1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e rëndë prej zjarreve në Maqedoninë e Veriut

3 Gusht 2021

Zjarret që shpërthyen në disa zona të Maqedonisë së Veriut u vunë nën kontroll gjatë natës, por vazhdojnë të jenë aktivë dhe nuk është mënjanuar rreziku nga përhapja e tyre.

https://p.dw.com/p/3yTjJ
Nordmazedonien Dorf Kocan Waldbrand Feuer
Fotografi: Fatos Musliu/DW

Për momentin ende janë aktiv 13 zjarre dhe në terren gjenden ekipet zjarrfikëse me automjete dhe mekanizma, pjesëtarë të ushtrisë, të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim si dhe qytetarë, të cilët po ndihmojnë. Zjarri në Koçan i cili kërcënon të përfshijë edhe pjesë të qytetit, ende është aktiv.

"Pas intervenimit këtë mëngjes në vendet që u prekën nga zjarri përreth Koçanit dhe Trkanjës, erdhëm në përfundimin se nuk ka rrezik që të përhapet përsëri, por zjarrfikësit do të qëndrojnë në terren për të kontrolluar gjendjen. Tani do t'i japim përparësi shuarjes së zjarrit në zonën e fshatrave malorë Kostin Doll dhe Novoselani, ku po digjen disa dhjetëra hektarë pyll. Pa mbështetje ajrore, atje është e pamundur të ndërhyhet”, deklaroi kryetari i Koçanit Nikolçe Iliev.

Ushtria po ndihmon për shuarjen e zjarreve

Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellovka, tha se nëse nevojitet do të propozohet të shpallet gjendje krize në një pjesë të territorit apo në tërë territorin e vendit. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me propozim të Shtatmadhorisë së Ushtrisë, urdhëroi të shpallet alarm në tërë efektivin ushtarak për t'u përballur me fatkeqësitë elementare.

Nordmazedonien Dorf Kocan Waldbrand Feuer
Fotografi: Fatos Musliu/DW

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, tha se mbi 50 hektarë hapësira të përfshira nga zjarri gjatë ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut, janë vënë tashmë nën kontroll. Gjendja më kritike paraqitet në Koçan, edhe se gjatë natës 500 zjarrfikës, pjesëtarë të ushtrisë dhe banorë lokalë, arritën ta lokalizojnë zjarrin në këtë zonë.

"Një problem që po paraqitet në shuarjen e zjarreve përmes avionëve është se avionët për shuarjen e zjarreve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë jashtë funksionit, pasi nuk i janë nënshtruar shërbimeve të kontrollit." - tha Bekim Maksuti.

Zaev: Presim ndihmë edhe nga vendet e NATO-s

Kryeministri Zoran Zaev njoftoi se në vend aktualisht ka 13 vatra aktive zjarrit, shumica të lokalizuara. Zaev tha se po intervenohet me dy helikopterë të ushtrisë, ndërkaq pritet që katër helikopterë të vijnë për ndihmë nga Serbia. Ndërkohë vazhdon edhe komunikimi me vendet e NATO-s për ndihmë.

Nordmazedonien Dorf Kocan Waldbrand Feuer
Fotografi: Fatos Musliu/DW

"Dy helikopterë po marrin pjesë intensivisht në shuarjen e zjarreve. Në çdo moment presim të na bashkohen edhe katër të tjerë, si ndihmë nga Republika e Serbisë. Jemi në komunikim intensiv me aleatët tanë të NATO-s në rajon të cilët janë gati për të ofruar ndihmë në përputhje me kushtet në terren. Aktualisht 13 zjarre janë aktivë, shumica janë lokalizuar, Koçani është nën kontroll, ndërsa luftë më intensive me zjarrin po zhvillohet rreth Staro Nagoriçanit”, tha kryeministri Zaev.

Qeveria kumtoi se prej sot hyn në fuqi ndalimi i plotë i lëvizjes në viset malore dhe në pyje. Qeveria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos lëvizin në rajonet malore të vendit si për të mbrojtur sigurinë e tyre personale dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut