Një kandidat i AfD sulmohet në Mannheim
5 Qershor 2024Policia dhe prokuroria njoftuan këtë të mërkurë se një i dyshuar është arrestuar pas sulmit me thikë ndaj një kandidati për këshilltar të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Sulmi i së martës ishte i fundit në një seri incidentesh kundër politikanëve që kanë ngritur shqetësime për rritjen e dhunës politike në Gjermani.
Çfarë dimë për ngjarjen
Kandidati u sulmua pasi u përball me një individ që po përpiqej të hiqte një poster zgjedhor të martën, sipas autoriteteve. Sulmuesi e plagosi burrin me një thikë tapeti. Politikani u plagos në incident, por nuk pësoi lëndime të rrezikshme për jetën, thuhet në një deklaratë të përbashkët.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA raportoi se incidenti ndodhi rreth orës 22:45 me orën lokale. Këshilltari i AfD në Mannheim Jörg Finkler tha se shoku dhe kolegu i tij 62-vjeçar, i cili u dërgua në spital, kishte pësuar lëndime në vesh dhe stomak.
Frikë në Gjermani për shkak të rritjes së dhunës politike
"Jemi të tronditur," tha përfaqësuesi i AfD-së në land, Markus Frohnmaier.
Policia ndaloi një të dyshuar 25-vjeçar, i cili bëri një tentativë të shkurtër arratisjeje dhe i cili raportohet se ka shfaqur shenja të sëmundjes mendore gjatë kohës në paraburgim. Policia foli për "indikacione të qarta të sëmundjes mendore". Atë e dërguan në një spital psikiatrik.
Sipas hetuesve, i dyshuari mësohet se paraprakisht kishte dëmtuar dhe vjedhur disa postera zgjedhorë, dhe pas kësaj është ndjekur dhe kapur nga politikani. Në këtë situatë, i akuzuari mësohet se e ka plagosur me thikë përfaqësuesin e AfD-së. Sipas AfD, personi i sulmuar ishte Heinrich Koch, i cili është i treti në listën e partisë për zgjedhjet e këshillit të qytetit të Manheim të së dielës.
Incidenti vjen vetëm disa ditë pas një sulmi tjetër me thikë në të njëjtin qytet, që la të vdekur një oficer policie. Incidenti ndodhi në një manifestim të mbajtur nga grupi antiislamik Pax Europa.
Seri sulmesh politike
Gjermania është tronditur nga një sërë sulmesh kundër politikanëve, që janë sulmuar duke punuar ose duke bërë fushatë përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Një kandidat për deputet për Parlamentin Evropian për socialdemokratët e qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz, Matthias Ecke, u sulmua nga një grup të rinjsh muajin e kaluar, kur po postonte postera zgjedhorë në qytetin lindor të Dresdenit.
Vetëm pak ditë më vonë, ish-kryetarja e bashkisë së Berlinit Franziska Giffey u godit në kokë dhe qafë me një çantë me sende të forta, ku po vizitonte një bibliotekë në kryeqytet.
(ag/dw)