1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fetullah Gyleni: predikues me ndikim politik

22 Tetor 2024

Fethullah Gylen, predikues, luftëtar antikomunist, mik i politikanëve, ish-aleat i Rexhep Tajip Erdoganit dhe së fundi kundërshtari i tij, ndërron jetë.

https://p.dw.com/p/4m4QY
Fetullah Gylen
Fethullah Gylen ishte themeluesi i lëvizjes HizmetFotografi: Charles Mostoller/REUTERS

Fethullah Gylen ishte themeluesi i lëvizjes Hizmet - e cila shpesh njihet si "lëvizja Gylen". Ai vdiq në shtëpinë e tij në Pensilvani, në SHBA, ku jetonte në mërgim që nga viti 1999. Gyleni e konsideronte si mision të tij që feja të luante edhe sërish një rol udhëheqës në shtetin turk. Sipas deklaratave të tij, ai donte gjithashtu të promovonte dialogun ndërfetar me një interpretim kozmopolit të fesë islame.

Gjatë karrierës së tij, ai ndërtoi një rrjet ndërkombëtar shkollash dhe organizatash të shoqërisë civile që punojnë sipas ideve dhe pikëpamjeve të tij. Po si mundi Gyleni ta ndërtonte këtë sistem?

Predikues, luftëtar antikomunist, mik i politikanëve

Gyleni u lind në vitin 1941 në qytetin lindor të Turqisë, Erzurum. Ai ishte djali i një imami. Ai ndoqi kurse jashtëshkollore për fenë islame nisi të punonte si predikues që në moshën 18-vjeçare. Në vitin 1962 ai ishte një nga themeluesit e "Shoqatës për Luftën kundër Komunizmit" dhe gjatë Luftës së Ftohtë u pozicionua qartë kundër komunizimit. Në Turqi kishte disa shoqata të tilla , që ndiqnin një qëndrim proamerikan dhe një ideologji nacionaliste.

Fethullah Gyleni
Gyleni ishte aktiv si themelues shkollash dhe shoqatash Fotografi: Hizmet/AGB Photo/imago images

Në vitin 1966 ai filloi të ndërtonte në Izmir bërthamën e verimtarisë së tij të ardhshme. Aty ai themeloi "Shtëpinë e Dritës" prototipi i lëvizjes së tij në vitet e ardhshme. Që atëherë ai ka qenë aktiv si themelues shkollash dhe shoqatash. Lëvizja e tij filloi në Izmir dhe u përhap në mbarë botën. Sipas vlerësimeve të ndryshme, lëvizja e tij ka mbi 2000 shkolla në rreth 160 vende, të cilat ligjërisht janë të pavarura nga njëra-tjetra. Në shumë vende të Azisë Qendrore, shkollat ​e lëvizjes Gylen konsiderohen si ndër shkollat ​​më të mira. Elitat i dërgojnë fëmijët e tyre atje. Ndjekësit e Gylenit janë të arsimuar dhe janë aktivë në biznes, shkencë, polici, autoritetet e sigurisë, gjyqësor dhe kanë shumë ndikim në media apo në shtet.

Me ndikimin e tij politik, ai arriti që njerëzit që kishte shkolluar të futeshin në institucione të rëndësishme dhe të merrnin poste të larta. Në vitet '90 ai ndërtoi marrëdhënie të mira me politikanë të ndryshëm - përfshirë edhe Erdoganin. Megjithatë, ai e bleu një biletë avioni për në SHBA: sepse sipas një raporti të brendshëm të Policisë Turke thuhej se ai ishte drejtues i një organizate, e cila po depërtonte në policinë turke. Ai u akuzua se donte të "zëvendësonte sistemin kushtetues të Turqisë me një shtet teokratik". Më 21 mars 1999, ai fluturoi për në Shtetet e Bashkuara, duke dhënë si shkak probleme shëndetësore. Dhe nuk u kthye më kurrë në Turqi.

Aleat me Erdoganin

Me ardhjen në qeveri të AKP-së - e cila gjithashtu kishte një agjendë islamike-konservatore - Gyleni u bë aq i fortë sa që ishte në gjendje të ndikonte në politikë më shumë se çdo aktor tjetër nga jashtë. Për vite me radhë Erdogani dhe Gylen ishin aleantë: Erdogan përfitoi nga ndikimi shoqëror i institucionalizuar i Gylenit - Gyleni përfitoi nga fuqia politike dhe karizma e Erdoganit.

Pas suksesit në referendumin kushtetues të vitit 2010, Erdogani e falënderoi publikisht Gylenin. Në vitin 2012 ai i bëri në televizion Gylenit ftesë që të kthehej në Turqi.

Nga mik në armik

Por duke filluar nga 2012 mes Erdoganit dhe Gylenit pati përçarje të shumta për arsye të panjohura, që shumë shpejt çuan në një luftë të institucionalizuarmidis dy kampeve. Më 17 dhjetor 2013 shumë politikanë të AKP-së u arrestuan nën akuzën për korrupsion, të cilat u atribuoheshin nëpunësve të lidhur me Gylenin. Disa ditë më vonë, më 25 dhjetor, nisën hetimet kundër djalit të Erdoganit, Bilal Erdogan. Që nga ky moment, AKP.ja e Erdoganit e quajti lëvizjen e Gylenit një "strukturë shtetërore paralele" që ilegalisht ishte shumë e fortë në shtet.

Turqi | polic duke ruajtur gjykatën
Gylenin e fajësuan për tentativë për grusht shteti më 15 korrik 2016Fotografi: AFP

Në një mbrëmje korriku të vitit 2016 kriza arriti kulmin: Gylenin e fajësuan për tentativë për grusht shteti më 15 korrik 2016 - një akuzë që lëvizja e tij e refuzon vazhdimisht. Qeveria thotë se mbështetësit e tij në forcat e armatosura kishin planifikuar një grusht shteti. Që nga viti 2016 Ankaraja i ka kërkuar SHBA-së disa herë ekstradimin e Gylenit – por pa sukses.  Ai akuzohej se udhëhiqte "një organizatë terroriste”. Qeveria turke tani e quan lëvizjen Gylen "FETÖ", në turqisht "Organizata terroriste fethullahiste"

Gyleni lë pas një lëvizje mbarëbotërore aktive dhe të fortë, e cila nuk mban emrin e tij por bazohet në idetë e tij. Kushdo që do ta marrë timonin do të ketë shumë për të bërë. Sipas vëzhguesve aktualisht në lëvizje po zhvillohet një luftë e brendshme për pushtet midis dy mbështetësve të lartë të Gylenit nga rrethi i tij i ngushtë. Mendimi mbizotërues është se Gyleni do të jetë shumë i vështirë për t'u zëvendësuar dhe se lufta për pushtet mund ta përçajë lëvizjen.

Burak Ünveren, në ambientete  DW, portret
Ünveren Burak redaktor multimedial në redaksinë turke