1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

10 vjet nga themelimi i partisë djathtiste AfD

6 Shkurt 2023

Euro, migrimi, korona, lufta - AfD-ja është pozicionuar si një parti në skajin e djathtë të politikës gjermane. Po çfarë e bën atë që të ketë sukses gati në të gjitha landet?

https://p.dw.com/p/4N8tt
AfD
AfDFotografi: Jakub Porzycki/NurPhoto/picture alliance

Nga këndvështrimi i Alternativës për Gjermaninë (AfD), ka shumë për të festuar në përvjetorin e themelimit të saj: partia është në Bundestag që nga viti 2017 dhe tani është e përfaqësuar në 15 nga 16 parlamentet e landeve. Sipas sondazheve, AfD ka aktualisht mbështetjen e 13 për qind të votuesve, në disa lande të Gjermanisë Lindore mbështetja është shumë më e lartë.

"AfD është bërë një element i përhershëm në sistemin partiak gjerman, të cilit një forcë e vendosur liberale dhe konservatore i mungonte shumë më parë," i shkruan DW-së bashkëkryetarja e AfD, Alice Weidel.

"Ekstremiste, antisemitiste dhe raciste"

Partia filloi zyrtarisht punën më 6 shkurt 2013. AfD u bë një vend grumbullimi për njerëzit me qëndrime të krahut të djathtë, të cilët i gjetën partitë e krahut të djathtë tepër ekstreme dhe që u kishin kthyer shpinën kristiandemokratëve. Që atëherë, AfD është zhvilluar nga një parti "pothuajse profesorësh" në një "parti të përgjithshme ekstremiste të krahut të djathtë" që sot është "ekstremiste, antisemite dhe raciste", thotë politologia Ursula Münch në një intervistë për DW.

Në ditët e para të saj, AfD ishte një parti euro-kritike, që kritikoi ashpër politikën e shpëtimit të euros të kancelares Merkel në atë kohë. Në shtator 2012, u themelua "Wahlalternative 2013" si një pararendëse e AfD. Profesori i ekonomisë Bernd Lucke, gazetari Konrad Adam dhe ish-anëtari i CDU-së Alexander Gauland formuan Alternativën për Gjermaninë (AfD).

Bernd Lucke (qendër), Konrad Adam dhe Alexander Gauland - kongresi i themelimit
Bernd Lucke (qendër), Konrad Adam dhe Alexander Gauland - kongresi i themelimitFotografi: Marc Tirl/dpa/picture alliance

Radikalizimi nga viti 2015

AfD kishte tre rryma që në fillim: ekonomikisht liberale, kombëtare konservatore dhe populiste të krahut të djathtë. Dy nga tre anëtarët themelues i kanë kthyer shpinën partisë prej kohësh. Kjo është gjithashtu një konstante në AfD - ndryshimi i shpeshtë i lidershipit. Studiuesja politike Münch tha për DW se ajo ishte një "parti kryesisht e përçarë që në mënyrë të përsëritur duhej të luftonte beteja midis lidershipit dhe bazës".

AfD fillimisht filloi me një program ekonomik të tregut liberal. Radikalizimi i partisë filloi kur qindra mijëra njerëz erdhën në Gjermani nga viti 2015, sepse kërkonin mbrojtje nga lufta në Siri. Anëtari themelues Alexander Gauland e quajti dikur këtë një "dhuratë" për partinë. Toni kundër qeverisë së Angela Merkel u bë gjithnjë e më i ashpër. Liderja e partisë në atë kohë, Frauke Petry, u shpreh në favor të parandalimit të refugjatëve që të kalojnë kufirin me forcën e armëve nëse është e nevojshme. Edhe Petry e la partinë para disa vitesh.

Ndryshimet në parti

Themelimi i AfD: Adam, Lucke, Gauland
Themelimi i AfD : Adam, Lucke, GaulandFotografi: Marc Tirl/dpa/picture alliance

Në fillim të qershorit 2018, kreu i atëhershëm i grupit parlamentar të partisë, Alexander Gauland, vuri në perspektivë epokën naziste, e cila u kushtoi jetën gjashtë milionë hebrenjve. Në një ngjarje partie, ai tha: "Hitleri dhe nazistët janë thjesht vetëm sa një glasë zogjsh në mbi 1000 vjet histori të suksesshme gjermane". Politologu Münch beson se suksesi i AfD-së është edhe për faktin se "deklarata të tilla radikale priten mirë nga një pjesë e popullsisë. Sipas motos: Me siguri që duhet të lejohet të thuhen gjërat!"

Deklarata të tilla dhe të ngjashme i bënë autoritetet gjermane të sigurisë që të veprojnë. Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës -  pra shërbimi sekret brenda vendit - e klasifikoi të gjithë partinë në mars 2021 si "rast i dyshuar i ekstremistëve të djathtë". Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës, një nëngrup nacionalist i AfD-së, i njohur si "Der Flügel", është provuar se janë ekstremistë të krahut të djathtë. Që atëherë, përfaqësuesit e saj vëzhgohen nga shërbimi inteligjent. Kjo do të thotë se hetuesit e fshehtë dhe përgjimet e bisedave telefonike janë gjithashtu të mundshme në parim. Ky është "instrumentalizim i dukshëm i shërbimit sekret", tha Weidel për DW. AfD, thotë politologia Ursula Münch, "në përgjithësi është kthyer në një parti të ekstremit të djathtë".

