1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ende nuk ka datë të caktuar për takimin e radhës Kurti-Vuҫiq

Bekim Shehu
18 Shtator 2021

Presidentja Vjosa Osmani u shpreh pas takimit me zotin Lajçak, se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj të brendshëm.

https://p.dw.com/p/40TyD
Sonderbeauftragter für d. Kosovo Serbien Dialog Miroslav Lajcak
Fotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture-alliance

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas një takimi që zhvillloi të premten (17.09) me të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se ky i fundit ka thënë në takim me presidenten, se “askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj të brendshëm”. Miroslav Lajçak, zhvilloi një vizitë tre ditore në Kosovë, ku takoi të gjithë udhëheqësit politikë kosovarë, prej nga udhëton edhe në Beograd, në përpjekje për të caktuar një datë për takimin e radhës ndërmjet palëve në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha, se ende nuk ka datë të caktuar për takimin e radhës me presidentin serb Aleksandër Vuҫiq. Mirosllav Lajҫak, në përfundim të vizitës në Kosovë përmes një deklarate të shkruar për media tha, se në Prishtinë me bashkëbiseduesin kryesor kryeministrin Albin Kurti kanë analizuar procesin e dialogut deri më tani dhe kanë diskutuar hapat e ardhshëm, përfshirë "nivelin e ardhshëm të nivelit të lartë, si dhe takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve”.

Mirosllav Lajcak und Vjosa Osmani
Fotografi: Mirosllav Lajqak

"Paramendoni përfitimet shtesë"

"Kosova ka bërë përparim të madh në shumë fusha dhe shumë nga kjo mund t'i atribuohet drejtpërdrejt dialogut, por vetëm paramendoni përfitimet shtesë që Kosova mund t'i ketë për qytetarët e saj duke arritur një marrëveshje përfundimtare të normalizimit gjithëpërfshirëse me Serbinë", theksoi emisari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndërkaq, tha se nuk ka datë të caktuar për takimin e radhës me presidentin serb, jo para Samitit në Slloveni ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perendimor.

"Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi Samitin në Slloveni midis BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka një datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës ndërkohë zëvendëskryeministri im që është përgjegjës për dialogun ka pasur takime në Bruksel, ai diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë”, tha Kurti. Kryeministri kosovar tha, se tashmë u ka dërguar një letër udhëheqësve të shteteve evropiane për t'i informuar mbi shkeljet - siç thotë ai - që "po bën Serbia në marrëdhëniet tregtare me Kosovën”. Kurti paralajmëroi vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nëse ajo nuk heq barrierat ndaj mallrave të Kosovës.

"Ne do të dëshironim që Serbia t'i heqë barrierat, ka barriera të shumta jotarifore të cilat herë janë sporadike në zbatim e herë janë sistematike. Ne pra e duam reciprocitetin që Serbia t'i heqë barrierat, mirëpo nëse reciprociteti nuk do të mund të zbatohet duke i hequr Serbia barrierat, atëherë do të zbatohet duke iu kundërvënë ne, jo si hakmarrje por për arsye se e duam barazinë”, tha Kurti.

EU Serbien Bosnien Miroslav Lajcak Aleksandar Vucic
Fotografi: Milos Miskov/AA/picture alliance

Osmani: Kosova është pala kontruktive në dialog

Presidentja Vjosa Osmani nga ana e saj, tha pas takimit me Lajçak, se "institucionet e Kosovës janë të vendosura që të vazhdojnë dialogun, i cili duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, pa prekur rendin kushtetues dhe territorin e Republikës së Kosovës”. Ajo theksoi, se "Kosova është pala konstruktive në dialog, e cila është duke ofruar propozime konkrete në këtë proces, dhe e cila i ka zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani, në dallim nga Serbia, e cila nuk respekton marrëveshjet e arritura me Republikën e Kosovës”.

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak nga Prishtina udhëton për në Beograd për të zhvilluar bisedime për dialogun me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Ky i fundit, bashkëbiseduesin e tij nga Kosova kryeministrin Albin Kurti e ka përshkruar si një politikan shumë të vështirë për dialog, ndërsa, disa herë ka akuzuar Prishtinën zyrtare që nuk po e respekton marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është mbajtur më 19 korrik, por pa ndonjë rezulat. Megjithatë, të dyja palët Kosova dhe Serba janë përfshirë në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht kryesor për integrim në Bashkimin Evropian.