1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Fenomeni Sahra Wagenknecht dhe partia AfD

10 Gusht 2023

Mund ta dëmtonte Sahra Wagenknecht partinë AfD? Sahra Wagenknecht nga partia E Majta, mendon të krijojë një parti të re. Kjo do t'i shkaktonte më shumë shqetësime partisë së skajit të djathtë AfD.

https://p.dw.com/p/4Uyo7
Politikania e majtë Sahra Wagenknecht
Politikania e majtë Sahra WagenknechtFotografi: Frederic Kern/Geisler-Fotopress/picture alliance

Si asnjë politikane tjetër gjermane, Sahra Wagenknecht konsiderohet si dikush që turbullon gjakrat, jo vetëm nga kundërshtarët politikë por edhe nga kampi i vet. Ish- kryetarja e grupit parlamentar të partisë 'E Majta' në parlamentin gjerman, shkakton gjithnjë telashe për kolegët deputetë për shkak të mosrespektimit të disiplinës së partisë dhe vëmendjes së madhe që Wagenknecht merr pa pushim nga mediat.

Në një kohë që partia E Majta ka rënë në sondazhe poshtë 5 përqind, pragut të përfaqësimit, dhe nëse do të bëheshin zgjedhjet sot, nuk do të arrinte dot të hynte në parlament, popullariteti i Wagenknechtit ka vazhduar të rritet. Kryesia e partisë i ka kërkuar herë pas here Wagenknechtit që të sqarojë qendrimin që ka kundrejt partisë së vet, fjala ka qenë edhe për dhënie ultimatumi për përjashtim nga partia.

Prej muajsh bëhen spekulime, sipas të cilave Wagenknecht do të krijojë partinë e saj, jo vetëm sepse sipas një sondazhi të institutit Civey, publikuar në fund të muajit korrik, 20 përqind e gjermanëve "e imagjinojnë në parim” t'ia japin votën një partie, që do të drejtohej nga politikania e majtë, Wagenknecht.

Wagenknecht, e cila del rregullisht në bisedat politike televizive gjermane, u kthye vitin e kaluar në kryesuese të një "fushate paqësore”, që i kërkonte Perëndimit të ndalonte armatosjen e Ukrainës për t'u mbrojtur nga sulmi rus. Përveç kësaj, Wagenknecht pati kritikuar udhëheqjen e partisë E Majta, e cila u përulet të majtëve të ashtuquajtur "E majta me stil jete të majtë”, politika për integrimin e pakicave të të cilëve, nxjerr jashtë loje, sipas saj, elektoratin bazë të partisë E Majta.

(shën. red. Sarah Wagenknecht, quan Lifestyle- Linke -të Majtët në mënyrën e të jetuarit-, ata që nuk vendosin në qendër të politikës problemet sociale dhe politiko-ekonomike, por çështjen e stilit të jetës, konsumit dhe qëndrimit moral.)

Sahra Wagenknecht dhe politikanja e e AfD, Alice Weidel në Bundestag
Sahra Wagenknecht dhe politikanja e AfD, Alice Weidel në BundestagFotografi: Annegret Hilse /Sven Simon/IMAGO

Fenomeni Wagenknecht – rrezik për krahun e djathtë?

Popullaritet të madh gëzon Wagenknecht sidomos në lindje të Gjermanisë. Një sondazh i institutit Insa të Tyringenit, zhvilluar në muajin korrik nxorri, se një parti e re e drejtuar nga Wagenknecht do të arrinte të fitonte nëse zhvilloheshin zgjedhje në landin, ku ajo ka lindur, me 25 përqind të votave, tre përqind më shumë se partia pjesërisht ekstreme e djathtë, Alternativa për Gjermaninë(AfD), e cila do të kalonte kështu në vend të dytë. Mbase nuk është rastësi, që kryetari i AfD-së, tyringiani Björn Höcke, po ashtu i njohur në çështjet e provokimit, e ftoi Wagenknechtin pas një "demostrate paqësore” zhvilluar në shkurt, që të kalonte tek AfD.

Sahra Wagenknehct duke folur para demonstruesve në Berlin në një protestë të konntestuar nën moton "Kryengritje për paqen".
Sahra Wagenknehct duke folur para demonstruesve në Berlin në një protestë të kontestuar nën moton "Kryengritje për paqen". Organizatorët e kësaj proteste u shprehën kundër furnizimeve me armë në Ukrainë pas sulmit nga Rusia.Fotografi: Marc Vorwerk/SULUPRESS.DE/picture alliance

Për kolegun e partisë E Majta dhe ish-bashkëpunëtorin e Wagenknechtit, Christian Leye, kjo tregon se AfD trembet nga ajo më shumë se nga kushdo tjetër në spektrin e politikës gjermane. "Sahra Wagenknecht është kritikuese e besueshme e gjendjes, ajo guxon të kritikojë qeverinë me fjalë të qarta”, thotë ai për Deutsche Wellen. "Ajo mund të kthehet në alternativë sociale dhe politike paqësore për të gjithë ata, që kanë të drejtë të jenë të pakënaqur. Dhe kjo është shumë e nevojshme, pikërisht sepse nuk lejohet t'i lirohet vendi një partie si AfD.”

