1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tiranë: Protesta për mbylljen e kolegjit turk nga qeveria

Ani Ruci'
27 Shtator 2022

Me vendim të qeverisë shqiptare u mbyll kolegji turk, "Turgut Ozal", i financuar nga lëvizja gyleniste. Ministria e Arsimit në Tiranë e ka përligjur mbylljen e kolegjit me mos plotësimin e kritereve ligjore.

https://p.dw.com/p/4HO7T
Albanien, Tirana | Studentinnen Protest gegen die Schließung der türkischen Hochschule
Fotografi: Ani Ruci/DW

Pas më shumë se 25 vitesh funksionimi në Shqipëri, kolegji privat turk "Mehmet Akif Ersoy" është mbyllur në Tiranë me një vendim të qeverisë Rama. Ky kolegj, pjesë e rrjetit „Turgut Ozal" të financuar nga lëvizja gyleniste e klerikut turk, Fethullah Gűlen, është një nga shkollat e para të mesme private të hapura në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist dhe ndryshimeve demokratike.

Albanien, Tirana | Studentinnen Protest gegen die Schließung der türkischen Hochschule
Fotografi: Ani Ruci/DW

Ministria e Arsimit e ka përligjur mbylljen e kolegjit me "nisjen e vitit të ri shkollor në një vendndodhje dhe mjedise të reja, të pamiratuara paraprakisht nga ministria, gjë që ka sjellë mos plotësimin e kritereve ligjore". Nxënëset e këtij kolegji protestuan të hënën (26.09) para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë dhe kërkuan rishikimin e vendimit për të bërë të mundur vijimin e vitit shkollor në kolegjin e tyre.

Kryeministri Edi Rama në një postim në twitter theksoi që protesta duhet të adresohet „kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e zhvendosën aktivitetin e saj në një vend tjetër, pa marrë leje sipas ligjit dhe pa respektuar rregullat e parashikuara nga ligji". Protesta e nxënëseve të kolegjit privat turk" Mehmet Akif Ersoy" u zhvillua pasi hedhjes poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës të kërkesës  për pezullimin e vendimit të mbylljes që drejtuesit e kolegjit e quajnë „të padrejtë dhe motivuar politikisht".

Albanien, Tirana | Studentinnen Protest gegen die Schließung der türkischen Hochschule
Protesta në Tiranë pas mbylljes së kolegjit turkFotografi: Ani Ruci/DW

Shkelje ligji apo plotësim i kërkesës së Erdogan-it?

Pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, që ndodhi në vitin 2016, Erdogan vizitoi Shqipërinë dhe i kërkoi autoriteteve të saj të mbyllte kolegjet private të ngritura me fondet e kundërshtarit të tij, Fetullah Gűlen, i shpallur nga autoritetet turke si organizator i atij grushti. Bashkë me mbylljen e kolegjeve u kërkua edhe dorëzimi në Turqi i mësuesve gylenistë. Kjo kërkesë u përsërit në vizitën që zhvilloi Presidenti turk, në Tiranë në fillim të këtij viti në të cilën ai i kushtëzoi marrëdhëniet dypalëshe me goditjen e gylenistëve.

"Fakti që FETO* është ende e aftë të gjejë fushë veprimi në vendin mik dhe vëlla, në Shqipëri, e lëndon thellë popullin turk. Pritshmëria jonë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren masa më konkrete, vendimtare dhe hapa të shpejtë kundër strukturave të FETO-s në Shqipëri. Çështjen e FETO-s e shohim si parakusht të vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik”, deklaroi ai.

Albanien | Staatsbesuch des türkischen Präsidenten Erdogan
Fotografi: Franc Zhurda/AP/dpa/picture alliance

Opozita reagoi të hënën ndaj mbylljes së kolegjit turk të vajzave duke quajtur atë "plotësim të kërkesës së Erdogan”. Sipas nënkryetarit të "Partia e Lirisë”, Agim Nesho, vendimi për mbylljen e shkollës " është i pabazuar në ligj.” Anëtari i kryesisë së "Grupit të Rithemelimit " të kryesuar nga ish-kryeministri Berisha e quan vendimin e mbylljes së kolegjit turk arbitrar dhe pasojë e presionit të presidentit truk Erdogan ndaj autoriteteve të larta të Shqipërsë.