1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Escobar dhe Lajçak me pritshmëri për dialogun Kosovë-Serbi

Bekim Shehu
1 Shkurt 2022

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar e diplomati i BE, Mirosllav Lajçak që po qëndrojnë në Prishtinë duan të japin një mesazh shumë të qartë: BE dhe SHBA punojnë krahë për krah.

https://p.dw.com/p/46LTa
Diplomatie I Treffen zwischen den USA und Kosovo
Fotografi: : Office of the Kosovo prime Minister Albin Kurti

I ngarkuari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në Pristhinë, se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta afrojë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik. Ai tha se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik. Diplomati amerikan, Gabriel Escobar gjatë vizitës në Kosovë shoqërohet nga i ngarkuari i BE-së në dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak. Të dy diplomatët që në Kosovë qëndrojnë deri të mërkurën, po përpiqen që ta ripërtërijnë dialogun Kosovë-Serbi me takime që zhvilluan në Prishtinë me udhëheqësit politik dhe që do t'i vazhdojnë me udhëheqësit serb në Beograd, pas vizitës në Kosovë.

Diplomatie I Treffen zwischen den USA und Kosovo
Escobar, Kurti dhe Lajçak në PrishtinëFotografi: Office of the Kosovo prime Minister Albin Kurti

Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë

Dialogu Kosovë Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit, tha Escobar. "Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t'ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti.

 "Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme, me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t'u siguruar se ata e pranojnë Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik", tha Gabriel Escobar duke inkurajuar Evropën që "t'i shohin shtetet e Ballkanit Perëndimor si anëtare potenciale të BE-së në të ardhmen, të gjitha në paqe me njëra-tjetrën”.

"BE dhe SHBA kanë vizion të njëjtë për Kosovën"

Diplomatie I Treffen zwischen den USA und Kosovo
Takim me presidenten Vjosa OsmaniFotografi: Office of the Kosovo presidency

Gabriel Eskobar dhe Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës në Kosovë dhe Beograd, po përpiqen t'i inkurajojnë palët që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Lajçak tha shkurt se "kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë ngushtë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për vizionin e së ardhmes dhe planet në javët dhe muajt e ardhshëm”. "Jam në Prishtinë që të vazhdoj diskutime me kryeministrin dhe presidenten. Kjo është vizita ime e shtatë si përfaqësues i BE-së për dialog, por ne jemi këtu kësaj here së bashku me kolegun Escobar për të dhënë një mesazh shumë të qartë se BE dhe SHBA punojnë krahë për krah dhe kanë vizion të njëjtë për Kosovën, për procesin e dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për të ardhmen e rajonit”, tha Lajçak.

Kurti: Kushtetutshmëria dhe integriteti territorial të pacënueshëm

Ndonëse as diplomatët perendimorë dhe as udhëheqësit politik kosovar nuk thanë të kenë diskutuar për Asociacionin e Komunave Serbe, Kryeministri Albin Kurti, e bëri të qartë se ai është i vendosur se "kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjekje e dikujt”. Ai tha se "është i gatshëm t'u përgjigjet të gjitha kërkesave të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

"Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm që t'iu përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me ç'rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara", tha Albin Kurti, duke aluduar në idenë që shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, komuna këto në jug të Serbisë të trajtohen njësoj sikurse komuniteti serb në Kosovë.

Osmani: Kosova është e përkushtuar për dialog me njohjen reciproke

Ndërkohë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, pas takimit që zhvilloi me dy diplomatët perendimorë, Gabriel Eskobar dhe Mirosllav Lajçak, tha se "Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke me Serbinë”.

"Një marrëveshje për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha presidentja Osmani sipas një komunikate të lëshuar nga presidenca. Aty thuhet se "presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë  zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut”. "Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut”, citohet në komunikatë presidentja Osmani.

Diplomatie I Treffen zwischen den USA und Kosovo
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Serbia fajëson Kosovën

Ndërkohë, zyrtarë nga qeveria në Beograd akuzojnë palën kosovare për pengesa në zhvillim të dialogut, sikundër që e akuzojnë Prishtinën zyrtare për mosthemelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Një ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, tha se "fajtor për moszhvillimin e raundeve të reja të negociatave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”. "Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, prejse Kurti ka nisur të udhëheqë në Prishtinë, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos", ka thënë shefi i diplomacisë serbe Selakoviq.

Beogradi zyrtar vazhdimisht insiston që në kuadër të dialogut të bisedohet për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, kërkesë kjo që gjithnjë hidhet poshtë nga Prishtina zyrtare. Kjo e fundit thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është pjesë e një marrëveshjeje të parimeve që është arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, përkatësisht në 2015, por që shumica e pikave të saj janë hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. E pikërisht Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është pengesa kryesore për mosvazhdimin e deritashëm të dialogut Kosovë-Serbi e normalizimin e marrëdhënieve që po kërkohet me ngulm nga faktori ndërkombëtar.  Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në 2011 me ndërmjetësimin e BE-së. Raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021.