të politikës. Në prill, për shembull, instituti i kërkimit të opinionit publik Infratest Dimap vuri në dukje se për 76 për qind të mbështetësve të ekologjistëve, masat për mbrojtjen e klimës të marra nga partia e tyre janë shumë të ngadalta - ndërsa për 50 për qind të mbështetësve të AfD-së, ato janë shumë të shpejta.

Christoph Richter e sheh të djathën evropiane të bashkuar në refuzimin e masave të mbrojtjes së klimës: "Ata janë të bashkuar nga interesi për të ruajtur rishpërndarjen ekzistuese të pabarabartë midis kombeve industriale shumë të zhvilluara dhe vendeve të tjera, kryesisht atyre nga jugu, sepse vendet dhe shtetet e industrializuara përfitojnë më shumë nga ky hendek”.

Grupi parlamentar i AfD-së
Grupi parlamentar i AfD-sëFotografi: Philipp Znidar/dpa/picture alliance

Kundërshtarë poltikë apo armiq?

Që nga themelimi i saj, partia AfD ka krijuar imazhe të kundërshtimit dhe armiqësisë, duke ndryshuar temat, varësisht nga nevoja. Që nga themelimi në vitin 2013, kundërshtarët e saj të preferuar kanë qenë liberalët - FDP dhe politika e tyre evropiane në fushën e krizës ekonomike dhe borxheve. Kur FDP mbeti jashtë Bundestagut në zgjedhjet e vitit 2013, festimi në AfD ishte i pakufishëm. Më pas kjo parti kishte në shënjestër kristiandemokratët (CDU) dhe ish-kancelaren Angela Merkel. Politika e kancelares gjermane për refugjatët në atë kohë i solli AfD-së suksese të mëdha në sondazhe, veçanërisht në shtetet lindore të Gjermanisë. Tani Merkel është zhdukur nga politika - ndërsa AfD ka gjetur një armik të ri: të Gjelbrit.

Metodat e sulmit nuk janë të reja, thotë Christoph Richter. "Ne e dimë se sulme të tilla agresive ndaj atyre që luftojnë kundër ndryshimeve klimatike dhe ndaj mbrojtësve të mjedisit njerëzor ka pasur edhe në SHBA në vitet 1980. Atje është formuar edhe një kundërlëvizje e fortë."

Fakti që kjo parti e djathtë është e suksesshme me strategjinë e saj është kryesisht pasojë e pasigurisë mes partive të tjera, vëren Christoph Richter nga Instituti për Demokraci dhe Histori Bashkëkohore në Jena. "Një faktor i rëndësishëm në suksesin e fushatave të AfD është se rrëfimi i tyre në fakt është marrë përsipër nga një shtresë e shoqërisë që pozicionohet në mes – mes të majtës dhe të djathtës. Është një strategji shumë e rrezikshme që në fund të fundit dëmton jo vetëm partitë e mëdha të etabluara në sistemin politik, por edhe vetë mbrojtjen e klimës”.