Instituti i kërkimit të opinionit Infratest dimap pyeti gjermanët se si e shohin ata partinë me rastin e përvjetorit të AfD. Tre nga katër të anketuar janë të mendimit se AfD nuk po distancohet mjaftueshëm nga pozicionet ekstremiste të krahut të djathtë.

AfD – parti burrash

AfD ka pothuajse 80.000 anëtarë. SPD, partia me më së shumti anëtarë në vend, ka rreth 380.000. Më shumë se 80 për qind e anëtarëve të AfD-së janë burra. Një sondazh në internet i kryer nga Fondacioni Bertelsmann në verën e vitit 2020 tregoi se 29 për qind e votuesve të AfD kanë qëndrime ekstremiste të krahut të djathtë. Ksenofobia, antisemitizmi dhe prirja për regjime autoritare janë shumë më të përhapura në mesin e votuesve të AfD-së sesa mes mbështetësve të partive të tjera.

Merrni për shembull Rusinë, e cila ka nisur një agresion brutal kundër Ukrainës gjatë vitit të kaluar. Bashkëkryetarja e AfD, Alice Weidel është kundër vendosjes së Vladimir Putin para një gjykate për krimet e luftës dhe kundër sanksioneve ndaj Rusisë. Partia ishte shprehur kundër dërgesave të armëve në Ukrainë që në fillim. E quajti "luftënxitëse.” Weidel kritikoi dërgimin e tankeve Leopard nga Gjermania në Ukrainë si një "vendim fatal”.

Fraksioni i AfD
Fraksioni i AfDFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Qëndrimi i AfD-së ndaj luftës në Ukrainë i interesoi edhe studiuesit e Infratest dimap. Rezultati tregon se pikëpamjet në qytetarëve në Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore ndryshojnë në veçanti për këtë çështje. Vetëm 13 për qind e gjermanoperëndimorëve mendojnë se është mirë që AfD tregon mirëkuptim për pozicionet ruse në luftën në Ukrainë. Në lindje ka pothuajse dy herë më shumë - përkatësisht 25 për qind.

Qëllimi: Dalja nga opozita dhe futja në një qeveri landi

AfD synon të futet në pushtet, sepse ende nuk është futur në asnjë qeveri landi. Tani ajo më në fund dëshiron të dalë nga roli i opozitës në parlament. Ajo ndoshta nuk do të ketë sukses në qeverinë federale. Por AfD pret mundësi që të futet në qeveri në ndonjë land lindor të Gjermanisë. Atje ajo arrin rregullisht rezultate zgjedhore mbi 20 për qind. Sidomos në rajonet rurale. Sipas sondazheve, ajo është edhe partia më e fortë në landet si Saksonia dhe Turingia. Atje – sikur edhe në Brandenburg – do të ketë zgjedhje vitin e ardhshëm. "Pjesëmarrja në formimin e qeverive do të jetë hapi tjetër logjik”, thotë Weidel për DW. CDU mund të bëhet më pas një partner koalicioni. Megjithatë, konservatorët kanë përjashtuar koalicione të tilla. Edhe me rezolutë të kuvendit partiak.

Kjo është një gjë, thotë shkencëtari politik Münch. Por në disa pjesë të partisë CDU në lande, ka njerëz që tashmë pyesin "me zë të lartë ose dhe më të qetë", se çfarë është në të vërtetë "aq e keqe" tek AfD. Në rast se ndodh një aleancë AfD-CDU, "do të jetë një konflikt shumë i madh për CDU", tha Münch për DW.

Alice Weidel
Alice Weidel Fotografi: Chris Emil Janßen/IMAGO

Më 6 shkurt, AfD dëshiron të festojë dhjetëvjetorin e saj - në Shtëpinë e Takimeve në Königstein afër Frankfurt mbi Main. Një aleancë e gjerë shoqërore dëshiron të protestojë kundër shënimit atje të këtij përvjetori. AfD është "një kërcënim i madh për demokracinë", shkruajnë organizatorët.

Studiuesja e politikës, Ursula Münch ka një pikëpamje tjetër për ditëlindjen e populistëve të krahut të djathtë. Kjo tregon stabilitetin e demokracisë gjermane. Sistemi ynë parlamentar, thotë ajo, është pikërisht e kundërta e asaj që pretendojnë AfD dhe ekstremistët e tjerë, pra nuk është "një sistem elitar i izoluar". Dhjetë vitet e AfD-së janë gjithashtu dëshmi së "aftësinë e ndryshimit të sistemit tonë partiak".

 

Volker Witting, me syze duke pare miqësisht në drejtim të kamerës. Portret.
Volker Witting korrespondent i lartë politik