Studiuesja e shkencave politike, Sarah Wagner nga Universiteti i Manhajmit, është marrë me fenomenin Wagenknecht. Ajo ka parë, se Wagenknecht është po aq popullore mes idhtarëve të AfD-së, sa është udhëheqja e AfD-së. "Ne shohim, se pikërisht tema e migracionit shihet shumë e lidhur me Wagenknechtin,” thotë Wagner në bisedë me DW. "Megjithatë, nëse vërejmë potencialin e njerëzve që mund t'ia japin votën Wagenknechtit, atëherë shohim se nuk janë vetëm ata që kritikojnë migracionin, por janë edhe ata që në përgjithësi kanë qendrim konservator. Kjo do të thotë se ata janë kritikë ndaj mbrojtjes së klimës ose janë kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ."

Sahra Wagenknehct duke folur para demonstruesve në Berlin në një protestë të konntestuar nën moton "Kryengritje për paqen".
Sahra Wagenknehct duke folur para demonstruesve në Berlin në një protestë të kontestuar nën moton "Kryengritje për paqen". Organizatorët e kësaj proteste u shprehën kundër furnizimeve me armë në Ukrainë pas sulmit nga Rusia.Fotografi: Marc Vorwerk/SULUPRESS.DE/picture alliance

Wagner thotë, se një pjesë e madhe e idhtarëve aktualë të AfD nuk janë shumë të angazhuar në parti, prandaj mund të fitohen nga një parti tjetër. "Këta janë zgjedhës që janë të pakënaqur me demokracinë, që kanë qëndrim konservator. Shumë prej tyre nuk ndihen mirë me AfD, por nuk shohin ndonjë parti tjetër, për t'i dhënë votën.” 

Vlera konservatore, plane ekonomike socialiste

Disa vëzhgues mendojnë se Wagenknecht i ofron Gjermanisë një kombinim të pazakontë: vlera sociale konservatore të lidhura me plane ekonomike socialiste. "Ne nuk mund të themi tamam, sa njerëz orientohen nga vlerat konservatore të majta”, thotë Wagner. Por ajo që mund të thuhet është se ky grup është jo i vogël.”

Një parti e tillë e Wagenknechtit do të ishte e ngjashme në parketin ndërkombëtar, mbase me Partinë Socialiste të Holandës, e cila përfaqëson një linjë të ashpër në çështjet e migracionit, ose me Partinë Komuniste Greke, që ka votuar kundër ligjit për institucionalizimin e martesës midis dy personave të një gjinie. 

Studimi i Wagnerit ka nxjerrë se potencialet për një parti të Wagenknechtit ndodhen kryesisht në lindje të Gjermanisë. 

Përndryshe, thotë Wagner, nuk ekziston ndonjë grup specifik popullsie, të cilit i drejtohet ajo: Idhtarët e Wagenknechtit nuk janë as të rinj as të moshuar, nuk janë as pjesa më e madhe burra ose gra, nuk janë as pjesë e një shtrese të caktuar. Kështu që Wagenknecht mund të arrijë potencialisht shumë njerëz.

A do të guxojë ajo?

Wagenknecht ka bërë të ditur se nuk do të marrë vendim deri në fund të vitit për hapin tjetër që do të hedhë. Nëse krijon një parti të re, atëherë kjo mund t'i kushtonte ekzistencën politike partisë E Majta, falë së cilës Wagenknecht ka bërë karrierën politike. Sepse me siguri që Wagenknechtit do t'i bashkoheshin disa deputetë, anëtarë dhe idhtarë të partisë E Majta.

Edhe për Wagenknechtin vetë hapi do të ishte e rëndë. E lindur në vitin 1969 në Jena të Tyringenit, me mama gjermane dhe baba iranian, politikania Wagenknecht e ka kaluar praktikisht gjithë jetën në partinë, që sot quhet partia E Majta. Që para shpërbërjes së Gjermanisë Lindore, ajo ka qenë anëtare e partisë pararendëse të partisë E Majta, Partisë së Unitetit Socialist të Gjermanisë SED, që ka qenë në pushtet në Gjermaninë lindore komuniste. 

Nëse merr vendim që të shkëputet, atëherë beteja e Wagenknechtit do kishte këtë plan: Kandidim për zgjedhjet europiane pranverën e ardhshme, për të provuar terrenin, pasuar nga zgjedhjet e përgjithshme për parlamentet e landeve në tre landet gjermano-lindore në Brandenburg, Saksoni dhe Tyringen, në vjeshtë të 2024. 

Nga vendimi që do të marrë Wagenknecht do të varet nëse AfD do të vazhdojë të rritet, dhe bashkë me të do të varet edhe e ardhmja politike e Gjermanisë.